Liposarkoma

Çfarë është Liposarkoma e Dediferencuar?

Liposarkoma e dediferencuar (DDLPS — Dedifferentiated Liposarcoma) është një nga nëntipet më agresivë dhe rezistentë ndaj trajtimit të sarkomave të indeve të buta. Bëhet fjalë për një tumor malinj i rrallë që zhvillohet nga qelizat e indit dhjamor, por i cili ka humbur karakteristikat lipomatoze dhe ka fituar tipare sarkomatoze me shkallë të lartë malinjiteti.

Lokalizimi më i zakonshëm është regioni retroperitoneal (hapësira pas peritoneumit), por mund të shfaqet edhe në gjymtyrë ose zona të tjera. Ndryshe nga liposarkoma e diferencuar mirë, DDLPS karakterizohet nga potencial i lartë metastatik dhe tendencë për recidivë lokale.

Prognoza mbetet jo e mirë edhe pas rezekcionit kirurgjikal me kufi negativ, deri në 75% e pacientëve pësojnë recidivë. Sëmundja recidivante konsiderohet e parakurueshme në shumicën e rasteve.

Pse CDK4? Baza Biologjike e Trajtimit

Amplifikimi i gjenit CDK4 (Cyclin-Dependent Kinase 4) është pothuajse universal në DDLPS dhe kjo e bën këtë tumor njërin prej sarkomave me shënjestër molekulare të mirëpërcaktuar. CDK4 është një proteinë kyçe në rregullimin e ciklit qelizor: ajo nxit kalimin nga faza G1 në fazën S, duke lejuar replikimin e pakontrolluar të qelizave tumorale.

Frenim i CDK4 në këtë rast kthehet në një strategji të logjikshme dhe të arsyeshme biologjikisht. Abemaciclib është frenues i CDK4/6, por dallohet nga palbociclibi dhe ribociclibi nga selektiviteti i tij superior ndaj CDK4, një avantazh i rëndësishëm në kontekstin e DDLPS ku CDK4 është shtytësi kryesor onkogjenik.

Studimet e fazës II kishin dhënë sinjale pozitive: PFS mesatare prej 4.2 muajsh me palbociclib dhe 7.7 muajsh me abemaciclib. SARC041 u zhvillua për të konfirmuar këtë avantazh të abeaciclibit në një studim randomizuar të kontrolluar të fazës III.

Studimi SARC041

SARC041 (NCT04967521) ishte studim randomizuar, dyfish i verbër, i fazës III, i kryer në 9 qendra akademike në Shtetet e Bashkuara. U regjistruan 108 pacientë (54 abemaciclib / 54 placebo) me DDLPS të avancuar ose metastatike. Nuk kishte kufizim të numrit të linjave të mëparshme të trajtimit, gjysma e pacientëve (50%) nuk kishin marrë asnjë terapi sistemike para studimit.

Abemaciclibi u administrua 200 mg dy herë në ditë në mënyrë orale. Pas progresit në krahun e placebos, 85% e pacientëve kaluan (crossover) te abemaciclibi, fakt i rëndësishëm për interpretimin e mbijetesës totale.

Rezultatet Kryesore

Studimi arriti qëllimin e tij primar me sinjifikancë statistikore të padiskutueshme. Mbijetesa e lirë nga progresi i sëmundjes (PFS) mesatare me abemaciclib ishte 9.7 muaj, krahasuar me 1.5 muaj me placebo (HR 0.38 (90% CI 0.25–0.59; p<0.001). Abemaciclibi reduktoi riskun e progresit ose vdekjes me 62%.

Ky avantazh duket edhe më i theksuar kur vihet në kontekst: nuk kemi asnjë terapi sistemike të aprovuar aktualisht për DDLPS që të ketë arritur PFS mbi 4 muaj në studime të randomizuara. SARC041 është gjithashtu studimi i parë i fazës III me rezultat pozitiv ndonjëherë i kryer në këtë diagnozë.

Analiza eksploratore sipas linjës së trajtimit ishte veçanërisht informuese. Pacientët që morën abemaciclibin si terapi të parë sistemike kishin PFS mesatare 16.4 muaj, gati trefishi i atyre që e morën në linjën e dytë ose më vonë, ku PFS mesatare ishte 5.3 muaj. Ky dallim sugjeron fuqishëm se shfrytëzimi i hershëm i abemaciclibit ofron benefitin maksimal. Implikimi klinik është i drejtpërdrejtë: referimi i hershëm dhe vendimmarrja e shpejtë mund të bëjnë ndryshim real.

Ky rezultat, së bashku me faktin se PFS dhe shkalla e përgjigjjes pas crossover-it ishin më të ulëta se për ata që morën abemaciclibin si linjë të parë, sugjeron se trajtimi i hershëm me abemaciclib përmirëson rezultatet e pacientëve.

Mbijetesa e përgjithshme nuk ishte qëllimi primar i studimit, por trendi ishte i rëndësishëm: OS mesatare me abemaciclib nuk u arrit në momentin e analizës, krahasuar me 25.5 muaj me placebo (HR 0.55 (p=0.07). Reduktim 45% i riskut të vdekjes, pavarësisht crossover-it masiv: kur 85% e pacientëve të grupit të kontrollit kalojnë te medikamenti aktiv, zakonisht pritet zbutje e sinjalit të OS, megjithatë avantazhi mbeti i dukshëm.

Efektet anësore

Profili i sigurisë ishte konsistent me atë të njohur të abemaciclibit nga të dhënat në përdorimit në kancerin e gjirit. Ndërsa incidenca e efekteve anësore serioze ishte e ulët dhe e ngjashme mes dy grupeve, profil i pranueshëm për një popullatë me sëmundje të avancuar.

SARC041 demonstron se shënjestrimi i CDK4, anomalia molekulare gati-universale e DDLPS — arrin të frenojë sëmundjen me efektivitet të paprecedentë në këtë diagnozë. Është studimi i parë i fazës III pozitiv ndonjëherë në liposarkoma e dediferencuar. PFS mesatare 9.7 muaj, reduktim 62% i riskut të progresit, dhe trend pozitiv i mbijetesës së përgjithshme pavarësisht crossover-it masiv, këto janë shifra që e ndryshojnë drejtimin terapeutik të kësaj sëmundjeje. Fillimi i hershëm i trajtimit duket vendimtar.

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Mars 2026

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

Nogapendekin alfa inbakicept përfshihet në udhëzimet e NCCN për kancerin e fshikëzës pa invazion muskular (NMIBC) me formë papilare që nuk i përgjigjet trajtimit me BCG.

Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer pankreasi Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia PARP inhibitore pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin