SAN ANTONIO – dy studime të fazës 3 konfirmuan efektin e Enhertu si trajtimi i linjës së dytë dhe të tretë në kancerin e gjirit metastatik HER2+.
Rezultatet e studimeve DESTINY-Breast02 dhe DESTINY-Breast03 u prezantuan në SABCS. Studimet vendosën një radhë të re në sekuencën e terapive për kancerin e gjirit metastatik HER2+, duke e konfirmuar Enhertu-n si zgjedhjen më të përshatatshme në linjën e dytë dhe të tretë të trajtimit.
Studimi DESTINY-Breast03
Në studimin DESTINY-Breast03 u krahasua efekti i Enhertu kundër Kadcyla (T-DM1). Rezultatet treguan se 77.4% e pacientëve nën trajtim me Enhertu ishin gjallë 2 vjet nga trajtimi, krahasuar me 66.9% të pacientëve nën trajtim me Kadcyla. Tre vjet nga trajtimi, Enhertu vazhdon të tregojë benefit më të madh në mbijetesë në krahasim me Kadcyla (69.3% vs. 55.4%). Lajmi më i mirë ishte se mbijetesa mesatare nuk është arritur për të dy grupet e pacienteve, që do të thotë që këta pacientë vazhdojnë të përfitojnë nga efekti i këtyre barnave prej më shumë se 3 vjetësh.
Këto rezultate e rikonfirmuan Enhertu-n si standardin e ri të trajtimit të linjës së dytë, pas trajtimit në linjë të parë më trastuzumab dhe taksane.
Studimi DESTINY-Breast02
Në studimin DESTINY-Breast02, janë përfshirë pacientë që janë trajtuar më parë me Kadcyla. Në këtë studim është krahasuar aktiviteti i Enhertu kundër Trastuzumab+kimioterapi ose Lapatinib+kimioterapi. Efekti i Enheru rezultoi shumë më i lartë se ai i kombinimeve të tjera. Në 2 vjet nga fillimi i trajtimit 42.2% e pacienteve në grupin Enhertu nuk kishin progres të sëmundjes krahasuar me 13.9% në grupin e kombinimeve të tjera. Këto rezultatet e konfimruan Enhertu si një linjë e trete efektive në këta pacientë.
Megjithatë, në onkologji ka një rregull që terapitë më të mira duhet të përdoren në linjat e para të trajtimit, kur pacientët kanë mundësi të përballojnë trajtimin më mirë.
Aktualisht, sekuenca ideale e trajtimit për pacientët me kancer gjiri metastatik HER2+ do të ishtë përfshirja e Perjeta (pertuzumab) në linjën e parë, Enhertu si linjë e dytë e trajtimit dhe Kadcyla si linja e tretë e trajtimit.
Tashmë Enhertu është duke u aprovuar në shumë vende edhe për trajtimin e kancerit të gjirit metastatik HER2-low. Gjithashtu është aprovuar për trajtimin e kancerit të pulmonit HER2+ dhe kancerit të stomakut HER2+.
Studime të tjera janë duke vlerësuar efektin e Enhertu në kombinim me Perjeta, në linjën e parë të trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HER2+.







Lini një koment