Efektet anesore nga kimioterapia

Kimioterapia mund të zgjasë jetën e pacientëve me kancer por në anën tjetër mbart edhe efekte të shumta anësore. Kjo për shkak se kimioterapia bashkë me qelizat malinje, vret edhe qelizat e shëndetshme. Megjithatë, efektet anësore nuk janë të njëjta për të gjithë dhe varen nga faktorë individualë dhe nga lloji i medikamentit të përdorur.

Më poshtë, do të shpjegojmë efektet anësore më të shpeshta nga kimioterapia.

Dobësim i sistemit imunitar dhe infeksione

Personat me kancer mund të kenë sistem imunitar të dobësuar për dy arsye. E para është vet sëmundja që shkakton frenim të sistemit imunitar dhe së dyti, trajtimi me kimioterapi dëmton qelizat e sistemit imunitar. Në rastet kur sistemi imunitar është i frenuar, prekemi më lehtë nga infeksionet.

Kimioterapia redukton numrin e rruazave të bardha të gjakut, të cilat prodhohen nga palca e kockave. Rënia e numrit të rruazave të bardha tregon një imunitet më të dobësuar dhe probabilitet më të lartë për të marrë infeksione. Ky efekt anësor zakonisht shfaqet nga dita 7 deri në 14 pas kimioterapisë, megjithatë mund të ndryshojë nga lloji i medikamentit të përdorur.

Para fillimit të cdo cikli ose ndërmjet cikleve të kimioterapisë është e rëndësishme të kryhen analizat e gjakut për të kontrolluar ndër të tjera edhe numrin e rruazave të bardha. Një ndër parametrat kryesorë që kontrollohen gjatë kimioterapisë është vlera absolute e neutrofileve (ANC). Për disa skema të caktuara kimioterapie rekomandohet trajtimi me disa barna si Filgrastim, Peg-Filgrastim, etj. të cilat parandalojnë rënien e rruazave të bardha, si dhe disa barna që mund të parandalojnë infeksionet si Sulfamethoxazole-trimethoprim, Acyclovir dhe Fluconazole ose antibiotikë dhe antimikrobikë të tjerë.

Konstipacion dhe diarre

Kimioterapia mund të shkaktojë probleme me tretjen si pasojë e dëmtimit të qelizave të sistemit gastrointestinal.

Diarreja zakonisht shfaqet në ditët e para pas kimioterapisë. Mund të shkaktohet nga trajtimi me kimioterapi, por mund të jetë e shkatuar edhe nga infeksione të cilat janë më të shpeshta për shkak të rënies së imunitetit. Në rast se diarreja është e konfirmuar nga mjeku onkolog se po ndodh si efekt anësor direkt i kimioterapisë, rekomandohet trajtimit me Loperamide dhe hidratim me të paktën 6-8 gota ujë. Në këto raste nuk rekomandohet pirja e qumëshit, kafesë dhe alkoolit.

Konstipacioni mund të shkaktohet nga trajtimi me kimioterapi, por edhe si pasojë e trajtimit me barna kundër dhimbjes, ndryshimeve në dietë gjatë trajtimit për kancer, mos marrjes mjaftueshëm e lëngjeve dhe mungesës së aktivitetit fizik gjatë trajtimit. Shmangia e ushqimeve që irritojnë stomakun dhe përdorimi i barnave pa recetë për zbutje të feçeve dhe suplementet me fibra mund të përmirësojnë tretjen dhe lehtësojnë simptomat.

Skuqje dhe irritim të lëkurës

Kimioterapia mund të alterojë sistemin imunitar e si pasojë mund të shkaktojë ndryshime në lëkurë në formën e skuqjes, irritimeve ose ndryshimeve të tjera, të cilat mund të shoqërohen me dhimbje, kruarje dhe risk për infeksion. Zakonisht shfaqen 2-3 javë pas trajtimit Kremat ushqyes dhe hidratues mund të ndihmojnë për të lehtësuar simptomat, por trajtimi varet gjithmonë nga lloji i simptomave dhe grada e tyre.

Mukozit i gojës

Mukoziti i gojës mund të shfaqet në formën e inflamacioni të mukozave të gojës por edhe në formën e ulçerës në gojë. Mund të zhvillohet 1 deri në 2 javë pas ciklit të kimioterapisë. Ulçerat mund të jenë të gradave të ndryshme dhe në varësi të gradës përcaktohet edhe trajtimi.

Për të parandaluar ulçerat në gojë rekomandohet ruajtje e higjienës orale me produkte sensitive pa përmbatje alkooli.

Neuropatia

Neuropatia është një dhimbje nervore e shkaktuar si pasojë e dëmtimit të nervave. Zakonisht prek duart dhe këmbët dhe shoqërohet me mpirje, pickimie dhe djegie të ekstremiteteve. Për shkak të mpirjes, shpesh shkakton edhe pamundësinë e kryerjes së levizjeve të zakonshme si mbërthyerja e pullave, mbajtja e stilolapsit dhe ndonjëherë shoqërohet edhe me dhimbje.

Disa lloje kimiopreparatesh shkaktojnë më tepër neuropati. Disa barna që merren nga goja ose aplikohen nga lëkura mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.

Nauzeja dhe të vjellat

Nauzeja dhe të vjellat mund të nisin papritur. Në vitet e fundit, premedikimi për parandalimin e nauzes dhe të vjellave është përmirësuar ndjeshëm dhe tashmë shumë pak paciente kanë këto efekte anësore.  Këto probleme mund të shfaqen direkt pas aplikimit të kimioterapisë ose pas pak ditësh nga aplikimi.

Disa ndryshime në mënyrën e ushqyerjes mund të ndikojnë në lehtësimin e simptomave. Psh. ngrënia e porcioneve më të vogla dhe shmangia e disa lloje ushqimeve mund të ndihmojë.

Rënia e flokëve

Kimioterapia mund të dëmtojë folikujt e flokëve, cka shkakton dobësim të flokët e më pas rënie. Flokët që rishfaqen pas kimioterapisë mund të mos jenë më të njëjta me ato para kimioterapisë. Duhet theksuar se jo të gjitha barnat e kimioterapisë shkaktojë rënie flokësh.

Në disa raste duhen rreth 3 deri në 6 muaj të shfaqen flokët e rinj, ndërsa në raste të tjera flokët e rinj shfaqen përgjatë trajtimit me kimioterapi.

Trajtimi me kimioterapi mbart jo vetëm simptomat fizike por edhe një barrë emocionale dhe psikologjike. Është e natyrshme të ndjeni stress dhe ankth. Por mos ngurroni asnjëherë të ndani shqetësimet tuaja fizike dhe emocionale me mjekun tuaj. Ka gjithmonë mundësi për trajtimin e efekteve anësore të kimioterapisë, si efektet fizike, ashtu edhe ato psikologjike dhe emocionale.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna