Mitokondritë: trendi i ri i jetëgjatësisë apo një e vërtetë biologjike që kemi neglizhuar?

Kohët e fundit, mitokondritë janë shpallur si çelësi i jetëgjatësisë. Politikanë, autorë librash, influencerë, kompani suplementesh: të gjithë flasin për “shëndetin mitokondrial” si një formulë e re për të jetuar më gjatë.

Ideja është joshëse: nëse përmirësojmë funksionin e një strukture të vogël brenda qelizës, mund të zgjasim jetën. Nëse rregullojmë motorin, makina do të ecë më gjatë.

Por, a nuk është ky tundimi i radhës për të reduktuar kompleksitetin e jetës në një element të vetëm?

Mitokondritë janë të rëndësishme. Jashtëzakonisht të rëndësishme. Ato prodhojnë ATP, marrin pjesë në imunitet, në sinjalizim, në vendimin e qelizës për të jetuar apo për të vdekur. Me kalimin e moshës, funksioni i tyre bie. Prodhimi i molekulave reaktive rritet. Sistemet e pastrimit dhe riparimit dobësohen.

E gjitha kjo është e vërtetë. Por jeta nuk është një strukturë e vetme.

Mitokondritë sot janë në qendër të vëmendjes, por më parë kemi pasur shumë “mitokondri” të tjera: ADN-ja si “sekreti i jetës”; Telomeret si ora biologjike; Antioksidantët si shpëtimi universal; Inflamacioni si burimi i çdo sëmundjeje; Mikrobioma si universi i brendshëm; Insulina si armiku absolut…e shumë të ngjashme si këto.

Biologjia e trupit tonë nuk funksionon me protagonistë të vetëm

Nëse do të mund të hynim brenda një qelize, do ta shihnim atë si një komunitet i gjallë, do të kuptonim menjëherë se mitokondria nuk punon kurrë e vetme. Ajo negocion vazhdimisht me bërthamën, e cila mban arkivin gjenetik, shkëmben sinjale me rrjetin endoplazmatik, që organizon prodhimin dhe transportin e proteinave, mbështetet te lizozomet për pastrimin e mbetjeve qelizore, noton në citoplazmë, ku çdo molekulë është një mesazh në lëvizje. Ajo reagon ndaj hormoneve që vijnë nga larg, ndaj citokinave të sistemit imunitar, ndaj mikromjedisit që e rrethon: oksigjenit, nutrientëve, inflamacionit, etj.

Asgjë nuk ekziston në izolim. Çdo funksion është përgjigje ndaj një tjetri.

Mitokondrive po iu atribuohet gjithashtu edhe “faji” i kancerit. Por kanceri nuk shpërthen sepse një strukturë e vetme “nuk funksionon më”. Ai lind kur rrjetet që mbajnë qelizën në ekuilibër, ato metabolike, gjenetike, imune, hormonale, humbasin sinkronin. Qeliza tumorale lind në një sistem që ka humbur aftësinë për të bashkërenduar.

Prandaj, kur përpiqemi të shpallim mitokondrit si “burimin e plakjes” dhe së fundmi, i çdo të “keqeje” dhe “të mire” në trupin tonë, rrezikojmë të përsërisim të njëjtin gabim konceptual: të kërkojmë një fajtor të vetëm në një univers biologjik kompleks, ekuilibri i të cilit varet nga harmonia e të gjithë proceseve.

Thjeshtimi i koncepteve si e mira dhe e keqja e shkencës

Shkenca moderne u ndërtua mbi thjeshtimin e koncepteve, duke ndarë kompleksitetin në pjesë të vogla për ta kuptuar më mirë. Falë kësaj metode, ne kuptuam ADN-në, enzimat, metabolizmin.

Por ka një kufi.

Kur përpiqemi t’i atribuojmë një fenomeni kaq gjithëpërfshirës si plakja një strukture të vetme, ne kalojmë nga analiza në thjeshtëzim të tepruar. Plakja është një proces sistemik. Një ndërveprim midis energjisë, inflamacionit, riparimit, gjenetikës, mjedisit dhe kohës.

