Pacienti i parë me kancer mushkërie merr vaksinën kundër kancerit ne University College London Hospital (UCLH). Vaksina është e krijuar për të stimuluar sistemin imunitar që të njohë dhe të luftojë qelizat e kancerit.
Vaksina eksperimentale mRNA, është prodhuar nga BioNtech, kompania bioteknologjike gjermane e njohur për prodhimin e vaksinës kundër COVID19. Vaksina e njohur si BNT116, kundër kancerit të mushkërisë me qeliza jo të vogla (NSCLC) – përdor një mRNA për të prezantuar biomarkerë të tumorit në sistemin imunitar të pacientit, me qëllimin për të ndihmuar sistemin imunitar të njohë dhe të luftojë qelizat kancerogjene që shprehin këta markues.
Vaksina është krijuar për të nxitur përgjigje imunitare specifike ndaj qelizave të kancerit, duke reduktuar rrezikun e toksicitetit ndaj qelizave të shëndetshme – ndryshe nga kimioterapia, që shpesh ndikon si në qelizat e kancerit ashtu edhe në ato të shëndetshme.
Qëllimi kryesor i këtij studimi është të përcaktohet nëse BNT116 është e sigurt dhe nëse tolerohet mirë nga pacientët. Studimi do të përfshijë pacientë në stade të ndryshëm të sëmundjes, nga NSCLC në stadet e hershëm para operacionit ose radioterapisë (Stadi 2 dhe 3) deri në sëmundje të avancuar (stadi 4) ose rekurrencë e tumorit. Në studim parashikohet të përfshihen rreth 130 pacientë.
Janusz Racz, 67 vjeç nga Londra, është pjesëmarrësi i parë në studim. Ai tha: “… Dr. Sarah (Benafif) më shpjegoi se si vaksina funksionon dhe ndryshimet nga trajtimi që kisha përfunduar së fundmi. Shpresa është që ajo do të parandalojë rikthimin e kancerit. U mendova gjatë dhe vendosa të marr pjesë, jo vetëm për shpresën për sëmundjen time, por gjithashtu mendova se pjesëmarrja ime në këtë studim mund të ndihmojë të tjerët në të ardhmen.”
Diagnoza e kancerit të mushkërisë është një ndër diagnozat më të vështira, ndaj të gjitha trajtimet inovative zgjojnë shpresë. Urojmë që qindra e mijëra pacientë të tjerë të kenë mundësinë të marrin pjesë në këto studim klinike në të ardhmen.







Lini një Përgjigje te pealsabdallah Anuloje përgjigjen