3D medical illustration of a pancreatic tumor in the pancreas located beneath the stomach

Çdo vit, kongresi i ASCO (American Society of Clinical Oncology) sjell qindra studime të reja, por rrallë ndodh që një rezultat të marrë duartrokitje në këmbë nga e gjithë salla. Në ASCO 2026, kjo ndodhi për kancerin e pankreasit, një nga sëmundjet onkologjike më të vështira për t’u trajtuar.

Lajmi erdhi nga studimi ndërkombëtar RASolute 302, i cili tregoi se një terapi e targetuar orale, e quajtur daraxonrasib, mund të frenojë rritjen e tumorit dhe të zgjasë mbijetesën e përgjithshme te pacientët me kancer të avancuar të pankreasit. Për një sëmundje që prej dekadash nuk ka njohur përparime të rëndësishme, ky është një lajm i pritur prej kohësh.

Pse kanceri i pankreasit është i vështirë për trajtim

Kanceri i pankreasit njihet si një nga tumoret më agresivë në onkologji. Ai rritet shpejt, përhapet herët në organe të tjera dhe shpesh nuk jep simptoma të qarta përpara se të arrijë në faza të avancuara. Në Shqipëri, 290 persona humbasin jetë çdo vit nga kjo sëmundje.

Pjesa më e madhe e tumoreve pankreatike lindin në qelizat ekzokrine të organit, ato që kanë rol të rëndësishëm në tretje, dhe shpesh rriten në mënyrë “të heshtur” përpara se të zbulohen, kur tashmë janë përhapur gjerësisht. Në atë fazë, mbijetesa mesatare ka qenë historikisht më pak se një vit.

Ndërsa në dekadat e fundit mbijetesa për shumicën e tumoreve malinje është dyfishuar falë imunoterapisë dhe terapive të targetuara, kanceri i pankreasit ka mbetur prapa.

Çelësi: gjeni “i patrajtueshëm” KRAS

Përgjigja për këtë mbetje pas duhet kërkuar te biologjia e vetë tumorit. Më shumë se 9 në 10 raste të kancerit të pankreasit shkaktohen nga mutacione në një grup gjenesh të quajtur RAS, dhe kryesisht në gjenin KRAS. Ky gjen kodon një proteinë që funksionon si një “çelës ndezje” për rritjen dhe ndarjen e qelizave. Kur pëson mutacion, çelësi mbetet i ndezur përgjithmonë, duke i dhënë qelizës tumorale sinjal të pandërprerë për t’u replikuar.

Problemi është se forma e proteinës KRAS e bën atë jashtëzakonisht të vështirë për t’u sulmuar nga terapi të targetuara, për këtë arsye, për më shumë se tre dekada, KRAS konsiderohej një objektiv i patrajtueshëm (“undruggable”). Shumë përpjekje kishin dështuar. Tani, për herë të parë, duket se është gjetur një rrugë reale për të ndërhyrë në këtë mekanizëm.

Si funksionon daraxonrasib

Risia e daraxonrasib qëndron pikërisht këtu: në vend që të synojë drejtpërdrejt vendin “e fortifikuar” të proteinës KRAS, molekula lidh proteinën RAS me një proteinë “shoqëruese” (chaperone), duke ndikuar kështu te proteinat KRAS me cilëndo nga shtatë mutacionet kryesore të njohura si shkaktare të kancerit. Kjo e bën daraxonrasib një frenues “pan-RAS”, domethënë përfaqësuesin e parë të një klase të re medikamentesh.

Çfarë tregoi studimi RASolute 302

RASolute 302 është një studim ndërkombëtar me rreth 500 pacientë të diagnostikuar me kancer të avancuar të pankreasit, të cilët kishin marrë tashmë të paktën një linjë trajtimi më parë. Pjesëmarrësve iu dha daraxonrasib, një mjekim oral që merret si tabletë e përditshme dhe që bllokon proteinat nxitëse të rritjes të prodhuara nga gjenet RAS.

Rezultatet:

  • Mbijetesa e përgjithshme u rrit nga 6,7 muaj (me trajtimet standarde) në 13,2 muaj me daraxonrasib – pra pothuajse u dyfishua.
  • Mjekimi tregoi efikasitet në frenimin e rritjes së tumorit, duke zgjatur kohën pa progres të sëmundjes.
  • Profili i tolerancës ishte më i favorshëm: pacientët raportuan më pak efekte anësore krahasuar me kimioterapinë klasike, gjë që ka rëndësi të madhe për cilësinë e jetës, sidomos në një sëmundje që shpesh trajtohet në faza paliative.

Çfarë ndryshon për pacientët

Është e rëndësishme të theksohet se daraxonrasib nuk është një “ilaç mrekullibërës” dhe nuk ofron shërim për kancerin e pankreasit të avancuar. Ai mbetet një trajtim për sëmundjen metastatike, jo një kurë definitive, dhe siç ndodh me çdo terapi të targetuar, efikasiteti i tij varet nga prania e mutacioneve specifike RAS te pacienti, çka do të kërkojë teste molekulare paraprake për të identifikuar kandidatët e përshtatshëm.

Sidoqoftë, fakti që një tumor i konsideruar prej dekadash “i patrajtueshëm” në nivel molekular tani ka një opsion terapeutik oral, të marrë në shtëpi, me efekte anësore më të menaxhueshme se kimioterapia, përbën një ndryshim cilësor në mënyrën si do të trajtohet kjo sëmundje në vitet e ardhshme.

Daraxonrasib po testohet paralelisht edhe si trajtim i linjës së parë (në vend të kimioterapisë) dhe në kombinim me kimioterapinë standarde, si dhe për tumore solide të tjera përtej pankreasit.

Hapi tjetër

Aktualisht, hapi që pritet të vijojë është aprovimi rregullator i daraxonrasib si standard i ri trajtimi për kancerin e avancuar të pankreasit me mutacione RAS. Do të jetë hera e parë në historinë e onkologjisë që një terapi e targetuar KRAS hyn në praktikën klinike standarde për këtë sëmundje, një moment që shumë onkologë e konsiderojnë si fillimin e një kapitulli të ri në trajtimin e kancerit të pankreasit.

Për pacientët dhe familjet që përballen me këtë diagnozë, lajmi nga ASCO 2026 është shenja e parë konkrete pas vitesh frustrimi se shkenca po gjen, më në fund, mënyrën për t’u përballur me një nga tumoret më të rrezikshëm te njeriu.

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Mars 2026

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

Nogapendekin alfa inbakicept përfshihet në udhëzimet e NCCN për kancerin e fshikëzës pa invazion muskular (NMIBC) me formë papilare që nuk i përgjigjet trajtimit me BCG.

Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer pankreasi Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide TNBC yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin