Karcinoma duktale in situ (DCIS) përfaqëson një grup heterogjen të neoplazive të cilat janë të kufizuara në duktuset mamare. Diagnostikimi i DCIS është rritur ndjeshëm në vitet e fundit me rritjen e ekzaminive depistuese për kancerin e gjirit. Globalisht, DCIS përbën rreth 25% të rasteve të reja me kancer gjiri.
Si trajtohet DCIS?
Pacientët me DCIS i nënshtrohen trajtimit kirurgjikal për heqjen vetëm të formacionit në gji (tumorektomi) ose heqjen e plotë të gjirit (mastektomi).
Në rastet kur kryhet kirugjia vetëm për heqjen e formacionit (terapia konservative e gjirit – BCT), mund të jetë e nevojshme edhe kryerja e radioterapisë.
Biopsia e limfonodulit sentinel (SLNB) mund të kryhet vetëm në rastet e tipareve agresive të sëmundjes.
Vendimi për trajtim hormonal pas kirurgjisë varet nga lloji i kirurgjisë dhe nentipi biologjik i tumorit.
- Në rast se është kryer BCT dhe receptorët e estrogjenit dhe progesteronit (ER/PR) janë pozitivë rekomandohet terapia hormonale për të reduktuar riskun e rikthimit të sëmundjes. Për gratë premenopauzante rekomandohet tamoxifeni ndërsa për gratë pas menopauzës rekomandohet tamoxifeni ose inhibitorët e aromatazës.
- Në rast se është kryer mastektomi dhe receptorët e estrogjenit dhe progesteronit (ER/PR) janë pozitivë rekomandohet terapia endokrine për parandalim të zhvillimit të sëmundjes në gjirin kontralateral.
- Në rast se është kryer BCT ose mastektomi unilaterale dhe receptorët e estrogjenit dhe progesteronit (ER/PR) janë negative, nuk rekomandojmë terapi hormonale.
- Në rast se është kryer mastektomi bilaterale nuk rekomandojmë trajtim hormonal.
Kur kryhet radioterapia?
Rrezatimi është trajtimi standard për pacientët qe kryejnë kirurgji konservative të gjirit (BCT). Megjithatë, radioterapia mund të shmanget në rastet kur pacientët janë shumë të moshuar, kanë sëmundje të rëndësishme shoqëruese, karakteristika tumorale jo agresive dhe kufij të gjerë të shëndoshë pas kirurgjisë.
A ka rëndësi trajtimi anti HER2 në DCIS?
Të dhënat e deritanishme janë të pamjafueshme për të mbështetur përdorimin e terapive anti HER2 (psh. trastuzumab) në DCIS. Në fakt, sipas shoqatave të rëndësishme të onkologjisë dhe patologjisë, nuk rekomandohet testimi për prezencë të HER2 në DCIS, pasi prezenca ose jo e HER2 nuk ndikon në menaxhimin e sëmundjes.
Çfarë kontrollesh bëhen pas diagnostikimit dhe trajtimit?
- Në tre vitet e para nga diagnostikimi rekomandohet vizita klinike çdo 3 ose 6 muaj. Ne vitin e 4-të dhe të 5-të nga diagnostikimi këto vizita klinike mund të bëhen çdo 6 deri 12 muaj.
- Gratë me risk të lartë për sindroma gjenetike familjare duhet të bëjnë një konsultë gjenetike.
- Gratë që kanë kryer BCT duhet të kryejnë mamografinë e parë jo më vonë se 6 muaj pas radioterapisë. Frekuenca në vazhdim e mamografisë përcaktohet nga onkologu dhe mund të jetë nga 6 muaj deri ne 1 vit.
- Vizitat gjinekologjike të rregullta rekomandohen për çdo grua, veçanërisht nëse është duke marrë tamoxifen.







Lini një koment