Për shumë gra dhe burra që përballen me trajtimin e kancerit, fjala “kimioterapi” nuk ngjall vetëm frikën e efekteve anësore fizike, por edhe ankthin e humbjes së flokëve. Flokët janë më shumë se një pjesë e pamjes së jashtme, janë një shenjë e identitetit, kujtesë e vetvetes dhe e jetës përpara diagnozës. Edhe në ditët më të vështira, ato mbeten një mënyrë për të thënë: “Unë jam ende unë.”
Dhe ndërsa mjekësia avancon çdo ditë me terapi të reja, për shumë pacientë, ruajtja e flokëve nuk është thjesht ruajtje e pamjes, por ruajtje e dinjitetit dhe forcës së brendshme
Në këtë kontekst, teknologjia e Paxman Scalp Cooling përfaqëson një nga arritjet më njerëzore të onkologjisë moderne: një sistem i dizenjuar për të parandaluar një nga efektet më të dukshme të kimioterapisë, pa ndikuar në efikasitetin e saj kundër kancerit.
Si funksionon Paxman Scalp Cooling?
Sistemi Paxman Scalp Cooling përbëhet nga një njësi qendrore ftohëse dhe një kapuç silikoni, e cila puthitet ngushtë në kokën e pacientit. Përmes një qarku të mbyllur, lëngu ftohës qarkullon në kapuç dhe ul temperaturën e skalpit së kokës në rreth 18–22°C.
Kjo ulje e kontrolluar e temperaturës:
- Ngushton enët e gjakut në skalpin e kokës (efekti i vazokonstriksionit),
- Redukton fluksin e gjakut që mbart barnat citotoksike drejt folikujve të flokëve,
- Ngadalëson metabolizmin qelizor të folikujve të flokëve, duke i bërë më pak të ndjeshme ndaj dëmitimit nga kimioterapia.
Në këtë mënyrë, më pak molekula të kimioterapisë arrijnë tek rrënjët e flokëve dhe më shumë flokë mbeten të paprekura nga dëmtimi.
Historia e familjes Paxman
Shpesh, inovacionet më domethënëse në mjekësi lindin nga dhimbja personale. Historia e sistemit Paxman në fakt fillon në një familje britanike.
Në vitet 1990, Glenn Paxman pa të shoqen e tij, Sue, të përballej me kancerin e gjirit dhe efektet e kimioterapisë. Humbja e flokëve e tronditi thellësisht, dhe Glenn, inxhinier frigoriferësh, u impenjua të gjente një mënyrë për ta parandaluar këtë. Nga ato ditë të vështira, lindi ideja për të ftohur skalpin gjatë kimioterapisë dhe pas vitesh hulumtime, Paxman Scalp Cooling System u bë realitet.
Sot, kompania mbetet në pronësi familjare, me bazë në Huddersfield, Angli, dhe pajisjet e saj përdoren në mbi 60 vende nëpër botë, përfshirë edhe në Shqipëri.
Çfarë ndodh gjatë trajtimit?
Procesi është i thjeshtë, por kërkon përgatitje dhe durim.
- Para fillimit të kimioterapisë
Pacientit i vendoset kapuçi ftohës, i cili puthitet ngushtë me kokën për të siguruar kontakt të mirë me skalpin. Pajisja ndizet 30 minuta përpara infuzionit për të arritur temperaturën optimale. - Gjatë infuzionit të kimioterapisë
Pajisja funksionon vazhdimisht gjatë aplikimit të terapisë. Lëngu ftohës qarkullon në mënyrë të qëndrueshme, duke mbajtur temperaturën e kontrolluar në mënyrë automatike. - Pas përfundimit të infuzionit
Kapela mbahet edhe për 60 minuta të tjera pas trajtimit, për të siguruar që efekti i ftohjes vazhdon derisa niveli i barnave të kimioterapisë në gjak të ulet.
Sa efektive është Paxman Scalp Cooling?
Efikasiteti i sistemit Paxman nuk është i njëjtë për të gjithë pacientët, ai varet nga lloji i kimioterapisë, doza dhe kombinimi i barnave, si dhe karakteristikat individuale të flokëve (trashësia, densiteti, cikli i rritjes). Megjithatë, të dhënat klinike të mbledhura gjatë dekadës së fundit janë shumë inkurajuese dhe kanë ndryshuar mënyrën se si mjekët i qasen ruajtjes së flokëve gjatë trajtimit.
Në studimin SCALP (JAMA, 2017), një studim klinik i kontrolluar që përfshiu 182 gra me kancer gjiri në fazë të hershme të trajtuara me kimioterapi, rezultatet treguan se:
- 66% e pacienteve që përdorën sistemin Paxman ruajtën më shumë se gjysmën e flokëve pas përfundimit të trajtimit, krahasuar me grupin e kontrollit pa Paxman, të cilat në të gjitha rastet humbën flokët gjatë trajtimit.
Që nga publikimi i studimit SCALP, dhjetëra analiza të tjera kanë konfirmuar efikasitetin e Paxman Scalp Cooling, me shkallë suksesi që variojnë nga 50% deri në 80%, në varësi të skemës së kimioterapisë. Në veçanti:
- Protokollet me Taxane (p.sh. Paclitaxel, Docetaxel) tregojnë rezultatet më të mira, me 70–80% ruajtje të flokëve. Këto barna kanë shpërndarje më të ngadaltë dhe ndikim më të kufizuar në rrënjën e flokut, gjë që e bën ftohjen më efektive.
- Protokollet me Antraciklinë (p.sh. Doxorubicin, Epirubicin) shpesh janë më agresive ndaj folikulit të flokut. Efikasiteti i ftohjes në këto trajtime është më i ulët, zakonisht 30–50%.
Përtej statistikave: çfarë do të thotë kjo për pacientin?
Ruajtja e flokëve nuk është vetëm një çështje estetike. Për shumë pacientë, është mënyra për të ruajtur një ndjenjë normaliteti në mes të një realiteti që ka ndryshuar rrënjësisht.
Ndër raportime të ndryshme të pacienteve, kanë treguar se:
- Pacientët që ruajnë flokët përjetojnë më pak stres dhe ankth,
- Janë më të prirur të vazhdojnë punën dhe jetën sociale,
- Dhe e përballojnë më mirë trajtimin onkologjik.
Zbatimi në Shqipëri: një hap drejt kujdesit më dinjitoz
Në Spitalin Amerikan, sistemi Paxman është vendosur si pjesë e kujdesit mbështetës për pacientët me kancer, që i nënshtrohet kimioterapisë. Ky është një hap përpara për onkologjinë shqiptare, drejt përfshirjes së terapive që nuk mjekojnë vetëm trupin, por edhe gjendjen emocionale të pacientit. Shpesh përdorimi i teknologjive të tilla shihet si luks. Por në realitet, ato janë investim në cilësinë e jetës dhe mirëqenien psikologjike të pacientëve, një dimension thelbësor i kujdesit modern onkologjik.
Në fund, çdo teknologji që e bën pacientin të ndiejë më shumë kontroll, më shumë dinjitet dhe më shumë shpresë, është një fitore e vogël por e rëndësishme në luftën e madhe kundër kancerit.







Lini një Përgjigje