Dislipidemia është çrregullimi i profilit të lipideve në gjak. Lipidet kryesore që njihen nga organizmi janë kolesteroli, trigliceridet dhe fraksionet e tyre.
Llojet e lipideve dhe roli i tyre
Kolesteroli është një komponent thelbësor i membranave qelizore, i trurit dhe qelizave nervore dhe i lëngut biliar. Trupi përdor kolesterolin për të prodhuar vitaminë D dhe hormone të ndryshme, si estrogjeni, testosteroni dhe kortizoli. Trupi mund të prodhojë të gjithë kolesterolin që i nevojitet, por gjithashtu e merr kolesterolin nga ushqimi.
Trigliceridet, të cilat përmbahen në qelizat dhjamore, mund të shpërbëhen dhe më pas të përdoren për të siguruar energji për proçeset metabolike të trupit, duke përfshirë rritjen. Trigliceridet prodhohen në zorrë dhe mëlçi nga yndyrna më të vogla të quajtura acide yndyrore. Disa lloje të acideve yndyrore prodhohen nga trupi, por të tjerët duhet të merren nga ushqimi.
Lipoproteinat janë grimca të proteinave dhe substancave të tjera. Ato mbartin yndyrna, të tilla si kolesteroli dhe trigliceridet, të cilat nuk mund të qarkullojnë lirshëm në gjak vetë.
Ekzistojnë lloje të ndryshme lipoproteinash duke përfshirë:
- Kilomikronet
- Lipoproteinat me densitet të lartë (HDL) – kolesteroli i ‘mirë’
- Lipoproteinat me densitet të ulët (LDL) – kolesteroli i ‘keq’
- Lipoproteinat me densitet shumë të ulët (VLDL)
Shkaqet e Dislipidemive
Nivelet e lipoproteinave dhe rrjedhimisht lipideve, veçanërisht të lipoproteinave me densitet të ulët (LDL), rriten pak me kalimin e moshës. Nivelet janë normalisht pak më të larta tek meshkujt sesa tek femrat, por nivelet rriten te femrat pas menopauzës. Rritja e niveleve të lipoproteinave që ndodh me moshën mund të rezultojë në dislipidemi.
Përveç ndryshimeve fiziologjike të lidhura me moshën dhe gjininë, dislipidemitë mund të zhvillohen për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Problemet hormonale dhe metabolike mund të influencojnë në nivelin e lipideve dhe rritjen e tyre mbi normat.
Dislipidemitë mund të jenë të lindura (defekte gjenetike) ose të fituara.
Dislipidemia primare (trashëguese) – Shkaqet kryesore përfshijnë mutacione gjenetike që bëjnë që trupi të prodhojë shumë kolesterol LDL ose trigliceride ose të dështojë në largimin e këtyre substancave. Disa shkaqe përfshijnë mungesën e prodhimit ose heqjen e tepërt të kolesterolit HDL. Shkaqet parësore priren të jenë të trashëguara dhe kështu të rjedhin në familje.
Shkaqet dytësore kontribuojnë në shumicë e rasteve të dislipidemisë. Shkaku kryesor i dislipedmisë sekondare është jeta sedentare dhe ushqimi hiperkalorik me yndyrna të ngopura, kolesterol dhe yndyra trans. Disa shkaqe të tjera dytësore të zakonshme përfshijnë:
- Diabeti mellitus (diabeti i sheqerit)
- Konsumimi i sasive të mëdha të alkoolit
- Sëmundje kronike të veshkave
- Hipotiroidizmi
- Sëmundje të mëlçisë dhe pankreasit
- Përdorimi i medikamenteve të caktuara etj.







Lini një koment