HPV (human papilloma virus) është një virus përgjegjës për shkaktimin e disa llojeve të kancerit. HPV është një nga infeksionet seksualisht të transmetueshme më të shpeshta, që prek burrat dhe gratë. Personat e infektuar me HPV shpesh nuk kanë simptoma dhe infeksioni shpesh vet-eliminohet.
Ekzistojnë më shumë se 200 lloje të virusit të HPV-së, dhe disa prej tyre, vecanërisht HPV 16 dhe HPV 18 janë përgjegjëse për rreth 70% të gjithë rasteve me kancer të qafës së mitrës.
Vaksina kundër HPV-së është krijuar në vitin 2006 dhe vaksinimi i fëmijëve në shumë vende të botës është i mundur të kryhet që nga mosha 9 vjeçare. Në Shqipëri, së fundmi mund të vaksinohen vajzat 13 vjeçare me vaksinën tetravalente, me një dozë.
Megjithatë, shumë njerëz nuk janë seksualisht aktivë ose monogamë deri në moshë më të vonë, çka do të thotë se mund të infektohen me HPV më vonë përgjatë jetës. Për këtë arsye është e rëndësishme që vaksina kundër HPV-së të konsiderohet edhe te ata.
Cilët lloje kanceri parandalon vaksinimi kundër HPV?
Pothuajse të gjitha rastet me kancer të qafës së mitrës janë të shkaktuara nga infeksioni i HPV-së. Megjithatë, infeksioni i HPV-së është i lidhur edhe me lloje të tjerë të kancerit, përfshirë:
- Kancerin e vulvës
- Kancerin vaginal
- Kancerin anal
- Kancerin penil
- Kancerin orofaringeal
A ka ndryshuar mosha e rekomanduar për vaksinimin?
Rekomandimet për vaksinimin kundër HPV-së kanë qenë deri për moshën 26 vjeçare. Në vitin 2018, FDA ka zgjeruar fashën moshore që mund të përfitojë nga vaksinimi deri në moshën 45 vjeçare. Mos të harrojmë se edhe nëse jeni infektuar me HPV, bërja e vaksinës kundër HPV-së mund të jetë gjithsesi e vlefshme.
Si të vendosësh nëse duhet të vaksinohesh?
Vendimi për t`u vaksinuar ose jo është individual, por është mirë të konsultoheni me mjekun tuaj për benefitet e vaksinës, veçanërisht nëse mendoni se do të ndryshoni partnerë seksualë ose/dhe jeni të imunokompromentuar.
Psh. nëse nuk do të ndryshoni partnerin në të ardhmen dhe të dy jeni HPV negativ, me shumë mundësi nuk keni nevojë për vaksinim, por nëse gjërat ndryshojnë dhe keni kontakt me një person HPV pozitiv, vaksina do t`ju jepte mbrojtjen e nevojshme.
A mund te vet-eliminohet infeksioni i HPV-së?
Si fillim është e rëndësishme të kuptojmë se jo të gjithë infeksionet me HPV janë njësoj. Ndaj kur flasim për vet-eliminim të infeksionit të HPV-së, duhet të ndajmë llojet e HPV-së me risk të ulët dhe ato me risk të lartë që mund të shkaktojnë kancer.
Infeksioni i HPV-së në shumicën e rasteve vet-eliminohet në personat me sistem imunitar të shëndetshëm, por në raste të tjera kjo nuk ndodh, psh:
- Nëse sistemi imunitar është i kompromentuar – personat me AIDS ose personat që kane kryer transplant.
- Disa lloje të HPV-së me risk të ulët – të cilat shkaktojnë lythat gjenitalë. Shpesh ato kanë tendencën të rikthehen.
- Infeksioni me HPV me risk të lartë – virusi mund të qëndrojë latent dhe të riaktivizohet herë pas here, duke shkaktuar ndryshime në qelizat e qafës së mitrës, penisit, anusit ose gojës. Kjo ndodh në rreth 10% të rasteve dhe mund të jetë një shkak i kancerit.







Lini një koment