Sindromi i ovarit policistik (PCOS – polycystic ovary syndrome) është shkaku më i shpeshtë i infertilitetit tek femrat, zakonisht e manifestuar gjatë adoleshencës. Ai karakterizohet nga çrregullimi i funksionit ovarial dhe hiperandrogjenizmi.
Sindromi karakterizohet nga shumëllojshmëria e shfaqjeve klinike dhe metabolike.
PCOS është një çrregullim gjenetik endokrin kompleks me një etiologji të panjohur.
Për tu vendosur diagnoza e PCOS mbështetemi në disa elemente:
- Shenja të hiperandrogjenizmit (psh qimëzim i shtuar dhe/ose akne e moderuar-severe)
- Fluks i çrregullt menstrual
- Ovare polikistike (një ose të dyja)
- Obeziteti dhe/ose insulinorezistenca
PCOS u përshkrua për herë të parë nga Stein dhe Leventhal në 1935, ndaj fillimisht njihej si ‘Stein-Leventhal Syndrome’
Në popullatën e përgjithshme shpeshtësia është vlerësuar të jetë 6-10% e femrave në moshë riprodhuese. Në pacientet diabetike risku për zhvillim të PCOS është më i lartë se në popullatën e përgjithshme probabilisht e lidhur me insulinën. Historia familjare po ashtu duket se ndikon. Në 24% të femrave me PCOS edhe nënat kanë PCOS
Shfaqjet klinike
Disfunksioni menstrual
Disfunksioni menstrual karakterizohet nga oligo-amenorrhea, e shkaktuar nga mungesa ose ovulacioni i rallë. Zakonisht fillon të shfaqet në periudhën peripubertale. Femrat e prekura kanë cikle menstruale jo të rregullta. Të tjera paciente kanë cikle të rregullta në fillim të ndjekura nga çrregullim i tyre i shoqëruar me shtim në peshë. Në shumicën e rasteve femrat kanë oligomenorrhea (më pak se 9 cikle në vit) dhe, më rrallë, amenorrhea (mungesë e ciklit në 3 ose më shumë muaj të njëpasnjëshëm). Zakonisht pas moshës 40 vjeçare rivendosen cikle të rregullta tek femrat me PCOS.
Hiperandrogjenizmi
Hiperandrogjenizmi mund të shprehet me shenja klinike (akne, qimëzim i shtuar, rënie flokësh me pamje tipike mashkullore). Format më të rënda paraqesin edhe trashje të zërit, ndryshim të pamjes së organeve gjenitale.
Hirsutizmi përkufizohet si rritje e shtuar e flokut terminal (qime e trashë, e pigmentuar) në zonat androgjen sensitive si zona mbi buzën e sipërme, mjekër, zona periareolare, midis gjokseve dhe përgjatë linea alba në bark. Hirsutizmi mund të haset dhe në femra pa nivele të rritura qarkulluese të androgjenëve. Keto paciente ndiqen klinikisht dhe në rast përkeqësimi ose crregullimi të ciklit rivlerësohen.
Acne vulgaris janë manifestim tjetër kutan i rëndësishëm i hiperandrogjenemisë tek adoleshentet. Aknet e painflamuara janë të zakonshme tek vajzat në adoleshencë por prezenca e akneve të moderuara (mbi 10 shfaqje në fytyrë) tregojnë për hiperandrogjenemi. Aknet e moderuara-severe persistente dhe që përgjigjen pak ndaj trajtimit topik dhe me antibiotikë sistemik, përbëjnë indikacion për vlerësim të hiperandrogjenemisë. Rënia e flokëve është manifestim më i rrallë i hiperandrogjenizmit. Manifestime të tjera mund të përfshijnë seborrhea, hiperhidrosis (djersitje e shtuar) dhe hidradenitis supurativ (inflamacion i gjendrave të djersës, sidomos në sqetulla)
Shfaqje të lidhura me insulinorezistencën
Toleranca glicemike përkeqësohet me kalimin e kohës dhe afërsisht 10% e femrave me PCOS zhvillojnë diabet në moshën 40 vjeçare. Acanthosis nigricans – prania e pllakave kadife të hiperpigmentuara në lëkurë, kryesisht sqetulla dhe qafë. Zakonisht por jo domosdoshmërisht shoqërohet me obezitet dhe mund të paraprijë shenjat tipike klinike të PCOS. Sindromi metabolik haset në 25% të adoleshenteve me PCOS. Po ashtu, dhjamosja e melçisë haset në 5-10% të adoleshenteve obeze me PCOS.
PCOS është një sindrom endokrin kompleks që shoqerohet me probleme metabolike të reflektueshme në cilësinë e jetës së femrës së prekur. Për këtë arsye diagnoza e hershme dhe trajtimi parandalues i faktorëve të riskut dhe shenjave klinike janë zgjidhja e preferuar.
- FDA aprovon kombinimin e ri në trajtimin e kancerit të gjirit

- Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

- Epoka e re e trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HR-pozitiv

- Si ndihmon vlerësimi geriatrik në trajtimin e kancerit te të moshuarit

- Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani

- Atezolizumab me ctDNA: Drejt personalizimit të imunoterapisë në trajtimin e kancerit të vezikës








Lini një koment