Kanceri i gjirit

Kanceri i gjirit hormonal i referohet atij lloj tumori i cili shpreh receptorët e estrogjenit dhe progesteronit. Në këtë artikull, mjekja onkologe Kleida Mati shpjegon kancerin e gjirit metastatik, statusin hormonal dhe opsionet e trajtimit.

Çfarë do të thotë kancer gjiri metastatik?

Nëse kanceri i gjirit është në fazë metastatike do të thotë se sëmundja është përhapur përtej lokalizimit fillestar në gji, drejt organeve të tjera si kockat, mushkëritë, mëlçia ose pjesë të tjera të trupit. Në këtë stad, sëmundja nuk konsiderohet e kurueshme por ka shanse shumë të mira që të trajtohet dhe të mbahet nën kontroll.

Çfarë do të thonë ER/PR+, HER2-?

Receptorët e estrogjenit (ER) dhe progesteronit (PR) janë hormone seksuale femërore, të cilat gjenden edhe në qelizat e gjirit.

HER2 është një proteinë në formën e receptorit e cila gjendet në sipërfaqen e qelizave të gjirit.

Nëse ER, PR ose HER2 stimulohen, qelizat e gjirit sillen si qeliza malinje.

Prezenca ose mungesa e ER, PR dhe HER2 kontrollohen në mënyrë rutinë në biopsinë e gjirit. Nëse vihet re prezenca e ER/PR në qelizën malinje, kanceri i gjirit konsiderohet si ER/PR+. Nëse vihet re prezenca e HER2 në qelizën malinje sëmundja konsiderohet si HER2+.

Si trajtohet kanceri i gjirit metastatik ER/PR+ HER2-?

Pacientët me kancer gjiri metastatik ER/PR+ HER2- të cilët nuk kanë simptoma të rëndësishme, nuk kanë nevojë për trajtim me kimioterapi. Këta pacientë mund të trajtohen me terapi endokrine e kombinuar me inhibitorë të CDK4/6.

Qëllimi i terapisë endokrine është të parandalojë stimulimin e qelizave malinje nga estrogjeni.

Terapitë endokrine përfshijnë:

  • Modulatorët selektivë të receptorëve të estrogjenit (SERM)
  • Inhibitorët e aromatazës
  • SERDs

Në gratë, të cilat nuk kanë kaluar ende në menopauzë, mjekimi duhet të kombinohet me një terapi e cila frenon prodhimin e estrogjenit nga vezoret. Frenimi i prodhimit të estrogjenit nga vezoret mund të bëhet me dy mënyra, ose duke kryer një kirurgji për të hequr ovaret (oophorectomia), ose duke përdorur mjekime që frenojnë prodhimin e estrogjenit si goserelina ose leuprolide.

Në vitet e fundit, trajtimit hormonal i është shtuar edhe trajtimi me inhibitorë të kinazave 4 dhe 6 ciklin-vartëse (CDK4/6 inhibitors), si trajtim i linjës së parë për pacientët me kancer gjiri ER/PR+ HER2- metastatik. Efektet anësore si pasojë e këtij trajtimi tolerohen më mirë se kimioterapia. Këto terapi nuk shkaktojnë rënie flokësh, nauze të fortë ose të vjella, ose efekte të tjera të zakonshme të kimioterapisë. Efekti anësor kryesor i inhibitorëve CDK4/6 është rënia e rruazave të bardha, që zakonisht nuk shoqërohet me temperaturë.

Trajtimi me kimioterapi rezervohet për rastet kur ka simptoma të rëndësishme, të cilat kërkojnë një reduktim të shpejtë të ngarkesës së sëmundjes ose kur nuk ka zgjedhje të tjera terapeutike.

Inhibitorët e aromatazës (AI)

Janë barna të cilat reduktojnë nivelin e estrogjenit në trup. Këto barna bllokojnë proteinën me emrin aromatazë, e cila ndihmon në formimin e estrogjenit jashtë ovareve. Barnat e kësaj klase përfshijnë anastrozolin, letrozolin dhe exemastanin. Këto barna janë efikase si monoterapi në gratë pas menopauzës, kur ovaret nuk janë më funksionale, ndërsa në gratë para menopauzës duhet të përdoren në kombinim me supresionin ovarian (goserelin ose leuprolide).

Fulvestrant

Fulvestranti është një medikament i cili bllokon ndikimin e estrogjenit në qelizën tumorale. Mund të përdoret kur sëmundja metastatike progreson pavarësisht përdorimit të terapisë endokrine. Gjithashtu përdoret si linjë e parë e terapisë endokrine në gratë pas menopauzës, ose në kombinim me supresionin ovarian në gratë premenopauzante. Fulvestranti merret me anë të injeksioneve në muskul.

Tamoxifeni

Tamoksifeni është një modulator selektiv i receptorëve të estrogjenit. Bllokon estrogjenin për të penguar stimulimin e qelizës malinje. Është në formën e tabletës. Në javët e para të përdorimit mund të shkaktojë dhimbje kockash, rritje të nivelit të kalciumit në gjak dhe në personat që kanë prekje të lëkurës mund të ketë një përkeqësim të përkohëshëm të skuqjes së lëkurës dhe zmadhimit të noduseve, të cilat përmirësohen rreth 2 muaj nga fillimi i trajtimit. Efekte afatgjata të tamoksifenit përfshijnë afshet e nxehta, risk të shtuar për tromboza dhe rrallë mundësia për të zhvilluar kancer të mitrës.

Trajtime të cilat i shtohen terapisë endokrine

Inhibitorët CDK4/6 – Barna si palbociclib, ribociclib dhe abemaciclib, të cilat shoqërohen me inhibitorët e aromatazës ose fulvestrantin.

Mutacioni ESR1 – Në pacientët me këtë mutacion, që shpesh shfaqet pas trajtimit me inhibitorë të aromatazës, rekomandohen trajtimet me SERD-ve si elacestrant, të cilët janë më efektivë në tejkalimin e rezistencës hormonale. Këto mund të përdoren të vetme ose në kombinim me inhibitorë CDK4/6, në varësi të linjës së trajtimit dhe historisë së mëparshme terapeutike.

Alpelisib –  Mund t`i shtohet fulvestrantit në pacientët që kanë praninë e mutacionit PIK3CA.

Everolimus – Inhibitor i mTOR, i cili përdoret ndonjëherë në kombinim me inhibitorët e aromatazës ose tamoxifenin.

Kimioterapia

Kimioterapia është një trajtim që ndalon ose ngadalëson rritjen tumorale. Kimioterapia zakonisht jepet me cikle. Një cikël konsiderohet koha gjatë marrjes së trajtimit dhe më pas kryhet një periudhë pushimi, gjatë së cilës trupi rikuperon ndaj efekteve anësore të trajtimit.

1 cikël kimioterapie përfshirë edhe periudhën e pauzës zgjat zakonisht 21 ose 28 ditë. Por, mënyra e dhënies së kimioterapisë mund të ndryshojë në varësi të skemave të ndryshme dhe gjendjes së përgjithshme të pacientit.

Gratë me mutacion BRCA

Mutacionet në gjenet BRCA1 dhe BRCA2 janë të lidhura me risk të lartë për kancer gjiri dhe ovari. Pacientët me kancer gjiri ER/PR+, HER2- mund të trajtohen me inhibitorë të PARP, pas dështimit të terapive endokrine dhe kimioterapisë.

Shënim: Informacionet në MedLink përditësohen periodikisht nga mjekët spëcialistë që i shkruajnë ato, megjithatë burimi më i saktë i informacionit për ju duhet të jetë gjithmonë mjeku kurues, i cili njeh historinë tuaj të sëmundjes dhe mund të bëjë vlerësimet e duhura.

Lini një Përgjigje

Përditësimet e fundit në onkologji – Gusht 2026

FDA aprovon Daraxonrasib për trajtimin e linjës së dytë në kancerin metastatik të pankreasit.

FDA aprovon Nivolumab + AVD për trajtimin e Limfomës Hodgkin.

Talazoparib + enzalutamide përmbush endpoint-in primar tek pacientët me kancer të prostatës metastatik hormon-sensitiv me mutacione në gjenet HRR.

Udhëzimet e përditësuara të NCCN rekomandojnë si trajtim të linjës së parë: kombinim me sacituzumab govitecan për kancerin e gjirit triple-negativ.

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia Letrozole Lifestyle Limfoma MammaPrint Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia PARP inhibitore pcos Screening Semundja renale kronke sheqer target terapia Terapi endokrine Tiroide TNBC yndyrna

Designed with WordPress

Zbuloni më tepër nga MEDLINK

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin