iQOS, shkurtimi “I quit original smoking” është një produkt i prodhuar nga Philip Morris International, kompania më e madhe e duhanit në botë, e njohur për prodhimin e cigareve Marlboro. Kjo kompani pretendon se e ardhmja e tyre është “pa tym”, dhe po investon në produkte të duhanit të nxehtë, siç është iQOS dhe cigaret elektronike, të cilat sipas tyre janë zgjidhje më të sigurta se duhanpirja konvencionale.

iQOS është ndryshe nga cigaret e zakonshme, pasi përdor një teknologji të njohur si iQOS HeatControl™, e cila sipas kompanisë prodhuese parandalon djegien e duhanit dhe gjeneron një avull duhani që sjell ndjesinë e duhanpirjes së zakonshme. Po ashtu, iQOS përdor një teknologji të ndryshme edhe nga ajo e cigareve elektronike, pasi përdor duhan, në vend të lëngjeve me aromë.

Megjithatë, edhe pse iQOS është një pajisje elektronike, FDA e ka klasifikuar atë si cigare, duke i nënshtruar kësaj pajisjeje të gjitha kufizimet ekzistuese si për cigaret tradicionale. Pavarësisht kësaj, Philip Morris pretendon se iQOS është më e sigurt se duhanpirja e zakonshme, por ende mbeten shumë gjëra të panjohura rreth këtij produkti dhe ndikimit që ai mund të ketë në shëndet. Përtej premtimit të një alternative më të sigurt, duhet të shohim impaktin potencial të iQOS në shëndetin tone bazuar në evidencat e studimeve klinike dhe pre-klinike mbi të.

Ku bazohen pretendimet e Philip Morris për sigurinë e iQOS?

Sipas Philip Morris International (PMI), teknologjia IQOS HeatControl™ nxeh duhanin në një temperaturë më të ulët (më pak se 350°C) se ajo gjatë djegies në cigaret e zakonshme që shkon nga 200–600°C deri në 700–950 °C në majën e djegies së fijes së cigares. Sipas kompanisë prodhuese ky mekanizëm i nxehjes së duhanit në këtë temperaturë prodhon avull dhe jo tym.

A është vërtet iQOS pa tym?

Megjithatë, disa studime kanë treguar se iQOS nuk është plotësisht pa tym por një kombinim i avullit dhe tymit. Gjatë thithjes së një cigareje të zakonshme oksigjeni shkakton djegien në temperaturë rreth 700–950 °C. Por cigaret e zakonshme kanë edhe një zonë pirolize/distilimi ose djegie pa praninë e oksigjenit ose me nivel të ulët oksigjeni, e cila ndodh në tempëraturë rreth 200–600°C. Pikërisht në këtë zonë formohet pjesa më e madhe e tymit të cigareve të zakonshme, nëpërmjet një procesi endotermik. Kjo do të thotë që tymi mund të prodhohet edhe nga avullimi/distilimi i përbërsve organikë pa djegie.

Avulli nga iQOS gjenerohet në mënyrë të ngjashme, me anë të proceseve endotermike, në temperaturë rreth 320°C, duke sugjeruar se piroliza luan një rol të rëndësishëm në formimin e avullit. Kjo tregon që avulli nga iQOS mund të klasifikohet si tym i gjeneruar në temperaturë të ulët.

Përkufizimi i avullit dhe tymit është një çështje e vazhdueshme debati, por është e rëndësishme të përmendet se studime të pavarura nga PMI kanë gjetur edhe prezencën e grimcave solide në emetimet e iQOS, si PM1, PM2,5, PM10 dhe karbonin e zi, edhe pse në përqëndrim më të ulët se në tymin e cigareve të zakonshme.

Katrani dhe nikotina

Gjatë përdorimit të pajisjes së iQOS një lëng i kaftë i quajtur katran mbetet në depozitën e iQOS dhe një mbetje e zezë formohet në ngrohëse, e cila shkatohet nga karbonizmi (Figura 1.). Rinxehja e vazhdueshme e katranit dhe karbonit mund të çojë në përqëndrim më të lartë të substancave të dëmshme si hidrokarburet aromatike policiklike (PAHs). Sic është treguar në disa studime, këto substanca shtohen me çdo ripërdorim të pajisjes.

Figura 1. Pamje nga depozita/mbajtësja e iQOS

Prodhimi i katranit nga emetimet e iQOS është rreth 73% e prodhimit nga një cigare e zakonshme, ndërsa nikotina rreth 64%. Megjithatë, kur merret në konsideratë sasia e përdorur e duhanit nga iQOS krahasuar me atë të cigareve të zakonshme, sasia e katranit dhe nikotinës në iQOS është 2 herë më e madhe se ajo në cigaret e zakonshme. Kjo sepse gjatë djegies në temperaturë të lartë të cigareve të zakonshme, një pjesë e madhe e nikotinës dhe katranit shpërbëhet, ndaj për një sasi ekuivalente duahani, iQOS prodhon më shumë katran.

Ambientet e mbyllura

Substancat kimike të çliruara nga iQOS janë studiuar për të parë nëse janë në nivele të sigurta, që të mund të lejojnë përdorimin e iQOS në ambiente të mbyllura. Studimet kanë treguar se niveli i nikotinës, acetaldehideve dhe glicerinës janë në nivele jo-sinjifikative bazuar në udhëzuesit mbi cilësinë e ajrit.

Por një tjetër studim i pavarur nga PMI ka treguar se niveli i lartë i akroleinës, formaldehidit dhe acetaldehidit, të njohura si karcinogjenë mund të gjenden në emetimet e iQOS. Për këtë arsye, rekomandohet që iQOS njësoj si cigaret e zakonshme të mos lejohet në ambiente të mbyllura.

A mund të formohen PAHs-et nga iQOS?

Hidrokarburet aromatike policiklike (PAHs), disa fenole dhe levoglukozani të gjetura në emetimet e iQOS kanë ngritur dyshime mbi temperaturat reale të arritura nga kjo pajisje. PAHs jane zakonisht të prodhura në temperature të lartë, mbi 500°C, që është shumë më e lartë se ajo raportuar në iQOS (320-350°C).

Disa studime sugjerojnë se prezenca e disa llojeve të PAHs mund të jetë për shkak të kontaminimit të gjetheve të duahnit gjatë kultivimit, por krahasimi i nivelit të PAHs në duhanin e iQOS me atë në emetimin e iQOS tregon se mund të ketë dicka më shumë të lidhur me temperaturën e arritur në pajisje, në zona specifike “hot spot” që nxhehen më shumë se të tjerat.

Është e rëndësishme që më shumë studime të pavarura të kryhen mbi përmbajtjen e substancave të dëmshme për shëndetin në emetimet nga iQOS dhe prezencën ose jo të zonave “hot spot” në pajisje. Me të dhënat e deritanishme, iQOS është një formë alternative e duhanpirjes dhe paraqet dëme për shëndetin. Si e tillë nuk duhet të promovohet kurrsesi si një alterantivë e shëndetshme për lënien e duhanit.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna