Nefropatia diabetike – sëmundja e veshkave që rezulton nga diabeti – është shkaku numër një i dëmtimit të veshkave. Pothuajse një e treta e njerëzve me diabet zhvillojnë nefropati diabetike. Në bazë të statistikave 20% e pacientëve, që janë nën trajtim me dializë në Shqipëri, kanë sëmundje primare nefropatinë diabetike.
Nefropatia diabetike si shkakprimar i SRK ka prognozë më të keqe krahasuar me shkakprimarët e tjerë. Kjo ndodh për shkak të komplikacioneve të diabetit si hipertensioni, kolesteroli i lartë dhe sëmundjet e enëve të gjakut (ateroskleroza). Njerëzit me diabet gjithashtu janë më të predispozuar të kenë probleme të tjera të lidhura me veshkat, siç janë infeksionet e traktit urinar dhe dëmtimi i nervave të vezikës (neuropati e vezikës).
Nivelet e larta të glukozës (sheqerit) në gjak mund të dëmtojnë enët e vogla të gjakut dhe filtrat e vegjël në veshkat tuaja. Hipertensioni gjithashtu mund të dëmtojë veshkat. Kur kjo ndodh, sasi jonormale të proteinave nga gjaku mund të lënë trupin tuaj nëpërmjet urinës. Kjo është shpesh një shenjë e hershme e sëmundjes së veshkave.
Hipertensioni, ose presioni i lartë i gjakut, është një ndërlikim i diabetit që besohet se kontribuon më drejtpërdrejt në nefropatinë diabetike. Pra hipertensioni besohet se është edhe shkaktar i nefropatisë diabetike, por edhe si pasojë e dëmtimit që krijohet nga sëmundja. Ndërsa stadi i SRK avancon, ndryshimet fizike në veshka shkaktojnë hipertension rezistent.
Cilat janë simptomat që shfaqen kur vuani nga nefropatia diabetike?
Në fazat e hershme të nefropatisë diabetike, me shumë mundësi nuk do të vini re asnjë shenjë apo simptomë. Në fazat e mëvonshme, shenjat dhe simptomat mund të përfshijnë:
- Hipertension rezistent
- Urinim me shkumë (albuminuri)
- Ënjtje e këmbëve, kyçeve, duarve ose syve
- Urinim të shpeshtë
- Konfuzion ose vështirësi në përqendrim
- Vështirësi në frymëmarrje
- Humbje e oreksit
- Nauze dhe të vjella
- Kruajtje e vazhdueshme
- Lodhje
Si diagnostikohet nefropatia diabetike?
- Teste biokimike: azot, kreatinemi, uricemi, elektrolitë
- Analizë urine
- Mikroalbuminuri 24h
- Eko aparatit urinar
Si mund të parandalojmë nefropatinë diabetike?
Për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të nefropatisë diabetike:
- Bëni kontrolle të shpeshta mjekësore
- Mbani nën kontroll gliceminë, diabetin.
- Stabilizoni hipertensionin
- Mos përdorni ilace nefrotoksike pa këshillën e mjekut, si aspirina dhe ilaçet anti-inflamatore josteroide: naprokseni dhe ibuprofeni (Advil, Motrin IB, të tjerë). Për njerëzit me nefropati diabetike, marrja e këtyre qetësuesve të dhimbjes mund të çojë në dëmtim të veshkave.
- Konsumoni një dietë të shëndetshme dhe bëni aktivitet fizik.
- Mos pi duhan. Pirja e duhanit mund të dëmtojë veshkat tuaja dhe të përkeqësojë dëmtimin ekzistues të veshkave.













Lini një Përgjigje