Paracetamoli është medikamenti që thuajse të gjithë e kemi në shtëpi. E përdorim për dhimbjet apo temperaturën. Ka shumë vite në përdorim dhe ka treguar se është një ilaç i sigurt dhe efektiv.
Megjithatë, nëse merret në doza të larta, paracetamoli mund të jetë toksik dhe të shkaktojë gjendje shëndetësore jetë-kërcënuese. Zakonisht, doza maksimale e rekomanduar për 24 orë është 3 gram.
Paracetamolin e gjejme me shumë emra të ndryshëm tregëtarë, si Takipirina, Deponi, Tylenoli, Tylol-Hot, etj. Ndaj është e rëndësishme të shihni cfarë ka në përbërjen e medikamenteve që merrni për të shmangur mbidozimin ose ndërveprimin me barna të tjera.
Paracetamoli i mbidozuar mund të dëmtojë rëndë mëlçinë, në disa raste deri në nevojën e një transplanti të mëlçisë për të shpëtuar jetën.
Antidoti për mbidozimin e paracetamolit është N-acetylcysteina (NAC). NAC është më efektive nëse jepet deri në 8 orë nga marrja e paracetamolit. Antidoti mund të parandalojë insufiçencën hepatike nëse jepet në kohë, ndaj është absolutisht e nevojshme që helmimi nga paracetamoli të diagnostikohet në kohë për ta tratjuar siç duhet.
Si shkaktohet helmimi nga paracetamoli?
Helmimi nga paracetamoli ndodh si pasojë e dëmtimit të mëlçisë. Paracetamoli metabolizohet në mëlçi, ndaj mbidozimi ndikon në funksionin normal të këtij organi.
Në rastet kur mëlçia është e dëmtuar për shkak të infeksioneve, abuzimit ndaj alkoolit ose sëmundjeve të tjera, mundësia për t`u dëmuar nga mbidozimi i paracetamolit është edhe më e lartë. Për këtë arsye, personat që kanë sëmundje të mëlçisë ose që konsumojnë sasi të madhe alkooli duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm me përdorimin e paracetamolit.
Cilat janë simptomat e helmimit?
Simptomat si pasojë e mbidozimit të paracetamolit mund të shfaqen 24 orë pas marrjes së ilaçit. Ato mund të jenë:
- Nauze
- Të vjella
- Mungesë oreksi
- Dhimbje barku
- Konfuzion
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Duhet të kërkoni ndihmë mjekësore nëse dyshoni se keni bërë mbidozim të paracetamolit. Është e rëndësishme që të trajtoheni para shfaqjes së simptomave, në mënyrë që efekti i trajtimit të jetë më i mirë.
Si trajtohet helmimi nga paracetamoli?
Trajtimi varet nga gjendja e pacientit dhe medikamentet e tjera që mund të ketë marrë. Megjithatë, nëse dyshohet për intoksikim nga paracetamoli trajtimet që mund të aplikohen janë si më poshtë:
Zbrazja ose lavazhi i stomakut. Në rastet kur pacienti paraqitet në spital pak minuta pas marrjes së paracetamolit, mund të tentohet zbrazja e stomakut me anë të një tubi që depërton nga goja në stomak.
Karboni aktiv. Mund të jepet karbon aktiv nga goja nëse nuk kanë kaluar 4 orë nga mbidozimi.
N-acetylcysteine (NAC). Antidoti për mbidozimin nga paracetamoli është NAC. Zakonisht jepet nga goja. Nëse nuk është e mundur të merret nga goja, mund të aplikohet me anë të një tubi të drejtuar në stomak. Në rast se asnjë nga metodat nuk është e mundur, mund të administrohet intravenoz (IV). NAC duhet të jepët deri në 8 orë nga mbidozimi dhe aplikohet për 20 deri në 72 orë.







Lini një koment