Gratë nën trajtim hormonal për kancer gjiri, përjetojnë një sërë efektesh anësore që ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre.
Ndër efektet anësore më të shpeshta që shfaqen në fazat e para të trajtimit janë afshet e nxehta dhe simptoma të ngjashme me ato të menopauzës si tharje vaginale dhe çrregullim të humorit. Ka disa mënyra për të adresuar këto shqetësime, ndaj është e rëndësishme që mjeku dhe pacienti të kenë një qasje proaktive për parandalimin e tyre ose për menaxhimin e tyre kur efektet shfaqen.
Një tjetër efekt anësor që shfaqet më vonë, i lidhur me supresionin ovarian është ndikimi në shëndetin e kocave dhe sistemin kardiovaskular. Për këtë arsye rekomandohet ndjekja e pacienteve me densitometri kockore, si dhe rekomandohet suplementimi me vitaminë D, veçanërisht nëse rezulton mungesë në analizën e gjakut.
Një vëmendje e veçantë duhet kushtuar edhe sferës psikosociale, e cila jo vetëm që ndikon mirë-qenien e tyre të përditshme, por ndikon edhe rezultatet e trajtimit. Nëse gratë nuk po e tolerojnë mirë trajtimin, ose nuk janë mirë emocionalisht, kjo gjendje mund të ndikojë në mos marrjen siç duhet te mjekimit, e për rrjedhojnë do të ndikojë në rezultatet e trajtimit.
Ndaj është e rëndësishme të flitet për këto shqetësime me pacinetet nën trajtim hormonal adjuvant për kancer gjiri, në mënyrë që të maksimozohen efektet e trajtimit dhe përmirësohet cilësia e jetës.
Shëndeti seksual në gratë nën trajtim hormonal për kancer gjiri
Për shumë gra nën trajtim hormonal për kancerin e gjirit, problemet e shëndetit seksual janë shumë të shprehura. Ndër shqetësimet kryesore mund të jenë rënia e libidos dhe tharja vaginale që shpesh shfaqen së bashku.
Gjithashtu, gratë shfaqin afshe të nxehti të cilat shpesh çojnë në pagjumësi e për rrjedhojë në lodhje e ndikim në shëndetin seksual.
Për tharjen vaginale zakonisht rekomandohen lubrifikantë, ndërsa për afshet e të nxehtit barna si venlafaxina dhe gabapentina. Përsa i përket rënies së libidos, është parë që aktiviteti fizik dhe këshillimi me psikolog mund të ndihmojë në përmirësim.
Është e rëndësishme që problematikat që shfaqin gratë në periudhën e terapisë endokrine për trajtimin e kancerit të gjirit të trajtohen me një qasje multifaktoriale, pasi shpesh efektet anësore janë një ndërlidhje e shqetësimeve fizike dhe atyre psikosociale.







Lini një koment