Mesothelioma pleurale tek pacientët e rinj

Mezotelioma pleurale është tradicionalisht konsideruar një sëmundje e meshkujve të moshuar me histori ekspozimi ndaj asbestit. Megjithatë, të dhënat e reja sugjerojnë se kjo paradigmë nuk është gjithmonë e saktë. Një studim i publikuar në JCO Precision Oncology analizon karakteristikat klinike dhe gjenomike të mesotheliomës pleurale tek pacientët e rinj dhe shumë të rinj, duke treguar se kjo sëmundje mund të shfaqet edhe në mungesë të faktorëve klasikë të rrezikut.

Një profil ndryshe nga ai i pacientit klasik

Në analizën retrospektive të realizuar në Memorial Sloan Kettering Cancer Center u identifikuan 273 pacientë me mesothelioma pleurale të diagnostikuar në moshën ≤50 vjeç, nga të cilët 50 pacientë ishin ≤35 vjeç.

Rezultatet treguan disa dallime të rëndësishme nga popullata klasike e mezoteliomës:

  • 39% e pacientëve ishin gra, një përqindje dukshëm më e lartë se në popullatat tipike të kësaj sëmundjeje.
  • Vetëm 40% kishin histori të njohur ekspozimi ndaj asbestit, shumë më pak se në pacientët më të moshuar.
  • 70% kishin histori familjare kanceri, më shpesh kancer gjiri, mushkërie ose koloni.

Këto të dhëna sugjerojnë se tek pacientët e rinj mund të ekzistojnë mekanizma të tjerë biologjikë ose gjenetikë që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjes.

Si paraqiten klinikisht pacientët e rinj?

Simptomat më të shpeshta në momentin e diagnozës ishin:

  • dhimbje ose diskomfort torakal (55%)
  • dispne (53%)
  • kollë (30%)

Në rreth 72% të rasteve kishte prezent efuzion pleural gjatë vlerësimit fillestar. Diagnostikimi rastësor ishte relativisht i rrallë (rreth 5%). Kjo tregon se prezantimi klinik mbetet relativisht tipik edhe në moshat më të reja.

Profili gjenomik i mesotheliomës në të rinj

Analiza molekulare tregoi se mutacionet më të shpeshta tek pacientët e rinj përfshinin:

  • BAP1 (47%)
  • NF2 (38%)
  • CDKN2A/B (25%)
  • TP53 (21%)

Megjithatë, disa veçori dallojnë këtë grup pacientësh nga popullata më e vjetër:

  • frekuencë më e ulët e delecioneve CDKN2A
  • ngarkesë mutacionale tumorale më i ulët tek pacientët ≤35 vjeç
  • më pak mutacione në BAP1 tek shumë të rinjtë

Studimi raportoi gjithashtu për herë të parë alterime në gjenin CIC në një nëngrup të pacientëve, një gjen i lidhur më parë me tumore të tjera si oligodendrogliomat dhe disa sarkoma.

Roli i mutacioneve germinale

Një pjesë e pacientëve kishte mutacione germinale, kryesisht në:

  • BAP1
  • MSH6
  • APC

Interesant është fakti se mutacionet germinale u identifikuan vetëm tek pacientët 36-50 vjeç dhe jo tek ata ≤35 vjeç, duke sugjeruar mekanizma të ndryshëm biologjikë në dy grupmoshat.

Mbijetesa

Mbijetesa mediane në këtë kohort ishte:

  • 22 muaj për të gjithë pacientët
  • 34 muaj për pacientët e diagnostikuar pas vitit 2004, periudha kur pemetrexed u bë terapi standarde.

Mutacionet në NF2 dhe CDKN2A u shoqëruan me prognozë më të keqe.

Çfarë duhet të mësojnë klinicistët nga ky studim

Mesazhi kryesor i studimit është se mezotelioma pleurale nuk duhet të konsiderohet ekskluzivisht një sëmundje e pacientëve të moshuar me ekspozim ndaj asbestit.

Tek pacientët e rinj:

  • ekspozimi ndaj asbestit është më pak i shpeshtë
  • historia familjare e kancerit është e zakonshme
  • biologjia molekulare mund të jetë e ndryshme

Prandaj, në rastet e pacientëve të rinj me efuzion pleural të pashpjeguar, dispne ose dhimbje torakale, mezotelioma duhet të mbetet një diagnozë e mundshme edhe në mungesë të ekspozimit ndaj asbestit.

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Gusht 2026

FDA aprovon Daraxonrasib për trajtimin e linjës së dytë në kancerin metastatik të pankreasit.

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia PARP inhibitore pcos Screening Semundja renale kronke sheqer target terapia Terapi endokrine Tiroide TNBC yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin