Terapia neoadjuvante (trajtim që merret para operacionit) zakonisht përfshin të njëjtat lloje trajtimesh, p.sh. kimioterapi, terapi hormonale dhe terapi të targetuara, që mund të jepen edhe si terapi adjuvante (trajtim që merret pas operacionit). Të dyja kanë të njëjtin synim: të eliminojnë sa më shumë qeliza kanceroze dhe të përmirësojnë mbijetesën e përgjithshme. Megjithatë, marrja e trajtimit para operacionit ndryshon nga terapia adjuvante në disa veçori të rëndësishme.

Terapia neoadjuvante mund ta zvogëlojë madhësinë e tumorit, duke mundësuar një operacion më pak të gjerë në gji dhe nën sqetull (shih skemën më poshtë). Ajo gjithashtu jep të dhëna për ecurinë e sëmundjes (prognozën) dhe i krijon mundësinë e vlerësimit të efikasitetit të trajtime të ndryshme.

Terapia neoadjuvante ne kancerin e gjirit

Fjala “neoadjuvante” vjen nga latinishtja:

  • “Neo” do të thotë i ri,
  • “Adjuvans” (nga adjuvare) do të thotë ndihmues ose që asiston.

Pra, në kuptimin e saj të plotë, “neoadjuvante” nënkupton një ndihmë të re ose një trajtim që ndihmon paraprakisht.

Në mjekësi, kjo i referohet trajtimeve që jepen përpara operacionit, si kimioterapia, terapia e targetuar apo terapia hormonale, me qëllim të zvogëlojnë tumorin dhe ta bëjnë ndërhyrjen kirurgjikale më efektive.

Çfarë duhet të prisni para terapisë neoadjuvante?

Para fillimit të terapisë neoadjuvante, mjeku juaj do të kryejë një biopsi me gjilpërë për të marrë një mostër nga tumori. Kjo mostër analizohet nga një anatomo-patolog, i cili përcakton karakteristikat biologjike të tumorit, si statusin HER2 apo receptorët hormonalë (HR). Këta tregues janë shumë të rëndësishëm sepse ndihmojnë ekipin mjekësor të zgjedhë trajtimin më të përshtatshëm përpara operacionit.

Gjatë procedurës së biopsisë, në shumë raste vendoset edhe një klip radio-opak brenda tumorit. Ky klip është i sigurt, nuk ndikon në përgjigjen ndaj trajtimit, dhe mund të shihet lehtësisht me teknika imazherike. Ai shërben si udhërrëfyes gjatë operacionit, veçanërisht në rastet kur tumori eliminohet plotësisht pas trajtimit neoadjuvant.

A mund ta zvogëlojë terapia neoadjuvante mundësinë për të kryer kirurgji në sqetull (aksilë)?

Në disa raste po. Studime të mëparshme kanë treguar se tek pacientet me kancer gjiri, të cilat në momentin e diagnozës kishin deri në katër nyje limfatike të prekura në sqetull, pas kimioterapisë neoadjuvante rreth 40% e tyre nuk kishin më qeliza kanceroze në nyjet limfatike. Prezenca e qelizave tumorale në nyje limfatike konfirmohet me anë të biopsisë së limfonodulit sentinel.


Nyja ose limfononoduli sentinel është nyja e parë limfatike ku qelizat e kancerit kanë më shumë gjasa të përhapen. Mund të ketë më shumë se një të tillë. Për ta identifikuar, mjeku injekton një bojë radioaktive të padëmshme pranë zonës ku ndodhet tumori. Nyja (ose nyjet) ku boja grumbullohet quhen nyje sentinel, të cilat hiqen gjatë operacionit nga kirurgu për t’u ekzaminuar nga patologu nën mikroskop. Nëse nuk gjenden qeliza tumorale në këto nyje, pacientja mund të shmangin një operacion më të gjerë në sqetull, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të mëvonshme.

Terapia neoadjuvante përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të individualizimit të trajtimit të kancerit të gjirit. Duke filluar trajtimin përpara operacionit, mjekët kanë mundësinë të vlerësojnë në kohë reale reagimin e tumorit ndaj terapisë, të zvogëlojnë përmasat e tij dhe shpesh të shmangin ndërhyrje më të gjera kirurgjikale, si në gji ashtu edhe në sqetull.

Kjo qasje jo vetëm që mund të përmirësojë cilësinë e jetës dhe rezultatet estetike pas operacionit, por edhe ndihmon në përzgjedhjen e terapive më efektive për çdo paciente në mënyrë të personalizuar.

Në fund, qëllimi i terapive neoadjuvante mbetet i qartë: të rritet shansi për shërim, duke u ofruar grave me kancer gjiri trajtim më të zgjuar, më të kujdesshëm dhe më të përshtatur me karakteristikat e tyre biologjike.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna