Efektet anesore nga radioterapia

Radioterapia është një nga modalitetet e trajtimit onkologjik që përdoret efektivisht në shumë tumore. Efektet anësore më të zakonshme nga radioterapia ndryshojnë nga personi në person. Kjo sepse këto efekte varen nga lloji i tumorit, lokalizimi i tij, doza e përdorur e rrezatimit, gjëndja e përgjithshme e pacientit etj. Komunikimi me mjekët tuaj rreth efekteve anësore që shfaqni është thelbësor në mënyrë që të mund të merrni ndihmën e nevojshme.

Pse shkakton efekte anësore radioterapia?

Në këtë lloj trajtimi, dozat e larta të rrezatimit mund të shkatërrojnë qelizat kanceroze. Efektet anësore vijnë si pasojë e dëmtimit të qëlizave e indeve të shëndetshme përreth në zonës së rrezatuar.

Në vitet e fundit  ka patur mjaft risi në fushën e radioterapisë duke e bërë më shumë precize. Kjo ka reduktuar efektet anësore  krahasuar me teknikat e mëparshme të rrezatimit.

Disa pacientë mund të përjetojnë pak ose aspak efekte anësore, ndërsa të tjerë efekte më të rënda nga trajtimi. Efektet e radioterapisë shpesh nisin gjatë javës së dytë ose tretë të trajtimit. Ato mund të zgjasin për disa javë pas mbarimit të trajtimit. Disa efekte të tjera janë më afatgjata.

Cilat janë efektet anësore më të zakonshme?

Radioterapia është një trajtim lokal dhe si e tillë prek vetëm zonën specifike të targetuar. P.sh. radioterapia në regjionin e kokës mund të shkaktojë alopeci (rënie të flokëve), ndërkohë që personat që i nënshtrohen trajtimit radiant në zona të tjera të trupit nuk kanë humbje të flokëve.

Efekte anësore të hershme 

Ndodhin gjatë ose shumë afër përfundimit të trajtimit radiant. Zakonisht zhduken brenda disa javëve nga përfundimi i trajtimit. Mund të përmendim këtu lodhjen dhe ndryshimet në lëkurë si efektet anësore më të zakonshme. Efekt tjetër anësor që lidhet me zonën e targetuar është alopecia (rënia e flokëve) dhe probleme me mukozën e gojës.

Efekte anësorë të vonshme

Mund të duan muaj ose vite që të zhvillohen dhe mund të ndodhin në çdo ind të trupit tuaj që i është nënshtruar trajtimit me rrezatim. Risku për efekte të vonshme lidhet jo vetëm me zonën e rrezatuar por edhe me dozën e përzgjedhur në trajtim. Një plan i kujdesshëm terapeutik mund të shmang efektet anësore serioze afatgjata. Komunikoni me mjekun tuaj onkolog radioterapeut për riskun për efekte anësore afatgjata.

Barna radio-protektive për të reduktuar efektet anësore

Një mundësi për të reduktuar efektet anësore nga trajtimi radiant është përdorimi i barnave radio-protektive, por këto përdoren vetëm në disa lloje radioterapie në zona specifike trupore. Këto barna jepen përpara trajtimit rrezatues për të mbrojtur indet e shëndosha përreth zonës ku do kryhet rrezatimi. Bari më i njohur është Amifostine. Ky medikament mund të përdoret tek personat me kancer të kokë-qafës për të reduktuar problemet e kavitetit oral të lidhura me rrezatimin.

Efekte anësore fizike më të shpeshta përfshijnë:

1. Ndryshime në lëkurë.

Disa pacientë mund të manifestojnë tharje të lëkurës, kruarje ose djegie të lëkurës në zonën ku aplikohet trajtimi. Ndryshime të lëkurës prej radioterapisë zakonisht largohen brenda disa javësh pas përfundimit të trajtimit. Nëse dëmtimi bëhet serioz, mjeku juaj mund të ndryshojë planin e punës. Aplikimi i locioneve/kremrave mund të ndihmojë, por konsultohuni me mjekun tuaj kur të mund ta aplikoni. Gjithashtu mbroni lëkurën tuaj ndaj diellit.

Keshilla:

  • Mos vishni veshje të ngushta apo të ashpra për lëkurën
  • Mos fërkoni lëkurën ku po kryhet trajtimit
  • Mos vendosni materiale të nxehta apo të ftohta në  regjionin  ku po aplikohet trajtimi
  • Mbrohuni nga dielli
  • Lahuni me ujë të vakët

2. Lodhje

Lodhja është një term i përdorur për të përshkruar një ndjesi trupore, emocionale dhe mendore, pavarësisht se sa pushoni apo flini. Kjo është një ankesë e zakonshme te shumica e pacientëve dhe shkalla juaj e lodhjes mund të rritet kur jeni duke ju nënshtruar më shumë se një lloji trajtimi (p.sh. radioterapi dhe kemioterapi së bashku).

3. Rënie të flokëve

Radioterapia mund të shkaktojë rënie ose hollim të flokëve në zonën ku po aplikohet rrezatimi. Në shumicën e paientëve, flokët/qimet rriten përsëri pas përfundimit të trajtimit por mund ta kenë të vështirë emocionalisht për tu përballur me këtë dukuri. Kur floku rritet përsëri ai është më i hollë ose me një teksturë tjetër krahasimisht me më përpara. Nëse ju bie floku, skalpi juaj mund të jetë më i ndjeshëm dhe mund të nevojitet që ta mbani të mbuluar me kapele, shall ose paruke.

4. Ulje të rruazave të bardha

Rrallë herë, trajtimi radiant mund të japë edhe ndryshime në kuadrin e gjakut, duke rritur riskun për infeksione ose hemorragji. Nëse analizat tuaja laboratorike tregojnë rënie të rruazave të bardha ose të kuqe, rekomandohet që trajtimi të shtyhet me disa ditë deri në normalizim. Në fakt, ky si efekt anësor është më i hasur nëse jeni duke kryer edhe kimioterapi.

Cilët janë efektet anësore të lidhura me regjionin e rrezatuar?

Në tru

Pacientët me tumore cerebrale shpesh i nënshtrohen radiokirurgjisë stereotaktike nëse tumori i tyre është i lokalizuar vetëm në një ose pak regjione cerebrale. Efektet anësore varen se ku është i targetuar rrezatimi. Disa efekte mund të shfaqen herët, ndërkohë të tjera mund të duken 1-2 vite pas trajtimit. Komunikoni me mjekun tuaj radioterapeut vazhdimisht.

Nëse tumori gjendet në shumë regjione cerebrale atëhere mund ti nënshtroheni radioterapisë Whole Brain (WBRT). Efektet anësore mund të mos jenë të dukshme deri në disa javë nga fillimi i trajtimit.

Rrezatimi në këtë regjion mund të shkaktojë:

  1. Cefale (dimbje koke)
  2. Rënie të flokëve
  3. Nauze
  4. Të vjella
  5. Lodhje ekstreme
  6. Ulje/humbje të dëgjimit
  7. Ndryshime në lëkurë dhe skalp
  8. Probleme me kujtesën dhe të folurën
  9. Konvulsione

Disa nga këto efekte anësore mund të ndodhin pasi rrezatimi ka shkaktuar edemë cerebrale. Mund të përdoren medikamente për parandalimin e edemës cerebrale, por është e rëndësishme të informoni mjekun tuaj nëse keni dhimbje koke ose simptoma të tjera.

Rrezatimi në tru mund të shkaktojë edhe efekte anësore të vonshme, zakonisht 6 muaj ose disa vite pas përfundimit të trajtimit. Këto efekte anësore të vonshme mund të përfshijnë probleme të rëndësishme në kujtesë, simptoma të ngjashme me isheminë cerebrale ose funksionim të dobët cerebral.

Kokë-qafë

Rrezatimi në këtë regjion mund të shkaktojë:

  1. Tharje të gojës
  2. Vështirësi në deglutim (përtypje)
  3. Ndryshim në shije
  4. Ngurtësim të nofullës
  5. Acarim të gingivave
  6. Nauze            
  7. Rënie të flokëve
  8. Limfedema
  9. Dëmtim të dhëmbëve

Keshilla:

  • Shmangni ushqimet e forta, pikante
  • Mos konsumoni ose pini ushqime të nxehta ose të ftohta
  • Mos tymosni ose pini alkool – veçanërisht nëse keni mukozite ose plagë në gojë
  • Shmangni ushqimet me shumë sheqer
  • Shplani gojën me ujë me sodë buke pas çdo vakti
  • Konsumoni dietë gjysmë të lëngshme për të shmangur dëmtim të gingivave
  • Shplarje të gojës me larës pa alkool dhe furçë të butë dhëmbësh

Toraks (kraharor)

Rrezatimi në këtë regjion mund të shkaktojë:

  1. Vështirësi në përtypje
  2. Dispne (vështirësi në frymëmarrje)
  3. Acarim të gjirit
  4. Dëmtim të nervave në shpatull ose krahë
  5. Kollë, temperaturë dhe ndjesi rëndese në kraharor të njohura si pneumoni nga rrezatimi. Kjo ndodh midis javës së dytë dhe 6 muajve nga përfundimi i trajtimit radiant.
  6. Fibrozë nga rrezatimi, që shkakton dëmtim permanent të mushkërive prej mos-trajtimit të pneumonisë nga rrezatimi.

