Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual - po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

Një studim i madh me më shumë se 45,000 gra tregoi se përcaktimi i shpeshtësisë së mamografisë bazuar në riskun individual për të zhvilluar kancer gjiri është po aq efektiv sa rekomandimi aktual vjetor “njësoj për të gjitha”.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë. Aktualisht rekomandohet që gratë me risk mesatar për të zhvilluar sëmundjen, të kryejnë mamografi çdo vit që nga mosha 40 vjeç. Por prej vitesh, pyetja që si mjekët dhe pacientët shtrojnë është: A duhet që të gjitha gratë të kontrollohen njësoj, apo duhet të përshtaten intervalet e kontrollit sipas rrezikut individual?

Një studim i madh, me rreth 46,000 gra të moshës 40–74 vjeç, zbuloi se qasja e personalizuar, e bazuar në faktorët individualë të riskut, funksionon po aq mirë sa kontrolli vjetor standard në zbulimin e tumoreve.

Si funksionoi studimi?

Studiuesit i ndanë gratë në mënyrë rastësore në dy grupe:

  • 14,212 gra në grupin e kontrollit sipas riskut të tyre personal.
  • 14,160 gra vazhduan me mamografi vjetore si zakonisht.

Një pjesë tjetër e pjesëmarrëseve që nuk pranuan të caktoheshin rastësisht zgjodhën vetë metodën e tyre të depistimit, 89% preferuan qasjen e bazuar në rrezik.

Si u vlerësua risku personal?

Çdo grua që u përfshi në modelin e personalizuar iu nënshtrua një vlerësimi risku që përfshinte:

  • testim gjenetik (për mutacione në BRCA1/2 dhe gjene të tjera predispozuese),
  • moshën,
  • historinë personale dhe familjare shëndetësore,
  • stilin e jetesës,
  • densitetin e gjirit,
  • faktorë riprodhues si numri i fëmijëve dhe mosha e menarkes.

Në bazë të këtij vlerësimi, gratë u ndanë në katër kategori risku:

  1. Risk shumë i ulët – për të cilat u rekomandua fillimi i mamografisë në moshën 50 vjeç.
  2. Risk mesatar (62% e grave) – kontrolli me mamografi çdo 2 vjet, nga mosha 40 vjeç.
  3. Risk i lartë (8%) – kontroll çdo vit me mamografi, nga mosha 40 vjeç.
  4. Rrezik shumë i lartë (2%) – kontroll çdo 6 muaj, me alternim të mamografisë dhe rezonancës magnetike (MRI).

Çfarë treguan rezultatet?

Studimi, i quajtur WISDOM, u publikua në JAMA dhe u prezantua në Simpoziumin e San Antonios për Kancerin e Gjirit.

  • Depistimi i bazuar në riskun individual zbuloi po aq shumë tumore sa skema vjetore.
  • Surprizuese ishte fakti që u zbuluan më pak raste në fazë më të avancuar, por diferenca nuk ishte statistikisht e rëndësishme.
  • Megjithate, pavarësisht se disa gra bënë më pak mamografi, numri i biopsive mbeti po i njëjtë në të dy grupet.

Pse është i rëndësishëm testimi gjenetik?

Studimi ofroi testim gjenetik për të gjitha gratë që u përfshinë në grupin me ndjekje të personalizuar, pavarësisht historisë familjare. Një gjetje e rëndësishme ishte se 30% e grave që rezultuan pozitive për mutacione që rrisin rrezikun për kancer gjiri, nuk kishin histori familjare të kancerit të gjirit.

Sipas protokolleve aktuale, këto gra nuk do të testoheshin për mutacione dhe rreziku i tyre do të mbetej i panjohur.

Studimi na bën të reflektojmë se historia familjare nuk është mënyra e duhur për të vendosur se kush ka nevojë për më shumë kontroll për kancerin e gjirit.

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Mars 2026

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

Nogapendekin alfa inbakicept përfshihet në udhëzimet e NCCN për kancerin e fshikëzës pa invazion muskular (NMIBC) me formë papilare që nuk i përgjigjet trajtimit me BCG.

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 dializa peritoneale Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia PARP inhibitore pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide TNBC yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin