FOLFOX

Në praktikën e përditshme onkologjike, skema FOLFOX mbetet ndër më të aplikueshmet, sidomos në trajtimin e kancerit kolorektal por mund të përdoret edhe në patologji të tjera si kanceri i pankreasit apo kanceri i stomakut.

FOLFOX është një skemë kimioterapie ku kombinohen medikamente si acidi folinic (leucovorine, FOL), fluorouracil (5-Fu, F) dhe oxaliplatin (Eloxatin, OX). Si çdo skemë kimioterapie, edhe ajo shkakton efekte anësore që mund të menaxhohen.

FOLFOX-4

Skema e trajtimit

Dita 1: Aplikohet fillimisht premedikimi. Pastaj oxaliplatin dhe ac.folinic njëkohësisht nëpërmjet një Y-line për rreth 2 orë. Pasuar nga Fluorouracil bolus për 2-4 minuta dhe më pas infuzion i vazhdueshëm 22 orë i Fluorouracil nëpërmjet një pompe elastomerike.
Dita 2: Ac.folinic për 2 orë, pasuar nga një bolus Fluorouracil për 2-4 minuta dhe në pas infuzion i vazhdueshëm nëpërmjet një pompe elastomerike i Fluorouracil për 22-24 orë.
Dita 3-14 pushim.
Pas 14 ditësh nga dita e parë, aplikohet terapia e ciklit të dytë sipas të njëjtës skemë.

mFOLFOX-6

Skema e trajtimit

Dita 1-2: Aplikohet fillimisht premedikimi. Pastaj oxaliplatin dhe ac.folinic njëkohësisht nëpërmjet një Y-line për rreth 2 orë. Pasuar nga Fluorouracil bolus dhe më pas infuzion i vazhdueshëm 46-48 orësh i Fluorouracil nëpërmjet një pompe elastomerike.
Dita 3-14 pushim.
Pas 14 ditësh nga dita e parë, aplikohet terapia e ciklit të dytë sipas të njëjtës skemë.

Për aplikimin e këtyre regjimeve preferohet administrimi nëpërmjet një PICC line ose portacath që janë kateterë venoz centralë në mënyrë që mos të krijohen flebite (inflamacion) në regjionin ku aplikohet terapia.

Cilat janë efektet anësore të FOLFOX?

Efektet anësore që shfaqen variojnë nga pacienti në pacient, në varësi të gjëndjes së përgjithshme të pacientit (performancës klinike), sëmundjeve bashkëshoqëruese dhe barnat e suplementet që është duke marrë njëkohësisht. Efektet anësore më të shpeshta janë:

1. Risk i shtuar për infeksione

Kjo vjen si pasojë e rënies së numrit të rruazave të bardha. Simptomat përfshijnë temperaturë, dhimbje muskujsh, ethe.

Kujdes! Në rast shënja të një infeksioni (urinar, tonsila, mushkëri) dhe një temperature mbi 37.50C që persiston, duhet patjetër të informoni mjekun tuaj.

2. Lodhje dhe dobësi trupore

Këto simptoma mund të ndodhin gjatë dhe pas trajtimit. Zakonisht zgjasin 4-7 ditë pas trajtimit. Rekomandohet një aktivitet i moderuar fizik, por pa e sforcuar veten. Pushoni atëhere kur e ndjeni të nevojshme dhe kërkoni ndihmë familjarëve e miqve tuaj nëse ju nevojitet.

3. Nauze të vjella

Nauzeja dhe të vjella janë ndër efektet anësore më të shpeshta kur flasim për kimiopreparate. Përdorimi i antiemetikëve sipas rekomandimeve të mjekut tuaj është thelbësor në menaxhimin e situatës.

4. Diarre

Është një efekt anësor i zakonshëm. Nëse mbi 4-episode diarreje në 24 orë duhet të komunikoni me mjekun tuaj. Diarreja mund të shoqërohet me krampe abdominale, dhimbje dhe fryrje të barkut. Në varësi të gjëndjes, mund t’ju rekomandohen barna antidiarreike, probiotikë, hidratim më i mirë dhe modifikime në regjimin tuaj ushqimor (shmangia e lëngjeve të frutave, perimeve dhe ushqimeve me fibra).

5. Ndjesi shpimesh në duar dhe këmbë

Ndjesia e shpimeve dhe mpirjes e njohur ndryshe si neuropati periferike, është një simptomë e përkoshshme që përmirësohet pas përfundimit të planit tuaj të trajtimit. Shmangni ekspozimin në ambiente të ftohta pasi mund të rezultojë me dhimbje të forta (si rrymë korrenti) në duart, këmbët e fytyrën tuaj.

Kujdes! Flisni me mjekun tuaj rreth shkallës së shqetësimit në mënyrë që në varësi të saj të mund të merrni një trajtim suporti ose të bëhen modifikime në dozimet e medikamenteve.

6. Spazma të laringut

Laringospazmat shfaqen me një vështirësi në frymëmarrje dhe në gëlltitje. Kjo vjen si pasojë e Oxaliplatin dhe është një efekt i përkohshëm që largohet pas përfundimit të planit të kurimit.

Kujdes! Shmangni ushqimet dhe pijet e ftohta pasi kjo simptome lidhet ngushtësisht me ekspozimin në temperatura të ulëta. Vishni veshje të plota, mbani shall dhe shmnagni frymëmarrjen në ambiente të ftohta.

7. Plagë në gojë

Plagët në gojë mund të jenë të dhimbshme dhe t’ju pengojnë në ushqyerje, ndaj është e rëndësishme të merren masa parandaluese për to. Ruajtja e higjienës së gojës është thelbësore. Disa nga masat përfshijnë: shplarje e gojës pas çdo vakti me ujë me bikarbonat (sodë buke), larja e dhëmbëve me furçë të butë e shplarës pa alkool.

8. Reaksione alergjike

Reaksionet alergjike mund të jenë prezente gjatë por edhe pas trajtimit (reaksion i vonuar). Simptomat përfshijnë kruarje, skuqje të lëkurës dhe rash. Në rastet më të rënda pacienti mund të ketë edhe vështirësi në frymëmarrje, ënjtje të fytyrës dhe të buzëve, tension të ulët, marrje mëndsh.

Kujdes! Është shumë e rëndësishme të komunikoni me mjekun tuaj nëse shfaqni simptomat e mësipërme!

9. Ndryshime elektrolitike

Gjaku përmban minerale të ndryshme, elektrolite dhe proteina. Ky trajtim mund të sjelli ndryshime në nivelet normale të Natriumit, Kaliumit, Kalciumit dhe Magnezit në gjak.

10. Flebit

Në rast se terapia aplikohet me një akses venoz periferik (jo nëpermjet një portacath apo picc line) zona mund të skuqet dhe t’iu shkaktojë dhimbje. Komunikoni me mjekun tuaj në mënyrë që të mund të përdorni pomade lokale me bazë heparine në ato regjione.

11. Probleme kardiake

Fluorouracil është një kimiopreparat që njihet për efektin e tij kardiotoksik. Për rrjedhojë përpara fillimit të trajtimit është shumë e rëndësishme kryerja e një vlerësimi kardiologjik me EKG dhe Eko zemre.

Në rast se keni histori të mëparshme problemesh kardiake ose keni faktorë të njohur risku është thelbësore t’ia komunikoni mjekut tuaj kurues.

Efektet anësore të lartpërmendura janë efektet anësore më të shpeshta si pasojë e trajtimit me FOLFOX. Megjithatë, ka pacientë që mund të shfaqin efekte të tjera më të rralla. Komunikoni me mjekun tuaj për çdo shqetësim që mund të keni gjatë trajtimit tuaj me këtë kimioterapi.

Kujdes! Informoni mjekun tuaj për çdo medikament, suplement, vitamina, produkte bimore apo vajore që mund të jeni duke marrë gjatë kësaj periudhe.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna