Trajtimi i kancerit të mushkërisë varet nga disa faktorë si histologjia e tumorit, shtrirja e tumorit dhe faktorë të tjerë individualë të lidhur me gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit.
Kirurgjia konsiderohet si trajtimi kryesor i kancerit të mushkërisë në stadet e tij të hershme. Qëllimi i kirurgjisë është të heqë atë pjesë të mushkërisë ku ndodhet tumori dhe limfonoduj të afërt me tumorin.
Kur rekomandohet kirurgjia në kancerin e mushkërisë?
Qëllimi kryesor i kirurgjisë në kancerin e hershëm të mushkërive është të shërojë kancerin e mushkërive me anë të heqjes së plotë kirurgjikale të tumorit. Por kirurgjia mund të kontribuojë edhe në diagnozën e kancerit të mushkërisë dhe të ofrojë lehtësim të simptomave me qëllim paliativ, duke përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve.
Sot, kirurgët torakalë së bashku me onkologët janë të përfshirë në shumë hapa të rrugëtimit të pacientëve të prekur nga kanceri i mushkërive, që nga diagnostikimi dhe trajtimi kurativ deri te kujdesi paliativ.
Për të kutpuar nëse kirurgjia është modaliteti i duhur i trajtimit, mjekët marrin në konsideratë disa faktorë, si:
Lloji i kancerit të mushkërisë: Kirurgjia rekomandohet më shpesh në trajtimin e kancerit të mushkërisë me qeliza jo-të vogla (NSCLC). Meqenëse kanceri i mushkërisë me qeliza të vogla (SCLC) përhapet më shpejtë, kirurgjia nuk është efektive në këto tumore, përvec rasteve kur tumori është me përmasa shumë të vogla.
Stadi i sëmundjes: Stadi i sëmundjes është nje ndër faktorët kryesorë që ndikon vendimmarrjen mbi kirurgjinë. Kirurgjia është më efektive në stadin I, II dhe IIIA të kancerit të mushkërisë me qeliza jo-të vogla (NSCLC). Stadet më të avancuara trajtohen kryesisht me kombinim të rrezatimit dhe kimioterapisë, terapive të targetuara dhe imunoterapisë.
Lokalizimi i tumorit: Nëse tumori ndodhet në afërsi të organeve jetike si zemra, mund të konsiderohen trajtime të tjera përveç kirurgjisë si rrezatimi ose kimioterapia, për të zvogëluar tumorin dhe për të bërë të mundur heqjen kirurgjikale të tij.
Funksioni pulmonar: Gjendja e përgjithshme dhe funksioni pulmonar i pacientit tregojnë nëse kirurgjia është një opsion i sigurt trajtimi ose jo. Gjithashtu, ndikojnë edhe në përzgjedhjen e llojit të kirurgjisë.
Llojet e kirurgjisë për kancerin e mushkërisë
Janë 3 lloje kryesore të kirurgjisë për kancerin e mushkërisë.
Rezeksioni wedge dhe segmentektomia
Rezeksioni wedge përfshin heqjen e një pjese të mushkërisë që përmban tumorin dhe pak ind përreth tumorit. Kjo lloj kirurgjie rekomandohet kur tumori është shumë i vogël ose për qëllime diagnostikimi.
Segmentekotmia është heqja e një segmenti anatomik të mushkërisë prëfshirë edhe venat e arteriet që gjenden në të.

Lobektomia
Mushkëria e djathtë është e ndarë në 3 lobe, mushkëria e majtë është e ndarë në 2 lobe. Lobektomia është kirurgjia më e shpeshtë e përdorur për trajtimin e kancerit të mushkërisë dhe përfshin heqjen e një lobi të mushkërisë. Në disa raste mund të kryhet bilobektomia që përfshin heqjen e 2 lobeve të mushkërisë.

Pneumonektomia
Kur tumori është shumë i madh dhe përfshin më shumë se një lob ose tumori ka lokalizim qëndror në mushkëri, kryhet procedura e heqjes së një ane të plotë të mushkërisë, që quhet pneumonektomi.
Këto lloje kirurgjie mund të kryhen me anë të një incizioni të madh në murin torakal, të quajtur torakotomi ose nëpërmjet një procedure më pak invazive të quajtur torakoskopia video – asistuar (VATS). Teknika kirurgjikale përzgjidhet nga kirurgu torakal në varësi të madhësisë së tumorit dhe lokalizimit të tij.

Rikuperimi pas kirurgjisë për kancer pulmoni
Rikuperimi pas kirugjisë varet nga lloji i kirurgjisë dhe gjëndja shëndetësore e përgjithshme e pacientit. Dhimbja pas kirurgjisë është një simptomë e zakonshme që mund të zgjasë disa javë deri në disa muaj. Është e rendësishme të flisni me mjekun tuaj për të marrë mjekimet e duhura për lehtësismin e dhimbjes. Pas kirurgjisë do t`ju rekomandohet gjithashtu të bëni ushtrime për frymëmarrjen për të ndihmuar zgjerimin e mushkërive dhe parandalimin e pneumonisë.







Lini një koment