Në mars 2026, U.S. Food and Drug Administration (FDA) miratoi një trajtim të ri për pacientet me kancer ovari rezistent ndaj platineve: kombinimin e relacorilant (Lifyorli) me nab-paclitaxel. Ky vendim bazohet në rezultatet e studimit të fazës III ROSELLA, i cili tregoi përmirësim të mbijetesës pa progres dhe mbijetesës së përgjithshme tek pacientet që kishin marrë trajtime të mëparshme, përfshirë bevacizumab.
Ky zhvillim është i rëndësishëm për praktikën klinike, pasi pacientet me këtë formë të sëmundjes kanë zakonisht opsione të kufizuara trajtimi dhe prognozë të varfër.
Çfarë është relacorilant dhe pse është i rëndësishëm?
Relacorilant është një antagonist selektiv i receptorit të glukokortikoideve, një mekanizëm relativisht i ri në onkologji.
Në kancerin e ovarit, sinjalizimi i receptorit të glukokortikoideve dhe nivelet e larta të kortizolit mund të:
- rrisin shprehjen e proteinave anti-apoptotike
- ulin ndjeshmërinë e tumorit ndaj kimioterapisë
- lidhen me prognozë më të keqe për pacientët
Duke bllokuar këtë receptor, relacorilant mund të rrisë ndjeshmërinë e qelizave tumorale ndaj taksanëve, duke përmirësuar efektin e kimioterapisë.
Ky është një koncept terapeutik interesant: jo një citotoksik i ri, por modifikim i mikro-mjedisit të tumorit për të rritur efektin e trajtimit ekzistues.
Studimi ROSELLA: dizajni dhe pacientët
Evidenca kryesore që çoi në aprovimin e FDA vjen nga studimi ROSELLA (GOG-3073 / ENGOT-ov72), një studim fazë III, i randomizuar dhe multicentrik, i realizuar në 117 qendra në 14 vende. Studimi përfshiu 381 paciente me: kancer ovari epitelial, kancer të tubave fallopian dhe kancer primar peritoneal.
Të gjitha pacientet kishin:
- sëmundje rezistente ndaj platineve
- 1–3 linja trajtimi të mëparshme
- trajtim të mëparshëm me bevacizumab
Pacientet u randomizuan në dy grupe:
- Grupi i parë u trajtua me kombinimin relacorilant + nab-paclitaxel.
- Grupi i dytë (kontrolli) u trajtua vetëm me nab-paclitaxel
Qëllimet kryesore të studimit ishin vlerësimi i:
- mbijetesës së lirë pa progres (PFS)
- Mbijetesës së përgjithshme (OS)
Rezultatet kryesore të studimit
Studimi tregoi përmirësime statistikisht dhe klinikisht domethënëse.
PFS:
- 6.5 muaj me relacorilant + nab-paclitaxel
- 5.5 muaj me nab-paclitaxel vetëm
HR = 0.70 (p = 0.0076)
OS
- 16 muaj me kombinimin
- 11.9 muaj me monoterapi
HR = 0.65 (p = 0.0004)
Pra, kombinimi ofroi një përfitim absolut prej rreth 4 muajsh në mbijetesën totale, një rezultat i rëndësishëm për këtë popullatë pacientësh me prognozë të kufizuar. Në analizën e ndërmjetme të studimit ROSELLA, 60% e pacientëve në grupin e kombinimit ishin gjallë pas 12 muajsh, krahasuar me 49% në grupin e kontrollit.
Siguria dhe efektet anësore
Efektet anësore më të shpeshta të kombinimit përfshinin: neutropeni, anemi, lodhje, nauze, diarre, trombocitopeni, rash dhe ulje të oreksit.
Shumica e këtyre efekteve lidhen kryesisht me toksicitetin e taksanëve dhe janë të njohura në praktikën klinike.
Megjithatë, FDA paralajmëron për disa rreziqe specifike:
- neutropeni dhe infeksione të rënda
- insuficiencë adrenale
- përkeqësim të sëmundjeve që trajtohen me kortikosteroide
- toksicitet embrio-fetal
Për këtë arsye, pacientët që kanë nevojë për kortikosteroide për indikacione jetike nuk duhet ta marrin këtë trajtim.
Skema e administrimit
Regjimi i rekomanduar është:
- Relacorilant: 150 mg oral, një ditë para + ditën e infuzionit + një ditë pas nab-paclitaxel.
- Nab-paclitaxel: 80 mg/m² IV, ditët 1, 8 dhe 1, cikël 28-ditor.
Trajtimi vazhdon deri në progres të sëmundjes ose toksicitet të patolerueshëm.
Çfarë do të thotë kjo për praktikën klinike?
Kanceri i ovarit rezistent ndaj platineve mbetet një nga sfidat në trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Miratimi i relacorilant përfaqëson disa zhvillime të rëndësishme:
- Një mekanizëm i ri terapeutik – modulim i receptorit të glukokortikoideve.
- Përmirësim real i mbijetesës
- Potencial për kombinime të ardhshme, për shembull me bevacizumab.
Studimet e ardhshme do të vlerësojnë:
- përdorimin e relacorilant në tumore të tjera solide
- kombinime me terapi të tjera biologjike
- ndikimin e përdorimit të kortikosteroideve në efektivitetin e kimioterapisë.







Lini një Përgjigje