Rrezatimi në gji shkakton ndryshime afatgjata në gji. Lëkura juaj mund të hiperpigmentohet (të duket më e errët) dhe poret të jenë më të dukshme. Gjithashtu lëkura mund të jetë më pak ose më shumë e ndjeshme dhe të ndihet më e trashë se përpara fillimit të trajtimit. Ndonjëherë mund të vihen re edhe ndryshime në madhësinë e gjirit, i cili mund të bëhet më i madh si pasojë e akumulimit të likidit nga plaga operatore. Këto efekte mund të zgjasin për një kohë të gjatë pas radioterapisë. Komunikoni me mjekun tuaj onkolog radioterapeut për çdo ndryshim në përmasa, pamje dhe teksturë të gjirit

Efekte anësore të rralla janë edhe komplikacionet kardiake – mund të keni dëmtim të valvulave kardiake nëse jeni mbartës të tyre, çrregullim të ritmit kardiak etj.

Stomaku dhe abdomeni

Rrezatimi në këtë regjion mund të shkaktojë:

  1. Humbje të oreksit
  2. Nauze dhe të vjella
  3. Krampe abdominale
  4. Diarre

Këto simptoma zhduken pas përfundimit të trajtimit. Gjatë trajtimit, mjeku juaj do tiu përshkruajë medikamente për të menaxhuar efektet e mundshme anësore. Ndryshime në dietën tuaj gjithashtu mund të lehtësojë simptomat.

Pelvis

Rrezatimi në këtë regjion mund të shkaktojë:

  1. Diarre
  2. Rektorragji
  3. Irritim të fshikëzës së urinës me dhimbje ose djegie të urinës ose gjak në urinë (hematuri)
  4. Probleme seksuale, ku përfshihen ndryshime fizike e emocionale që mund të ndikojnë në intimitet dhe në jetën tuaj seksuale. Problemet mund të përfshijnë disfunksionin erektil, djegie ose tharje të vaginës etj.
  5. Çrregullime të ciklit menstrual si p.sh. ndërpreja dhe manifestim të simptomave të menopauzës.
  6. Probleme me fertilitetin, që do të thotë mundësinë për të patur fëmijë në të ardhmen. Probleme specifike përfshijnë një numër të ulët spermatozoidësh ose aktivitet të ulët të tyre sidomos kur rrezatimi është i targetuar në regjionin testikular apo në prostatë. Nëse të dy ovaret (vezoret) rrezatohen atëherë i duhet shpjeguar pacientes risqet që ky trajtim mund të mbarti.

Rrezatimi në këtë regjion mund të jap edhe efekte anësore afatgjata si:

  • Cistiti nga rrezatimi – nëse trajtimi radiant dëmton shtresën e fshikëzën urinare, cistiti mund të jetë një problematikë afatgjatë që shkakton gjak në urinë (hematuri) ose dhimbje në urinim
  • Inkontinencë urinare – trajtimi radiant për disa lloje neoplazish si kanceri i prostatës ose i vezikës urinare mund të shkaktojë probleme në kontrollin e urinimit. Ka disa tipe dhe shkallë inkontinence, por mund të trajtohen. Nëse nuk korrigjohet plotësisht, mund të paktën të përmirësohet. Përgjithësisht kjo problematikë është më e shpeshtë tek burrat me kancer prostate.
  • Fistula – në raste të rralla, rrezatimi mund të shkaktojë fistula midis organeve në regjionin pelvik si p.sh. midis vaginës dhe vezikës urinare ose midis vezikë urinare dhe rektumit. Këto problematika zgjidhen kirurgjikalisht.

Po efektet anësore nga brakiterapia?

Brakiterapia është një formë terapie rrezatuese që përdoret për të trajtuar lloje të ndryshme neoplazish. Trajtimi nënkupton inserimin e disa pllakave/kapsulave/implanteve radioaktive brenda ose afër tumorit që emetojnë rrezatim brenda një kohë të shkurtër kohore. Njihet ndryshe si rrezatim i brendshëm (internal radiation). Nëse trajtimi juaj përfshin brakiterapinë, efektet anësore janë në varësi të zonës ku kryhet rrezatimi.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna