ASCO 2026: Të rejat nga konferenca më e madhe e kancerit në botë

Çdo vit komuniteti botëror i onkologjisë mblidhet në takimin vjetor të ASCO-s, në Chicago, ku prezantohen rezultatet më të reja të kërkimit shkencor në fushën e kancerit. Kongresi i vitit 2026 solli një sërë studimesh që përfaqësojnë hapa konkretë përpara: nga terapitë e targetuara për tumoret më të vështira për t’u trajtuar, deri te ndërhyrjet në stilin e jetesës që përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientëve dhe efeketet e trajtimit

Më poshtë gjeni një përmbledhje të dhjetë studimeve kryesore të prezantuara në ASCO 2026.

1. Kanceri i pankreasit: një tabletë e përditshme që zgjat jetën

Ndoshta lajmi më i madh i ASCO 2026, ku rezultatet u pritën me duartrokitje në këmbë nga salla erdhi nga studimi ndërkombëtar RASolute 302, i cili tregoi se një terapi e targetuar orale, e quajtur daraxonrasib, mund të frenojë rritjen e tumorit dhe të zgjasë mbijetesën e përgjithshme në pacientët me kancer të avancuar të pankreasit.

Kanceri i pankreasit është një nga kanceret më të vështirë për t’u trajtuar: rritet shpejt, u reziston trajtimeve tradicionale dhe rrallë jep simptoma të qarta përpara se të arrijë fazat e vona. Ndërsa trajtimet e zbuluara kanë dyfishuar mbijetesën për shumicën e tumoreve malinje gjatë dekadave të fundit, kanceri i pankreasit ka mbetur prapa.

Çelësi i këtij trajtimi të ri qëndron te biologjia tumorale. Më shumë se 9 në 10 tumore të pankreasit shkaktohen nga mutacione në një grup gjenesh të quajtura RAS, kryesisht gjeni KRAS. Për dekada të tëra, KRAS konsiderohej “i patrajtueshëm” , tani, më në fund, është gjetur mënyra për të ndërhyrë në këtë mekanizëm.

Në një studim me rreth 500 pacientë, daraxonrasib, një tabletë e përditshme e cila bllokon proteinat nxitëse të rritjes që prodhojnë gjenet RAS, rriti mbijetesën mesatare te pacientët me kancer pankreasi të avancuar dhe të trajtuar më parë nga 6,7 muaj në 13,2 muaj, pra pothuajse e dyfishoi atë. Për më tepër, mjekimi i ri shkaktoi më pak efekte anësore se kimioterapia.

Ekspertët i kanë cilësuar këto rezultate si “të paprecedenta” për një sëmundje kaq të vështirë. Hapi tjetër është aprovimi si standardi i ri i trajtimit të kancerit të avancuar të pankreasit.

2. Liposarkoma e dediferencuar: frenim i një kanceri agresiv të indeve të buta

Studimi SARC041 vlerësoi medikamentin abemaciclib te pacientët me liposarkomë të dediferencuar (DDLPS), një kancer i rrallë dhe agresiv i indeve të buta. Trajtimi arriti të ndalonte rritjen e tumorit dhe te disa pacientë edhe ta zvogëlonte atë, duke ofruar një opsion të ri për një sëmundje me alternativa shumë të kufizuara.

3. Kanceri i prostatës: parandalimi i rikthimit pas operacionit

Për burrat me kancer prostate me rrezik të lartë, studimi PROTEUS tregoi se shtimi i apalutamidit, një medikament që bllokon hormonet, terapisë standarde hormonale para dhe pas operacionit e bën heqjen kirurgjikale të prostatës dukshëm më efektive në parandalimin e përhapjes ose rikthimit të sëmundjes.

4. Kanceri i mushkërive RET-pozitiv: ulje e rrezikut të rikthimit

Pacientët me kancer të mushkërive (NSCLC) që mbartin një ndryshim specifik gjenetik të quajtur RET-pozitiv kanë tashmë një mundësi të re. Studimi LIBRETTO-432 zbuloi se marrja e barit selpercatinib pas trajtimit standard ul ndjeshëm mundësinë që kanceri të rikthehet, të rritet apo të përkeqësohet.

5. Kanceri skuamoz i avancuar i mushkërive: një bar “2-në-1”

Studimi HARMONi-6 testoi një medikament të ri të quajtur ivonescimab, i cili vepron si një armë e dyfishtë duke sulmuar tumorin nga dy drejtime njëkohësisht. Rezultatet treguan se pacientët me kancer skuamoz të avancuar të mushkërive jetuan më gjatë me këtë trajtim krahasuar me terapitë standarde.

6. Kanceri i gjirit dhe stili i jetesës: humbja e peshës përmirëson cilësinë e jetës

Pesha e tepërt mund ta bëjë trajtimin dhe rikuperimin nga kanceri më të vështirë. Studimi BWEL tregoi se një program i strukturuar për humbjen e peshës, i ofruar tërësisht përmes telefonit, i ndihmoi pacientet me kancer gjiri të përmirësonin shëndetin fizik, funksionimin e përditshëm dhe cilësinë e përgjithshme të jetës.

7. Kanceri i kokës dhe qafës: një “injeksion” me veprim të trefishtë

Studimi ndërkombëtar OrigAMI-4 mbi amivantamab tregoi potencialin e tij edhe për kancerin e avancuar të kokës dhe qafës. Mjekimi arriti të zvogëlonte ose të eliminonte tumorin te në mbi 40% të rasteve, ndërsa te rreth 15% nuk u dallua më asnjë shenjë e kancerit.

8. Kanceri i vezoreve: “fasting” gjatë kimioterapisë mund të përmirësojë përgjigjen ndaj trajtimit

Një studim i ri zbuloi se agjërimi afatshkurtër menjëherë para dhe pas seancave të kimioterapisë uli nivelet e insulinës te disa paciente me kancer të avancuar të vezoreve. Kjo rënie e insulinës duket se i bën qelizat kanceroze më të trajtueshme, duke e ndihmuar potencialisht kimioterapinë të veprojë më mirë. Theksojmë se kjo qasje duhet diskutuar gjithmonë me mjekun onkolog para se të aplikohet.

9. Barnat GLP-1: efekt i mundshëm mbrojtës ndaj përhapjes së kancerit

Studimet sugjerojnë se barnat GLP-1, klasa e medikamenteve të përdorura për diabetin dhe humbjen e peshës, mund të kenë edhe një efekt mbrojtës ndaj kancerit. Studimi vuri re se këto barna mund të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes dhe avancimit të tumoreve të mushkërive, gjirit, zorrës së trashë dhe mëlçisë. Këto janë ende të dhëna paraprake, por hapin një fushë premtuese kërkimi.

10. Mbijetesa pas kancerit: joga e lehtë kundër ankthit dhe lodhjes

Rikuperimi nuk mbaron kur përfundon trajtimi. Studimi YOCAS tregoi se praktikimi i rregullt i jogës së lehtë (si Hatha ose joga restauruese) redukton ndjeshëm ankthin, luhatjet e humorit dhe lodhjen e thellë që përjetojnë shumë të mbijetuar nga kanceri. Lehtësimi i këtyre simptomave ndihmoi gjithashtu në përmirësimin e gjumit te disa prej tyre.

Rezultatet e ASCO 2026 dëshmojnë se kujdesi ndaj kancerit po evoluon në disa drejtime njëkohësisht: terapi gjithnjë e më të personalizuara bazuar në profilin gjenetik të tumorit, mjete të reja për zbulimin e hershëm, dhe një vëmendje në rritje ndaj stilit të jetesës dhe cilësisë së jetës.

Për pacientët dhe familjet shqiptare, mesazhi kryesor është ky: shkenca po ecën përpara me ritme të shpejta, dhe shumë nga këto përparime do të bëhen gradualisht pjesë e praktikës klinike. Diskutoni gjithmonë me onkologun tuaj për opsionet më të përshtatshme për rastin tuaj specifik.

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Mars 2026

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

Nogapendekin alfa inbakicept përfshihet në udhëzimet e NCCN për kancerin e fshikëzës pa invazion muskular (NMIBC) me formë papilare që nuk i përgjigjet trajtimit me BCG.

Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer pankreasi Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide TNBC yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin