Në dekadën e fundit, kryerja e analizës së PSA ka shtuar numrin e rasteve të diagnostikuara me kancer të prostatës. Në opsionet diagnostikuese, në rast të një PSA të rritur, zakonisht kryhet rezonanca magnetike (MRI) pelvike dhe biopsia. Opsione të tjera, duke marrë në konsideratë volumin e prostatës dhe simptomat, janë përsëritja e PSA, matja e raportit free/total PSA dhe shpejtësia e rritjes së PSA.
Së fundmi, matet koha e dyfishimit të PSA, e cila tregon rritjen eksponenciale të PSA në kohë. Për të përcaktuar kohën e dyfishimit të PSA, duhen të paktën 3 vlera të PSA (vlera minimale > 0.2 ng/mL), të kryera të paktën me 1 muaj diferencë nga njëra-tjetra.
Sipas udhëzuesve mbi depistimin e kancerit të prostatës, matja e PSA rekomandohet në:
- Burra > 50 vjeç
- Burra > 45 vjeç me histori familjare per kancer prostate
- Burra > 40 vjeç me mutacion të njohur në BRCA2
Nga depistimi, mund të përjashtohen burrat me jetëgjatësi të pritshme deri në 15 vjet, pasi në ta, nuk është parë benefit nga depistimi.
Rastet asimptomatike me PSA të rritur
Në rastet asimptomatike me PSA të rritur, në vlerat 3-10 ng/mL dhe DRE normal, mund të përsëritet PSA pa kaluar në metoda të tjera diagnsotikuese. Megjithatë, evidencat mbështesin fortësisht kryerjen e MRI të prostatës.
Mbani mend:
- Depistimi i kancerit të prostatës me PSA ka mundësuar diagnostikimin e hershëm të kancerit të prostatës, duke shtuar dhe numrin e ekzaminimeve si MRI dhe biopsi për të konfirmuar diagnozën.
- Megjithatë, depistimi i kancerit të prostatës duhet të kryhet në mënyrë selektive për shkak të mundësisë së mbidiagnostikimit dhe trajtimive të panevojshme, në këtë rast potencialisht të dëmshme.
- Rritja progresive e PSA, shpesh e llogaritur me anë të kohës së dyfishimit, mund të jetë tregues i një kanceri prostate dhe mund të çojë në ekzaminime të tjera diagnostikuese.
- Në burrat me risk të lartë për zhvillim të kancerit të prostatës, si burrat mbi 45 vjeç me histori familjare për kancer prostate, mund të konsiderohet matja në vazhdimësi e PSA.
- Intervali i kryerjes së analizës së PSA bazohet në nivelin fillestar të PSA, ritmin e rritjes së PSA dhe dyshimi për një kancer të mundshëm të prostatës bazuar në DRE.







Lini një koment