Një studim i ri ka zbuluar se dhjetra kimikate të lidhura me kancerin e gjirit përdoren në prodhimin e paketimit të ushqimit dhe pajisjeve plastike për tryezë. Shumë nga këta karcinogjenë mund të migrojnë në trupin e njeriut.
Bashkautorja e studimit Jane Muncke, përgjegjëse shkencore e Food Packaging Forum, një fondacion jo-fitimprurës me bazë në Zyrih, Zvicër, u shpreh se “Ka fakte të rëndësishme se 76 substanca të njohura që shkaktojnë kancer gjiri gjenden në disa paketime të ushqimit. Eliminimi i këtyre karcinogjenëve të njohur nga produktet tona ushqimore është një mundësi e madhe për parandalimin e kancerit.”
Shumë nga këto kimikate tashmë janë klasifikuar si të rrezikshme për shëndetin, e megjithatë ato ende lejohen të përdoren në materialet që kanë kontakt me ushqimin, duke u lejuar kështu të migrojnë në trupin tonë.
Në vitin 2007, Silent Spring publikoi një listë me 216 kimikate që mund të shkaktojnë tumore të gjirit tek brejtësit (një metodë kyçe për përcaktimin e toksicitetit). Një përditësim i kësaj liste u krye në janar të vitit 2024, e cila e çoi në 921 numrin e kimikateve potencialisht kancerogjene, duke përfshirë 642 që mund të stimulojnë prodhimin e estrogjenit ose progesteronit, një faktor tjetër i njohur rreziku për kancerin e gjirit.
Fakti që kaq shumë substanca potencialisht karcinogjene për gjirin janë të pranishme në paketimin e ushqimit tregon numrin e madh të kimikateve të cilëve i ekspozohemi çdo ditë pa e ditur. Shumë nga këto karcinogjenë ndikojnë në çrregullime hormonale dhe mund të dëmtojnë ADN-në. Por, konsumatorët nuk mund të ndjekin gjithë publikimet shkencore për të shmangur kimikatet, është përgjegjësi e institutcioneve rregullatore të identifikojnë rrezikun dhe të ndërmarrin masa.
Karcinogjenët në plastikë, letër dhe karton
Studimi i ri, i publikuar në revistën Frontiers in Toxicology, krahasoi bazën e të dhënave të Silent Spring për karcinogjenët e njohur të kancerit të gjirit me bazën e të dhënave Food Packaging Forum – FCChumon.
Studimi zbuloi kimikate të tilla si benzeni, një kancerogjen i njohur i lidhur me kancerin e gjirit tek kafshët dhe njerëzit; 4,4′-Metilenbis-(2-Kloroanilinë), një karcinogjen i mundshëm i lidhur me kancerin e fshikëzës; 2,4-Toluenediaminë, e cila është zbuluar se shkakton kancer të gjirit te kafshët; dhe 3,3′-Dimetilbenzidinë dhe o-Toluidinë, që janë ngjyra të përdorura për të ngjyrosur plastikën dhe letrën.
Ndërsa studimi zbuloi se shumica e karcinoogjenëve vinte nga plastika e përdorur në paketimin e ushqimit, 89 karcinogjenë të dyshuar u zbuluan në enët prej letre dhe kartoni (letra përmban emulsifikues dhe ngjitës).
Një numër i kimikateve të gjetura në studim ishin bisfenole (BPA), ftalate ose PFAS. Shpesh të quajtura “kimikate të përhershme” sepse nuk shpërbëhen në mjedis, PFAS përdoren në paketimin e ushqimit për të parandaluar depërtimin e yndyrës dhe ujit në paketimet e ushqimit dhe gotat për pije. PFAS mund të gjenden gjithashtu në bojën e përdorur për të printuar logot në enët e ushqimit.
Si mund të reduktojmë ekspozimin?
- Shmangni djegien ose skuqjen e fortë të ushqimit, sepse pjekja në temperatura të larta ose mbi flakë mund të çlirojë kimikate që dëmtojnë ADN-në.
- Përdorni ventilatorin kur gatuani.
- Karcinogjenët si PCB-të, grumbullohen në yndyrë, prandaj hiqni yndyrën dhe lëkurën nga mishi dhe peshku para gatimit dhe largoni çdo yndyrë që formohet gjatë përgatitjes së ushqimit.
- Zgjidhni peshk dhe fruta deti të vegjël, të cilët do të përmbajnë më pak mërkur dhe toksina të tjera.
- Hidhni enët plastike. Në vend të tyre, ruani dhe ngrohni të gjitha ushqimet në enë qelqi në vend të plastikës, mos përdorni tigane me sipërfaqe jo-ngjitëse për gatim dhe zëvendësoni çdo shishe plastike dhe aparate kafeje me enë prej qelqi ose çeliku inox.







Lini një koment