kanceri kolorektal BRAF pozitiv

Kanceri kolorektal metastatik me mutacion BRAF V600E përbën rreth 8–12% të rasteve metastatike dhe konsiderohet një nëntip biologjikisht agresiv, me prognozë më të keqe dhe përgjigje relativisht të kufizuar ndaj kimioterapisë standarde. Deri tani, kombinimi encorafenib + cetuximab kishte një rol të konsoliduar kryesisht pas progresit në linjat e mëparshme të trajtimit, bazuar në studimin BEACON. Studimi fazës III BREAKWATER vlerësoi nëse ky bllokim i targetuar i rrugës BRAF–EGFR mund të zhvendosej në linjën e parë, duke u kombinuar me kimioterapi.

Çfarë vlerësoi studimi BREAKWATER?

BREAKWATER është një studim randomizuar i fazës III që përfshiu pacientë me adenokarcinomë kolorektale metastatike, BRAF V600E-pozitive, të patrajtuar më parë për sëmundjen metastatike.

Në analizën e raportuar në Nature Medicine, u krahasuan:

  • Encorafenib + cetuximab + mFOLFOX6
  • kundrejt standardit të trajtimit sipas zgjedhjes së investigatorit, që mund të përfshinte mFOLFOX6, FOLFOXIRI ose CAPOX, me ose pa bevacizumab.

Encorafenib u administrua 300 mg oral një herë në ditë, cetuximab 500 mg/m² çdo dy javë, ndërsa mFOLFOX6 përfshinte oxaliplatin, leucovorin dhe 5-FU, përfshirë infuzionin e vazhdueshëm të 5-FU për 46–48 orë.

Dy qëllimet primare për vlerësim ishin përgjigjja objektive (ORR) dhe mbijetesa e lirë nga progresi (PFS). Në momentin e kësaj analize, të dhënat për PFS nuk kishin arritur ende maturitetin e nevojshëm.

Rezultati kryesor: një rritje e qartë e përgjigjes objektive nga trajtimi

BREAKWATER arriti të tregojë se ORR ishte 60.9% me encorafenib + cetuximab + mFOLFOX6, krahasuar me 40.0% me trajtimin standard. Pra, afërsisht 6 në 10 pacientë të trajtuar me kombinimin eksperimental patën një përgjigje objektive, krahasuar me 4 në 10 në grupin kontroll.

Përgjigjet nuk ishin vetëm më të shpeshta, por edhe më të qëndrueshme. Kohëzgjatja mediane e përgjigjes ishte 13.9 muaj me EC + mFOLFOX6, kundrejt 11.1 muaj me standardin e trajtimit.

Veçanërisht interesante ishte diferenca në përgjigjet afatgjata: 68.7% e pacientëve që iu përgjigjën trajtimit eksperimental e ruajtën përgjigjen për të paktën 6 muaj, krahasuar me vetëm 34.1% në grupin kontroll.

Përfitimi dukej konsistent në nëngrupe

Analiza sipas nëngrupeve nuk identifikoi një kategori të qartë pacientësh ku efekti i trajtimit humbiste. Përfitimi në ORR u pa si te pacientët më të rinj ashtu edhe te ata ≥65 vjeç, te burrat dhe gratë, në tumoret e kolonit të majtë dhe të djathtë, dhe si në prani ashtu edhe në mungesë të metastazave hepatike.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për BRAF V600E mCRC, ku sëmundja shpesh paraqitet me ngarkesë të lartë tumorale dhe nevojë për kontroll relativisht të shpejtë të sëmundjes.

Po mbijetesa e përgjithshme?

Të dhënat e para për mbijetesë të përgjithshme (OS) ishin shumë premtuese, por ende jo definitive. Në analizën e parë HR për vdekjen ishte 0.47 në favor të encorafenib + cetuximab + mFOLFOX6. Mbijetesa e përgjithshme nuk ishte arritur ende në grupin eksperimental, ndërsa ishte 14.6 muaj me standardin e trajtimit.

Në analizën e 12 muajve të parë, mbijetesa ishte: 79.5% me EC + mFOLFOX6, kundrejt 66.1% me trajtimin standard.

Terapia e re vjen me më shumë toksicitet

Siç mund të pritej nga shtimi i dy agjentëve të targetuar mbi kimioterapinë, toksiciteti ishte më i lartë. Efektet anësore të gradës 3/4 u raportuan në:

  • 74.0% të pacientëve në grupin EC + mFOLFOX6
  • 61.0% në grupin standard.

Efektet anësore më të zakonshme përfshinin nauze, anemi, diarre, ulje të neutrofileve, ulje të oreksit, të vjella dhe neuropati. Rash-i ishte dukshëm më i shpeshtë me trajtimin eksperimental, e pritshme nga përdorimi i cetuximab.

Megjithatë, efektet anësore serioze ishin relativisht të ngjashme mes grupeve: 37.7% kundrejt 34.6%. Vdekjet e lidhura me trajtimin ishin 0% në grupin eksperimental dhe 0.4% në grupin kontroll.

Pse ka rëndësi biologjikisht ky kombinim?

Inhibimi i BRAF si monoterapi nuk ka dhënë në kancerin kolorektal suksesin që është parë në melanomë. Arsyeja kryesore është se inhibimi i BRAF shkakton një riaktivizim feedback të EGFR, duke rikthyer sinjalizimin e rrugës MAPK.

Për këtë arsye, kombinimi i një inhibitori të BRAF, si encorafenib, me bllokimin e EGFR përmes cetuximab është biologjikisht më racional.

Shtimi i kimioterapisë mund të ketë një rol shtesë duke targetuar popullata tumorale të ndryshme dhe duke reduktuar ndikimin e heterogjenitetit intratumoral dhe zhvillimit të rezistencës.

Një detaj i rëndësishëm: këta nuk ishin pacientët MSI-H/dMMR

BREAKWATER përjashtoi në përgjithësi pacientët MSI-H/dMMR, përveç rasteve kur imunoterapia nuk mund të përdorej për arsye mjekësore.

Kjo është e rëndësishme për interpretimin klinik: rezultatet e BREAKWATER aplikohen kryesisht te pacientët BRAF V600E, MSS/pMMR, ndërsa për pacientët MSI-H/dMMR imunoterapia vazhdon të përbëjë një qasje tjetër terapeutike. Në këtë studim, rreth 95% e pacientëve ishin MSS/pMMR.

Çfarë ndryshon ky studim në praktikë?

BREAKWATER ndryshon mënyrën se si mendojmë për BRAF V600E në kancerin kolorektal metastatik. Historikisht, strategjia ishte të përdorej fillimisht kimioterapia dhe të rezervohej kombinimi encorafenib + cetuximab për linjat e mëvonshme. BREAKWATER sugjeron se targetimi i driver-it molekular që në fillim të trajtimit, së bashku me kimioterapinë, mund të jetë më efektiv sesa pritja deri pas progresionit.

Kjo e bën gjithashtu testimin molekular të BRAF në diagnozën e sëmundjes metastatike edhe më të rëndësishëm. Informacioni për BRAF nuk duhet të jetë një rezultat që kërkohet vetëm kur pacienti progreson; ai mund të ndikojë drejtpërdrejt në zgjedhjen e trajtimit të linjës së parë.

Çfarë duhet ende të presim?

Publikimi në Nature Medicine raporton kryesisht ORR dhe analizën e parë të ndërmjetme të OS. Të dhënat për PFS nuk janë maturuar ende. Gjithashtu kërkohet ndjekje më e gjatë për të përcaktuar nëse sinjali i fortë i OS do të konfirmohet në analizat e mëvonshme.

Studimi po eksploron gjithashtu kombinime të tjera, përfshirë encorafenib + cetuximab + FOLFIRI, çka mund të zgjerojë më tej opsionet terapeutike në këtë popullatë.

Mesazhi për praktikën klinike

BREAKWATER tregon se në pacientët me kancer kolorektal metastatik BRAF V600E, MSS/pMMR, kombinimi encorafenib + cetuximab + mFOLFOX6 ka treguar një përgjigje klinikisht të rëndësishme krahasuar me kimioterapinë standarde, me një sinjal të hershëm premtues edhe për mbijetesën e përgjithshme.

Përtej një skeme të re terapeutike, studimi përforcon rëndësinë e testimit molekular, i cili duhet të bëhet herët, sepse biologjia e tumorit po përcakton gjithnjë e më shumë trajtimin që në linjën e parë.

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Gusht 2026

FDA aprovon Daraxonrasib për trajtimin e linjës së dytë në kancerin metastatik të pankreasit.

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia PARP inhibitore pcos Screening Semundja renale kronke sheqer target terapia Terapi endokrine Tiroide TNBC yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin