Ndoshta e ke pritur që një diagnozë kanceri të përmbysë gjithçka. Dhe edhe pse jeta seksuale mund të mos jetë gjëja e parë që të vjen në mendje, me shumë gjasë, herët a vonë, ajo do të bëhet pjesë e shqetësimeve të tua.
Kur përjetojmë shqetësim emocional ose fizik, shëndeti seksual shpesh lihet mënjanë, por ruajtja e intimitetit tek pacientët me kancer mund të ndihmojë në uljen e ndjenjës së izolimit, të sjellë ndjesi mirëqenieje me anë të çlirimit të endorfinave dhe të ketë edhe një efekt lehtësues ndaj dhimbjes.
Si ndikon kanceri në shëndetin seksual dhe intimitet?
Kanceri mund të ndikojë si në dëshirën seksuale, ashtu edhe në aftësinë fizike për të kryer marrëdhënie seksuale. Këto dy aspekte nuk janë gjithmonë të lidhura mes tyre: ndonjëherë trupi është i aftë, por dëshira mungon; herë të tjera dëshira ekziston, por trupi nuk përgjigjet si më parë.
Në jetën e përditshme, secili prej nesh ka disa “nxitës” që na ndihmojnë të ndihemi seksualisht të stimuluar. Këta nxitës mund të jenë emocionalë (si ndjenja e afërsisë me partnerin, intimiteti, siguria), psikologjikë (vetëbesimi, ndjenja e të qenit i/e dëshirueshëm/e) ose fizikë (energjia, hormonet, ndjeshmëria e trupit).
Kur përballemi me kancerin, këta nxitës mund të dobësohen ose të ndërpriten. Stresi i diagnozës, frika për të ardhmen, lodhja, dhimbja, efektet anësore të trajtimit apo ndryshimet në trup mund ta bëjnë shumë të vështirë të ndihesh “në humor” për seks, edhe nëse dëshira ka qenë e fortë më parë.
Përveç humbjes së nxitësve, shumë persona vendosin, shpesh pa e kuptuar, edhe “frena” ndaj seksualitetit. Këto frena janë mekanizma mbrojtës të trupit dhe mendjes, që synojnë të na ruajnë kur ndihemi të lënduar ose të pasigurt.
Frenat mund të jenë mendore: për shembull, kur një person nuk ndihet më sensual për shkak të humbjes së flokëve, ndryshimeve në trup, plagëve kirurgjikale apo mungesës së gjinjve. Mendime si “nuk jam më i/e dëshirueshëm/e” ose “trupi im nuk është më si më parë” mund ta bllokojnë dëshirën seksuale, edhe nëse partneri vazhdon të ndiejë tërheqje dhe dashuri.
Frenat mund të jenë edhe fizike. Disa trajtime të kancerit ndikojnë drejtpërdrejt në hormonet seksuale. Për shembull, ulja e nivelit të testosteronit mund ta bëjë më të vështirë arritjen ose mbajtjen e ereksionit, ndërsa ndryshimet hormonale tek gratë mund të çojnë në tharje vaginale, dhimbje gjatë marrëdhënieve ose ulje të dëshirës seksuale (libido). Lodhja e vazhdueshme dhe dhimbja fizike janë gjithashtu “frena” shumë të forta për seksualitetin.
Është e rëndësishme të kuptohet se këto pengesa janë të ndryshme për secilin person. Nuk ka një përvojë “standarde” të seksualitetit gjatë kancerit. Ajo që është e vështirë për dikë, mund të mos jetë për një tjetër.
Hapi i parë drejt përmirësimit është identifikimi i këtyre nxitësve dhe frenave. Kur i njeh më mirë, bëhet më e lehtë të gjesh mënyra për t’u përshtatur, për të komunikuar me partnerin dhe për të ndërtuar forma të reja intimiteti që respektojnë trupin dhe ritmin tënd aktual.
Problemi kryesor: heshtja
Një nga arsyet kryesore pse vështirësitë seksuale tek pacientët me kancer vazhdojnë për muaj apo edhe vite pas diagnozës nuk është mungesa e trajtimeve apo e mundësive, por heshtja. Një heshtje e ndërtuar nga frika, turpi, keqkuptimet dhe mungesa e informacionit.
Shumë pacientë arrijnë në përfundimin se është “normale” të heqin dorë nga jeta seksuale pas kancerit. Kjo ide nuk lind nga përvoja personale, por nga një perceptim i përhapur shoqëror se seksualiteti është i dorës së dytë përballë mbijetesës. Si pasojë, dëshira për intimitet shtypet, jo sepse nuk ekziston, por sepse shihet si diçka egoiste, e papërshtatshme ose e parëndësishme në krahasim me sëmundjen.
Një arsye tjetër e fuqishme e heshtjes është turpi për të folur me mjekun. Shumë pacientë mendojnë se çështjet seksuale nuk janë pjesë e “problemit mjekësor”, ose ndihen në siklet të përmendin simptoma si dhimbja gjatë marrëdhënieve, mungesa e dëshirës apo disfunksioni erektil. Në realitet, këto janë efekte anësore po aq reale sa lodhja apo të përzierat por shpesh mbeten të patrajtuara, thjesht sepse nuk përmenden.
Heshtja shtrihet edhe brenda çiftit. Pacientët shpesh druhen se po e shqetësojnë partnerin, ose se po i shtojnë një barrë tjetër emocionale. Disa kanë frikë se partneri nuk do t’i dëshirojë më, të tjerë se do të lëndojnë ndjenjat e tij/saj duke refuzuar afrimin fizik. Kështu, të dy palët heshtin, duke supozuar se po mbrojnë njëri-tjetrin, ndërkohë që distanca emocionale rritet gradualisht.
Një tjetër bindje e përhapur është ideja se “nuk ka zgjidhje”. Shumë pacientë besojnë se ndryshimet seksuale janë të pakthyeshme dhe se duhet thjesht të pranohen. Kjo ndjenjë dorëzimi shpesh lind nga mungesa e informacionit dhe nga mungesa e shembujve që flasin hapur për rikthimin e intimitetit pas kancerit.
Në fakt, mungesa e informacionit është shpesh pengesa më e madhe. Kur pacientët nuk informohen se këto vështirësi janë të zakonshme, të shpjegueshme dhe shpesh të trajtueshme, ata i përjetojnë si dështime personale. Heshtja i izolon, i bën të ndihen vetëm në përvojën e tyre dhe vonon kërkimin e ndihmës.
Thyerja e kësaj heshtjeje, qoftë me mjekun, me partnerin apo me veten është shpesh hapi i parë dhe më i rëndësishëm drejt zgjidhjes. Vetëm kur flitet hapur, seksualiteti mund të rikthehet nga një temë e ndaluar e taboo në një pjesë të integruar të kujdesit dhe të mirëqenies pas kancerit.
Kanceri mund ta ndryshojë jetën seksuale, por nuk e eliminon atë. Humbja e dëshirës, dhimbja apo vështirësitë fizike janë pasoja të një procesi të rëndë biologjik dhe emocional.
Zgjidhja nuk qëndron në presionin për “t’u kthyer si më parë”, por në ndërtimin e një normaliteti të ri, ku intimiteti, kënaqësia dhe lidhja emocionale gjejnë forma të reja shprehjeje.
Dhe mbi të gjitha: askush nuk duhet ta përjetojë këtë në heshtje.







Lini një Përgjigje