Carboplatin Paclitaxel

Skema e kombinuar e Paclitaxelit dhe Carboplatinës, që shpesh njihet si Carbo-Taxol është një trajtim për disa lloje të ndryshme kanceri, përfshirë kancerin e ovarit, kancerin e mushkërisë dhe të gjirit. Si çdo skemë kimioterapie, edhe skema e Carbo-Taxolit shkakton efekte anësore, që mund të menaxhohen.

Sa shpesh merret terapia?

Zakonisht paclitaxeli aplikohet për rreth 3 orë ndërsa carboplatina për rreth 30 minuta deri në 1 orë. I gjithë trajtimi, përfshirë premedikimin zgjat rreth 4-5 orë.

Terapia merret me cikle dhe 1 cikël zakonisht zgjat 3 javë (21 ditë). Në varësi të llojit të kancerit, për trajtim mund të duhen deri në 8 cikle terapi që zgjasin rreth 6 muaj.

Skema e trajtimit:

Dita 1: Aplikohet premedikimi, paclitaxeli dhe carboplatina

Dita 2-21: Pushim

Pas 21 ditëve nga dita 1, aplikohet terapia e ciklit 2 sipas të njëjtës skemë.

Çfarë analizash kryhen para çdo cikli?

Analizat e gjakut janë të nevojshme para çdo cikli dhe gjate trajtimit. Këto analiza tregojnë parametrat e gjakut dhe funksionin e organeve si mëlçia dhe veshkat, në mënyrë që kimioterapia të mund të aplikohet sipas dozave të paracaktuara apo nëse do të jetë e nevojshme shtyrje e seancës së kimioterapisë, modifikm i dozave të trajtimit ose terapi suporti.

Cilat janë efektet anësore të paclitaxel dhe carboplatin?

Efektet anësore që shfaqen nga pacienti në pacient janë të ndryshme dhe varen edhe nga gjendja e përgjithshme e pacientit, sëmundjet shoqëruese dhe barnat e suplementet që është duke marrë njëkohësisht. Efektet anësore më të shpeshta janë:

Risk i shtuar për infeksione

Risku i shtuar për infeksione vjen si pasojë e rënies së numrit të rruazave të bardha. Simptomat në këtë rast, mund të jenë temperaturë, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, ethe. Simptomat mund të jenë të ndryshme në varësi të lokalizimit të infeksionit (infeksion urinar, tonsila, mushkëri, etj).

Kujdes! Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse keni shenja të infeksionit dhe/ose temperaturë mbi 37.50C.

Gjakderdhje nga mishrat e dhembëve ose nga hunda

Këto simptoma mund të jenë si pasojë e rënies së pllakëzave të gjakut (trombociteve). Trombocitet ndihmojnë mpiksjen e gjakut, psh. kur kemi një plagë, apo jemi prerë në lëkurë, etj. Njoftoni mjekun nëse keni gjakderdhje të pazakontë nga gingivat gjatë larjes së dhëmbëve, gjakderdhje spontane nga hunda ose vini re pika të vogla të kuqe në lëkurë (petechiae).

Lodhje dhe dobësi trupore

Lodhja dhe dobësia trupore mund të ndodhin gjatë dhe pas trajtimit. Aktiviteti fizik i moderuar mund të ndihmojë për rifitimin e energjisë. Por mos e sforconi veten, pushoni atëherë kur e ndjeni të nevojshme dhe kërkoni ndihmë nga familjarët dhe miqtë.

Nauze dhe të vjella

Edhe pse nauzeja dhe të vjellat janë efekte të shpeshta anësore nga trajtimi me kimioterapi, barnat e përdorura në premedikim dhe barnat e suportit në vazhdim ndihmojnë në mirë-kontrollin e këtij efekti anësor.

Dhimbje

Shpesh pacientët ndjejnë dhimbje të muskujve, kyçeve dhe gjymtyrëve. Por ndonjëherë mund të kenë dhimbje të veshëve, gojës, fytit, fytyrës dhe kocakve.

Reaksione alergjike

Reksionet alergjike mund të ndodhin gjatë dhe pas trajtimit. Simptomat mund të jenë kruarje, rash dhe skuqje në fytyrë.

Në rastin e reaksioneve alergjike të rënda, simptomat mund të përfshijnë marrje fryme, ënjtje të fytyrës dhe buzëve, marrje mendsh. Nëse ndjeni ndonjë prej këtyre simptomave, informoni menjëherë mjekun tuaj.

Rënie flokësh

Gjatë këtij trajtimi mund të humbisni gjithë flokët, përfshirë edhe qerpikët, vetullat, qimet e sqetullës, këmbëve dhe të zonës pubike. Flokët dalin sërish pas përfundimit të trajtimit dhe mund të jenë më ngjyrë tjetër dhe kaçurrela.

Probleme të veshkave

Për të parandaluar efektet anësore në veshka duhet të pini shumë ujë. Për të kontrolluar funksionin e veshkave kryen analizat para çdo cikli.

Plagë në gojë

Plagët në gojë mund të jenë të dhimbshme dhe të pengojnë ushqyerjen, ndaj është e rëndësishme të parandalohen. Ruani higjienën e gojës me furçë të butë dhe shpëlarës pa alkool. Gjithashtu, pini shumë ujë, shmangni ushqimet acidike.

Diarre

Nëse keni 4 ose më shumë episode diarreje në 24 orë, kontaktoni mjekun tuaj. Në varësi të gjendjes, mjeku mund të rekomandojë barna anti-diarreikë dhe modifikime në dietë si shmangia e ushqimeve me fibra, lëngjet e frutave, drithërat dhe perimet dhe mirë-hidratim.

Shpime dhe mpirje të këmbëve dhe duarve

Ndjesia e shpimeve dhe mpirjes së këmbëve dhe duarve është e përkohëshme dhe përmirësohet pas përfundimit të trajtimit. Flisni me mjekun tuaj për të kuptuar gradën e shqetësimit dhe në varësi të saj mund të merrni trajtim suporti ose të bëhen modifikime në dozat e trajtimit.

Probleme të mëlçisë

Zakonisht efektet anësore të shfaqura në mëlçi janë të lehta dhe pa simptoma. Ato reflektohen kryesisht si rritje e transaminazave që normalizohen pas trajtimit. Për të kontrolluar funksionin e mëlçisë kryen analizat para çdo cikli.

Ndryshime në nivelin e mineraleve në trup

Gjaku përmban minerale të ndryshme, elektrolite dhe proteina. Ky trajtim mund të shkaktojë ndryshim të nivelit të natriumit, kalciumit, magnezit dhe kaliumit në gjak.

Inflamacion të traktit digjestiv

Ky trajtim mund të shkaktojë inflamacion të traktit digjestiv, që nga fyti, stomaku dhe rektumi. Nëse merrni medikamente për dhimbjen, merreni ato 30 min para ushqimit për të mos ndjerë probleme gjatë ngrënies. Flisni me mjekun për të rekomanduar ushqimet më të përshtatshme.

Çfarë tjetër duhet të di?

Efektet anësore të përmendura më sipër janë efektet anësore më të shpeshta si pasojë e trajtimit me carboplatin dhe paclitaxel. Mgjth, disa persona mund të përjetojnë efekte anësore të tjera më të rralla. Është e rëndësishme të flisni me mjekun tuaj për çdo shqetësim që ndjeni gjatë trajtimit me kimioterapi.

Gjithashtu, është e rëndësishme t`i tregoni mjekut për medikamentet dhe/ose produktet bimore që jeni duke marrë. Këtu përfshihen vitaminat dhe suplemente të tjera.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna