Në pacientet e diagnostikuara me kancer gjiri me receptorë hormonalë pozitivë (HR+), terapia endokrine me tamoksifen ose me një inhibitor të aromatazës (letrozole, anastrazole) rekomandohet si pjesë e planit të trajtimit.
Një pyetje shumë e zakonshme nga pacientët është: Sa kohë duhet të vazhdoj terapia endokrine?
Aktualisht, kohëzgjatja optimale e terapisë endokrine varion nga pesë deri në dhjetë vjet. Mirëpo, duke qenë se rikthimet e vonshme (edhe 20 vjet pas diagnozës) mund të ndodhin në kancerin e gjirit me receptorë hormonalë pozitivë, një kohëzgjatje më e gjatë e trajtimit mund të ulë më tej rrezikun e rikthimit, por me koston e më shumë efekteve anësore.
Më poshtë, do të shpjegojmë disa nga studimet kryesore që kanë vlerësuar përfitimin e zgjatjes së terapisë endokrine përtej 5 viteve. Kjo qasje është e vlefshme si për gratë para menopauzës ashtu edhe për ato pas menopauzës.
Studimi ATLAS
Studimi përfshiu 13,000 gra me kancer gjiri në stad të hershëm, të cilat kishin përfunduar 5 vite trajtim me tamoksifen, të cilat u ndanë në dy grope:
- Grupi 1: tamoksifen deri në 10 vite
- Grupi 2: ndërprerje e tamoksifenit pas 5 viteve.
Vazhdimi i trajtimit deri në 10 vite uli si rrezikun e rikthimit të sëmundjes, ashtu si edhe rrezikun e vdekjes nga kanceri i gjirit.
- Rreziku i rikthimit gjatë viteve 5–14 ishte 21.4% tek gratë që vazhduan trajtimin, krahasuar me 25.1% tek ato që e ndërprenë (ulje absolute e rikthimit: 3.7%).
- Nuk u vu re një rritje “rebound” e rikthimeve pas ndërprerjes së tamoksifenit.
- Vdekshmëria nga kanceri i gjirit gjatë viteve 5–14 ishte 12.2% tek gratë që vazhduan trajtimin, krahasuar me 15.0% tek ato që e ndërprenë (ulje absolute e vdekshmërisë: 2.8%).
- Rreziku i kancerit të mitrës gjatë viteve 5–14 ishte 3.1% tek gratë që vazhduan trajtimin deri në 10 vite, krahasuar me 1.6% tek ato që e ndërprenë pas 5 viteve.
Studimi aTTom
Një studim i ngjashëm me ATLAS, ka treguar se zgjatja e trajtimit me tamoksifen deri në 10 vite ul rrezikun e rikthimit të sëmundjes nga viti i 7-të e më tej, si dhe ul rrezikun e vdekjes nga kanceri i gjirit.
Vlen të theksohet se ky studim është prezantuar vetëm në formë abstrakti dhe nuk është publikuar kurrë zyrtarisht si një artikull i plotë shkencor.
Studimi NSABP B-14
Ky studim nuk tregoi përfitim nga zgjatja e terapisë endokrine me tamoksifen përtej 5 viteve trajtim.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ky është një studim i vitit 2001 dhe që ka përfshirë vetëm paciente me limfonoduj aksilarë negativë (N0), një popullatë që konsiderohet me rrezik më të ulët krahasuar me pacientet me metastaza në limfonodujt regionalë.
Studimi NCIC CTG MA.17
Në këtë studim u vlerësua përdorimi i 5 viteve letrozole pas përfundimit të 5 viteve tamoksifen tek mbi 5,000 gra postmenopauzante.
Rezultatet treguan se vazhdimi me letrozole uli rrezikun e rikthimit, të një kanceri të ri të gjirit ose të vdekjes nga kanceri i gjirit.
- Mbijetesa pa sëmundje (disease-free survival) ishte 93% tek gratë që vazhduan me letrozole, krahasuar me 87% tek grupi kontroll.
- Ky përfitim u pa si tek pacientet me limfonoduj pozitivë, ashtu edhe tek ato me limfonoduj negativë.
Një analizë e mëvonshme tregoi se përfitimi ishte edhe më i madh tek gratë që kishin qenë premenopauzante në momentin e diagnozës.
Studimi MA.17R
Ky studim vlerësoi zgjatjen e trajtimit me inhibitorë të aromatazës (AI) deri në 10 vite terapi totale. Shumica e pacienteve kishin marrë më parë 5 vite tamoksifen, duke e çuar kohëzgjatjen totale të terapisë endokrine për shumë prej tyre deri në 15 vite.
Rezultatet treguan se:
- Pacientet që vazhduan me AI patën një përmirësim prej 4% në mbijetesën pa sëmundje (DFS nga 91% në 95%, pra përqindja e pacienteve pa rikthim apo pa një kancer të ri të gjirit).
- Nuk u vu re përmirësim në mbijetesën e përgjithshme (OS).
Siç pritej, grupi që vazhdoi me inhibitorë të aromatazës pati incidencë më të lartë të:
- dhimbjeve kockore
- frakturave
- dhe osteoporozës
Pra, vendimi për të vazhduar më gjatë me terapi endokrine është i bazuar plotësisht në riskun individual për çdo paciente dhe në cilësinë e jetës gjatë trajtimit.
Në kontekstin e ri të trajtimit adjuvant të kancerit të gjirit HR+, me shtimin e CDK4/6 inhibitorëve dhe PARP inhibitorëve, ka ende shumë pikëpyetje të pazgjidhura rreth ndikimit të vazhdimit të terapisë endokrine përtej 5 viteve.
Aktualisht janë në zhvillim studime me SERD (degradues selektivë të receptorit të estrogjenit), të cilat do të vlerësojnë terapinë endokrine të zgjatur dhe zgjatjen e OFS (frenimit ovarian), dhe pritet që këto studime të na japin disa përgjigje të rëndësishme në vitet në vazhdim.
Së fundmi, një studim i publikuar nga Valenza C et al. në Journal of Clinical Oncology në janar 2026, adresoi një nga pyetjet më të rëndësishme në praktikën klinike aktuale: çfarë duhet bërë pas 5 viteve terapi OFS (Lupron ose Zoladex) tek pacientet premenopauzante me sëmundje HR+ dhe limfonoduj pozitivë (një popullatë me rrezik të lartë rikthimi të sëmundjes).
Në këtë studim, pacientet u ndanë në dy grupe: ato që vazhduan terapi endokrine përtej 5 viteve dhe ato që e ndërprenë trajtimin pas 5 viteve.
Rezultatet e studimit treguan se gratë që vazhduan terapinë endokrine përtej 5 viteve patën më pak rikthime të sëmundjes. Në total, u vu re një ulje relative prej 37% e rrezikut të rikthimit dhe një ulje prej 51% e metastazave në distancë.
Pesë vite pas përfundimit të trajtimit fillestar, 85% e grave që vazhduan terapinë ishin pa sëmundje invazive, kundrejt 78% të atyre që e ndërprenë. Përfitimi ishte më i dukshëm tek pacientet me rrezik më të lartë (tumore më të mëdha, më shumë limfonoduj pozitivë).

Frakturat kockore dhe eventet kardiake ishin të rralla në të dy grupet (rreth 1%). Megjithatë, studimi nuk arriti të dokumentojë në mënyrë të plotë të gjitha efektet anësore afatgjata, si afshet e të nxehtit, ndryshimet e humorit, problemet me shëndetin seksual, ndikimin në densitetin kockor dhe cilësinë e përgjithshme të jetës. Ndaj nevojitet ndjekje më afatgjatë për të kuptuar plotësisht këto rreziqe.







Lini një Përgjigje