Kanceri i gjirit

Në Shqipëri, kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te gratë me rreth 900-1000 raste të reja në vit. Fatkeqësisht, në Shqipëri kjo sëmundje ende diagnostikohet në stade të avancuara. Kjo vjen si pasojë e kontrolleve të rralla, mosinformimit dhe mosedukimit për këtë sëmundje. Ja disa fakte të rëndësishme që çdokush duhet të dijë mbi kancerin e gjirit:

Jo të gjithë tumoret e gjirit janë njësoj

Kanceri i gjirit ndahet në lloje të ndryshme histologjike, pra struktura e tyre ndryshon në nivel mikroskopik e molekular. Në bazë të histologjisë së tumorit, ndryshon edhe prognoza (parashikimi mbi ecurinë e sëmundjes), ashtu si dhe mënyra e trajtimit.

Për të kuptuar llojin histologjik të tumorit kryhet biopsia. Të dhënat histologjike që vijnë nga rezultati i biopsisë bashkëlidhen me ekzaminimet imazherike, për të kuptuar shkallën e përhapjes së sëmundjes, prognozën dhe mënyrën e trajtimit.

Nga cila pjesë e gjirit mund të zhvillohet tumori?

  • Duktuset e qumështit – Duktuset janë struktura që shërbejnë për transportin e qumështit nga lobulat e gjirit në thithkë. Duktuset janë origjina më e shpeshtë e kancerit të gjirit. Në rastin kur tumori është i kufizuar brenda duktuseve njihet si Karcinoma Duktale “in situ”. Në rast se ka kaluar barrierën e duktuseve njihet si Karcinome DuktaIe Infiltrative ose Invazive.
  • Lobulat e gjirit – Lobulat janë strukturat e gjirit ku prodhohet qumështi. Nëse tumori është i kufizuar në lobul, njihet si Karcinoma Lobulare “in situ”. Në rast të kalimit të kufijve të lobulës, njihet si Karcinoma Lobulare Infiltrative ose Invazive.
  • Indi lidhor – rrallë ndodh që tumoret e gjirit të origjinojnë nga indi lidhor në gji, siç janë muskujt, indi dhjamor apo enët e gjakut. Kanceri që ka këto origjina njihet si Sarkoma. Shembuj të sarkomës së gjirit janë tumoret Phyllodes ose angiosarkomat.

Çfarë është grada histologjike e tumorit?

Shkalla e diferencimit të qelizave tumorale nga ato të shëndetshme përcaktohet me anë të gradës histologjike. Në rezultatet e biopsisë së gjirit gradën tumorale e hasim si më poshtë:

  • G1 – e mirë diferencuar
  • G2 – mesatarisht e diferencuar
  • G3 – e keq diferencuar

Agresiviteti i kancerit të gjirit rritet me rritjen e gradës tumorale.

Çfarë roli luajnë hormonet?

Disa lloje tumoresh të gjirit janë sensitive ndaj hormoneve femërore si estrogjeni dhe progesteroni. Qelizat kanceroze të gjirit kanë receptorë në membranën qelizore, të cilat ndërveprojnë me hormonet që qarkullojnë në trup. Për të përcaktuar nëse qelizat kanceroze përmbajnë ose jo këta receptorë, krahas biopsisë, nevojitet nje ekzaminim shtesë i quajtur imunohistokimi (IHC). Në këtë ekzaminim përcaktohet statusi i receptorëve hormonalë.

  • ER-pozitiv – qelizat që përmbajnë këtë receptor përdorin hormonin e estrogjenit për rritje. Trajtimi me terapi hormonale, anti-estrogjenike bllokon rritjen e tumorit.
  • PR-pozitiv – Ky lloj kanceri gjiri është sensitiv ndaj hormonit të progesteronit dhe e përdorin atë për rritje. Trajtimi me terapi hormonale bllokon rritjen tumorale.
  • ER/PR – negativ – Ky lloj kanceri nuk përmban receptor hormonal dhe nuk është i ndjeshëm ndaj trajtimeve hormonale.

Si klasifikohet kanceri i gjirit në varësi të biologjisë tumorale?

Në bazë të statusit të receptorëve hormonalë dhe receptorëve të tjerë të qelizave malinje të gjirit, ai kategorizohet në disa nëngrupe për arsye prognostike dhe terapeutike:

  • Luminal A – Në këtë grup bëjnë pjesë tumoret ER/PR-pozitive por HER2-negativ me nivel proliferimi (ki67) te ulet. Tumoret e këtij grupi përfitojnë më shumë nga trajtimi hormonal dhe kanë një prognozë më të favorshme se kategoritë e tjera.
  • Luminal B – Në këtë grup bëjnë pjesë tumoret ER/PR-pozitive ose ER+ dhe PR- dhe HER2-pozitiv. Tumoret e këtij grupi përfitojnë nga trajtimi hormonal, trajtimi i targetuar ndaj HER2 (Trastuzumab) dhe kimioterapia.
  • HER2 – pozitiv – Në këtë grup bëjnë pjesë tumoret ER/PR-negativ dhe HER2-pozitiv. Këta lloje tumoresh përfitojnë nga trajtimi me terapi të targetuar ndaj HER2 (trastuzumab, pertuzumab, T-DM1, Enhertu) dhe me kimioterapi.
  • ER-/PR-/HER2 – (triple negative) – Tumoret e këtij grupi me receptorë hormonalë negativë dhe HER2 negativ përfitojnë nga trajtimi me kimioterapi dhe së fundmi është shtuar trajtimi me antitrupa të konjuguar me barna dhe imunoterapi.

Për të vendosur mbi mënyrën e trajtimi të kancerit të gjirit është e rëndësishme të kryhet si fillim diagnostikimi bazuar në biopsi, imunohistokimi dhe teste molekulare. Në varësi të rezultatit të këtyre testeve dhe stadifikimit imazherik të sëmundjes, përcakohet plani i duhur i trajtimit.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna