Testikujt, organet mashkullore seksuale që ndodhen në skrotum, prodhojnë testosteronin dhe depozitojnë spermën. Si çdo pjesë tjetër e trupit edhe testikujt mund të zhvillojnë një kancer, i cili më shpesh ndodh në burrat e moshës 15-35 vjeçare. Vetëm 8% të rasteve ndodhin pas moshës 55 vjeç. Kanceri testikular është i trajtueshëm edhe nëse përhapet në organet e tjera të trupit.
Cilët janë llojet e kancerit testikular?
Shumica e llojeve të kancerit testikular fillojnë në qelizat germinale, të cilat prodhojnë spermën. Janë dy lloje kryesore të tumoreve testikulare: seminoma dhe tumoret jo-seminomatoze
Cilat janë simptomat e kancerit testikular?
Simptomat më të shpeshta të kancerit testikular janë ënjtje ose një nodus në testikuj që zakonisht nuk është i dhimbshëm. Simptoma të tjera mund të jenë:
- Ndryshim në përmbajtje ose formë të testikulit
- Ndjesi rëndesë në skrotum
- Dhimbje ose discomfort në testikuj, skrotum ose ne fund të barkut
- Akumulim i likuidit në skrotum
Në rastet kur sëmundja është në stad më të avancuar simptomat mund të jenë:
- Dhimbje mesi
- Vështirësi në frymëmarrje në rast të prekjes së mushkërisë
- Dhimbje barku në rast të prekjes së mëlçisë
- Dhimbje koke dhe konfuzion në rast të prekjes së trurit
Çfarë e rrit riskun për zhvillim të kancerit testikular?
- Mosha nga 15 deri në 35 vjeç janë më shumë të predispozuar
- Probleme të zhvillimit të testikujve
- Burrat që kanë patur problem me zbritjen e testikujve (cryptorchidism) në skrotum janë më shumë të predispozuar
- Historia familjare me kancer testikular
Si diagnostikohet kanceri testikular?
Kanceri testikular zakonisht vihet re nga vet burrat gjatë prekjes së testikujve. Rreth 30-40% e pacientëve ankohen për dhimbje ose ndjesi rëndese në fund të barkut, në zonën perianale ose skrotum. Ndërsa dhimbjet akute janë prezente në 10% të pacientëve. Një tjetër simptomë që mund të shfaqet në rreth 5% të personave me kancer testikular është gjinekomastia.
Përvec ekzaminimit obiektiv, ekzaminimet që ndihmojnë në diagnostikimin e kancerit testikular janë eko e skrotumit, ekzaminime radiografike, matje e markuesve tumoralë, orkiektomia radikale dhe në disa raste diseksioni i limfonodujve retroperitonenalë (RPLND). Biopsia testikulare nuk preferohet për shkak të frikës së përhapjes së qelizave malinje në qesen skrotale ose në limfonodujt inguinalë.
Duke qenë se shumica e pacientëve janë të rinj, një rëndësi e vecantë duhet të tregohet për metodat e ruajtjes së fertilitetit.
Si stadifikohet kanceri testikular?
Nëse jeni diagnostikuar më kancer të testikulit, janë të nevojshme ekzaminime të tjera imazherike për të parë shkallën e përhapjes së sëmundjes. Këto ekzaminime përfshijnë:
- CT skaner i pulmonit, abdomenit dhe pelvisit
- Eko e skrotumit bilaterale
- Në disa raste mund të rekomandohet një MRI pelvike ose MRI e kokës nëse dyshohet për metastaza cerebrale.
- PET-CT është me pwrdorim të kufizuar në stadifikimin fillestar të kancerit testikular. Rekomandohet më shumë në vlerësimin e masave reziduale pas trajtimit.
- Markuesit tumoralë: alfa-fetoproteina (AFP), beta-hCG dhe LDH. AFP dhe b-hCG janë të rritura në rreth 80-85% të pacientëve me kancer testikular, edhe nëse nuk ka metastaza. Ndërsa, b-hCG është e rritur në më pak se 20% të seminomave testikulare dhe AFP nuk rritet në “pure seminoma”. Megjithatë, as b-hCG dhe as AFP nuk janë mjaftueshëm sensitive ose specifike për të përcaktuar diagnozën e kancerit testikular në mungesë të konfirmimit histologjik.
Cilat janë stadet e sëmundjes?

Stadi 0: Kanceri është i kufizuar në tubat e vegjël të quajtur tuba seminiferë që gjenden brenda testikujve.
Stadi I: Tumori mund të jetë përhapur përtej testikujve në strukturat përreth, por nuk ka prekje të limfonodujve ose të organeve më të largëta.
Stadi II: Tumori është përhapur në limfonoduj.
Stadi III: Tumori është i përhapur në organe të tjera si mushkëria, mëlçia, kockat ose truri.
Si trajtohet kanceri testikular?
Kirurgjia
Zakonisht, kirurgjia për heqjen e testikulit kryhet pavarësisht stadit të sëmundjes. Për stade II dhe II, përveç testikujve mund të hiqen edhe disa limfonoduj për të kontrolluar për përhapje të sëmundjes. Për stadet e hershme të sëmundjes, kirugjia mund të jetë e mjaftueshme për trajtimin e sëmundjes. Më pas kryhen kontrolle periodike me ekzaminime imazherike në vitet e para pas kirugjisë.
Kimioterapia dhe rrezatimi
Në stade më të avancuara të sëmundjes mund të jetë e nevojshme kimioterapia dhe/ose rrezatimi. Për seminomat mund të rekomandohet rrezatimi ose kimioterapia, ndërsa për tumoret jo-seminomatoze preferohet kimioterapia. Të dy këto modalitete trajtimi mund të shkaktojnë infertilitet, ndaj nëse pacienti dëshiron të ketë fëmijë në të ardhmen duhet të diskutohet mundësia për ruajtjen e spermës.
Si bëhet vet-ekazaminimi i testikujve?

Kryeni ekzaminimin pas dushit, kur skrotumi është në gjendje të relaksuar
1. Qëndroni para pasqyrës për të vënë re ënjtje të mundshme të skrotumit
3. Prekni testikujt për të kontrolluar për praninë e noduseve, ënjtjes ose ndryshimeve të përmbajtjes







Lini një Përgjigje