Nivolumab plus ipilimumab redukton ndjeshëm rrezikun e progresit ose vdekjes krahasuar me trajtimin nivolumab monoterapi, duke konsoliduar rolin e kombinimit të imunoterapisë në kancerin kolorektal metastatik MSI-H/dMMR.
Kanceri kolorektal metastatik me instabilitet të lartë mikrosatelit (MSI-H) ose deficiencë të sistemit mismatch repair (dMMR) përfaqëson rreth 4–7% të rasteve të sëmundjes metastatike. Ky nëngrup biologjik ka një ndjeshmëri veçanërisht të lartë ndaj inhibitorëve të immune-checkpoint-ëve dhe gjatë viteve të fundit për këtë nëntip, imunoterapia ka ndryshuar ndjeshëm algoritmin terapeutik.
Rezultatet e studimit të fazës III CheckMate 8HW, të publikuara në The Lancet, ofrojnë tashmë provat se trajtimi i kombinuar me nivolumab plus ipilimumab është superiore ndaj monoterapisë me nivolumab në pacientët me kancer kolorektal metastatik MSI-H/dMMR.
Çfarë tregoi CheckMate 8HW?
CheckMate 8HW është një studim ndërkombëtar, i randomizuar, i fazës III, i zhvilluar në 128 qendra në 23 shtete.
Në studim u përfshinë pacientë ≥18 vjeç me kancer kolorektal të parezekueshëm ose metastatik MSI-H/dMMR dhe pa ekspozim të mëparshëm ndaj imunoterapisë.
Pacientët u randomizuan për të marrë:
- nivolumab + ipilimumab: nivolumab 240 mg + ipilimumab 1 mg/kg çdo 3 javë për katër doza, më pas nivolumab 480 mg çdo 4 javë;
- nivolumab monoterapi: 240 mg çdo 2 javë për 12 javët e para, më pas 480 mg çdo 4 javë;
- ose, në një pjesë të studimit, kimioterapi ± terapi target.
Trajtimi me imunoterapi mund të vazhdonte deri në 2 vjet.
Studimi kishte si qëllime primare të pavarura vlerësimin e:
- PFS për nivolumab + ipilimumab kundrejt kimioterapisë në linjën e parë;
- PFS për nivolumab + ipilimumab kundrejt nivolumab monoterapisë, pavarësisht linjës së trajtimit.
Nivolumab + ipilimumab reduktoi me 38% rrezikun e progresit ose vdekjes
Në analizën primare u përfshinë 296 pacientë me MSI-H/dMMR në krahun nivolumab + ipilimumab dhe 286 pacientë në krahun nivolumab. Pas një ndjekjeje mesatare prej 47 muajsh, kombinimi tregoi një avantazh statistikisht dhe klinikisht domethënës mbijetesën e lirë nga progresi (PFS), me një reduktim prej 38% të rrezikut të progresit ose vdekjes me imunoterapinë e kombinuar (HR për PFS: 0.62 95% CI 0.48–0.81; p=0.0003).
Edhe më domethënëse janë kurbat afatgjata të PFS.
| PFS | Nivolumab + ipilimumab | Nivolumab |
|---|---|---|
| PFS në 12 muaj | 76% | 63% |
| PFS në 24 muaj | 71% | 56% |
| PFS në 36 muaj | 68% | 51% |
Avantazhi i kombinimit u vërejt përgjithësisht në të gjitha nëngrupet e analizuara, përfshirë sipas moshës, seksit, lokalizimit të tumorit, pranisë së metastazave hepatike ose peritoneale dhe statusit mutacional BRAF/KRAS/NRAS.
Përfititmet e tjera nga kombinimi
Përfitimi nuk u kufizua vetëm në PFS. Përgjigja objektive (OR) ishte: 71% me nivolumab + ipilimumab vs 58% me nivolumab (p=0.0011).
Përgjigje të plota (CR) u raportuan në:
- 30% të pacientëve me kombinimin;
- 28% me nivolumab monoterapi.
Krahasimi me kimioterapinë mbetet mbresëlënës
CheckMate 8HW kishte treguar më parë një avantazh shumë të madh të nivolumab + ipilimumab kundrejt kimioterapisë në linjën e parë.
Me ndjekjen më të gjatë të raportuar në këtë analizë, rezultatet vazhduan të favorizonin fuqishëm kombinimin:
- PFS mediane: 54.1 muaj vs 5.9 muaj
- HR 0.21; 95% CI 0.14–0.31
Në 24 muaj, 74% e pacientëve që merrnin nivolumab + ipilimumab ishin ende pa progres, kundrejt vetëm 11% me kimioterapi. Në 36 muaj shifrat ishin respektivisht 69% dhe 11%. Këto të dhëna tregojnë sa thellësisht ka ndryshuar qasja terapeutike për këtë nëngrup molekular të kancerit kolorektal.
Por përfitimi vjen me më shumë toksicitet
Siç pritej nga bllokada e dyfishtë e immune-checkpoint-ëve, nivolumab + ipilimumab shoqërohej me më shumë efekte anësore se nivolumab monoterapi.
Efektet anësore të lidhura me trajtimin u raportuan në:
- 81% me nivolumab + ipilimumab;
- 71% me nivolumab.
Efektet anësore të gradës 3–4:
- 22% me kombinimin;
- 14% me nivolumab.
Ndër efektet anësore më të shpeshta me kombinimin ishin:
- pruriti – 26%;
- diarrea – 20%;
- hipotiroidizmi – 17%;
- astenia – 16%;
- hipertiroidizmi – 11%;
- artralgjia – 11%;
- insuficienca adrenale – 10%.
Ndër toksicitetet të gradës 3–4 më të rëndësishme ishin diarrea/koliti, hipofiziti dhe insuficienca adrenale. Ndërprerja e të paktën një medikamenti për shkak të toksicitetit ndodhi në 14% të pacientëve me kombinimin dhe në 6% me nivolumab.
U raportuan gjithashtu tre vdekje të lidhura me trajtimin: dy në krahun nivolumab + ipilimumab, një nga miokarditi dhe një nga pneumoniti, dhe një pneumonit fatal në krahun nivolumab.
Cilësia e jetës nuk u komprometua
Pavarësisht toksicitetit më të lartë, të dyja grupet raportuan përmirësim të cilësisë së jetës sipas EORTC QLQ-C30 Global Health Status.
Në grupin nivolumab + ipilimumab, përmirësimi arriti pragun e paracaktuar për një ndryshim klinikisht domethënës duke filluar nga java e 21-të dhe u ruajt në shumicën e pikave kohore të mëvonshme. Pra, përfitimi terapeutik nga kombinimi nuk duket se është arritur duke sakrifikuar cilësinë e përgjithshme të jetës.
Një detaj i rëndësishëm: konfirmimi korrekt i MSI-H/dMMR
CheckMate 8HW evidentoi gjithashtu një problem me rëndësi të drejtpërdrejtë për praktikën klinike. Nga 707 pacientët e randomizuar në dy krahët e imunoterapisë, 125 nuk rezultuan MSI-H/dMMR në konfirmimin qendror të analizës.
Nga këta pacientë, 99 (rreth 14%) — rezultuan MSS ose pMMR në testimin qendror, pavarësisht se ishin klasifikuar lokalisht si MSI-H/dMMR.
Mesazhi praktik është i rëndësishëm: përpara marrjes së një vendimi terapeutik bazuar mbi MSI/MMR, nevojitet testim i standardizuar dhe i validuar, me imunohistokimi, PCR ose NGS sipas kontekstit.
A është ky një standardi të ri?
Deri tani, KEYNOTE-177 kishte vendosur pembrolizumab monoterapi si një standard të rëndësishëm të linjës së parë për pacientët me mCRC MSI-H/dMMR. CheckMate 8HW i çon të dhënat një hap më tej.
Për herë të parë në një studim të randomizuar të fazës III, kombinimi i imunoterapisë është krahasuar drejtpërdrejt me imunoterapinë anti-PD-1 në këtë sëmundje dhe ka treguar një avantazh të rëndësishëm në PFS dhe në shkallën e përgjigjes. Megjithatë, vendimi klinik mbetet një balancë midis efikasitetit më të lartë dhe toksicitetit më të madh të kombinimit.
Një tjetër element i rëndësishëm është se të dhënat e mbijetesës së përgjithshme (OS) në këtë analizë mbeten ende për t’u publikuar, ndaj ndjekja e mëtejshme e CheckMate 8HW do të jetë thelbësore.
Mesazhi për praktikën klinike
CheckMate 8HW konfirmon se në kancerin kolorektal metastatik MSI-H/dMMR, kombinimi i nivolumab + ipilimumab siguron kontroll më të mirë dhe më të qëndrueshëm të sëmundjes sesa nivolumab monoterapi.
Çmimi i këtij efikasiteti është rritja e toksicitetit, çka kërkon përzgjedhje të kujdesshme të pacientëve, monitorim dhe menaxhim të hershëm të efekteve anësore.
Në të njëjtën kohë, studimi nënvizon një parim gjithnjë e më të rëndësishëm të onkologjisë precize: terapia e duhur fillon me biomarkerin e duhur dhe me një testim të saktë të tij.







Lini një Përgjigje