Të mendosh se zgjidhja do të vijë nga “optimizimi” i një organeli të vetëm duket, në rastin më të mirë, naivitet. Në rastin më të keq, një shpërfillje e forcës së bashkërenduar të natyrës.

Kthimi te këshillat “old school”

Kur flasim për mitokondritë, shpesh duket sikur po flasim për një komponent teknik që kërkon një zgjidhje po aq teknike. Por në të vërtetë, çdo gjë që realisht dimë se i ndihmon mitokondritë të kryejnë funksionet e tyre “më mirë” është, çuditërisht, ajo që mjekësia ka rekomanduar prej dekadash për një jetë të shëndetshme.

Mitokondritë janë pjesë e një ekosistemi të brendshëm. Ato komunikojnë me bërthamën përmes sinjaleve biokimike, ndikohen nga hormonet, reagojnë ndaj inflamacionit dhe përshtaten vazhdimisht ndaj ushqimit dhe aktivitetit fizik.

Prandaj, kur psh. bëjmë aktivitet fizik, nuk “forcojmë mitokondritë” në mënyrë të izoluar. Ne ndryshojmë gjithë arkitekturën metabolike: përmirësojmë sensitivitetin ndaj insulinës, rregullojmë boshtin hormonal, reduktojmë inflamacionin sistemik, përmirësojmë funksionin kardiovaskular. Mitokondrit përfitojnë pa dyshim, por bashkë me to përfiton gjithë sistemi.

Kur flemë mirë, nuk po kryejmë një ritual magjik për mitokondritë. Por rregullojmë aksin neuroendokrin, stabilizojmë metabolizmin, lejojmë proceset e riparimit qelizor. Mitokondritë janë pjesë e këtij procesi…

Edhe dieta e balancuar, e pasur me fibra, yndyrna dhe proteina të mjaftueshme, nuk është “protokoll mitokondrial”. Është dieta klasike që i shërben shëndetit metabolik 🙂

Sa herë që kërkojmë ndërhyrje të reja spektakolare për të optimizuar një strukturë të vetme, përfundojmë duke u kthyer te rekomandimet e vjetra dhe modeste:

Lëviz.
Ha shëndetshëm.
Fli mjaftueshëm.
Menaxho stresin.

2 fjalë për suplementet çudibërëse

Në këtë klimë entuziazmi rreth mitokondrive, lind pothuajse natyrshëm një premtimi alla influencer: nëse ekziston një molekulë kyçe në metabolizëm (qoftë N.A.D.+ apo coenzyma Q10, urolithin A apo ndonjë antioksidant i fuqishëm) atëherë mjafton ta rrisim atë dhe procesi i plakjes do të ngadalësohet. (gjeniale për të marrë clicks, views & followers)

Por le t`i kthehemi dhe njëherë asaj shkencës së mërzitshme që nuk shet në rrjete sociale. Ajo shpesh fillon me rezultate premtuese në kafshë, ku sistemet janë më të kontrolluara, më homogjene, më të parashikueshme. Kur kalojmë te njerëzit, rezultatet bëhen më të paqartë. Përfitimet shpesh janë modeste, të paqëndrueshme ose të padallueshme. Madje, në disa raste, ndërhyrje që teorikisht duhet të ndihmonin kanë prodhuar rezultate të kundërta.

Sepse trupi i njeriut është një sistem i ndërlikuar ekuilibrash, ku çdo ndërhyrje prek shumë hallka njëkohësisht. Një molekulë që rritet në një rrugë metabolike mund të krijojë tension në një tjetër. Një antioksidant që neutralizon një proces mund të ndërhyjë në një sinjal biologjik të nevojshëm. Biologjia njerëzore nuk është një ekuacion me një variabël. Dhe sa herë që përpiqemi ta trajtojmë si të tillë, zbulojmë se thjeshtësia që kërkojmë është më shumë psikologjike sesa shkencore.

Dr. Kleida Mati – Mjeke Onkologe

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Mars 2026

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

Nogapendekin alfa inbakicept përfshihet në udhëzimet e NCCN për kancerin e fshikëzës pa invazion muskular (NMIBC) me formë papilare që nuk i përgjigjet trajtimit me BCG.

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 dializa peritoneale Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia PARP inhibitore pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide TNBC yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin