Kanceri i gjirit

Në këtë artikull do të njiheni me ndryshimet më të shpeshta të gjirit. Cilat prej tyre mund të kenë natyrë beninje dhe cilat mund të jenë shenjë e gjendjeve shëndetësore më serioze? Megjithatë mos harroni se, konsulta me mjekun nuk duhet të anashkalohet dhe të zëvendësohet nga informacione që mund të gjeni online.

E nisim me faktin që ndryshimet në gji janë shumë të shpeshta dhe në shumicën e rasteve janë beninje.

Cilat ndryshime në gji duhet të na shqetësojnë?

Disa ndryshime të gjirit, si psh. një nodus në gji mund të vihet re nga vet ju ose gjatë një vizitë klinike nga mjeku, por në shumë raste ato identifikohen me anë të ekzaminimeve imazherike si mamografia, eko e gjirit ose MRI. Por, pavarësisht nëse jeni ju të parat që e keni vënë re ndryshimin në gji ose nëse mjeku e ka konstatuar me anë të ekzaminimeve të ndryshme, gjithmonë duhet të ndiqni rekomandimet mjekësore dhe të vazhdoni me procedurat e diagnostikimit.

Nëse ju vet keni vënë re ndonjë nga ndryshimet e mëposhtme në gji, duhet të kryni një vizitë me mjekun:

  • Nodus/gjendër në gji ose në sqetull. Noduset e gjirit mund të jenë të madhësive dhe formave të ndryshme. Edhe një gji normal mund të ndihet si me noduse ndonjëherë. Nëse vet-ekzaminoni gjirin tuaj rregullisht, do të jeni në gjendje të kuptoni se si është përmbajtja zakonshme e gjirit tuaj dhe do ta keni më të lehtë për të kuptuar nëse ka diçka jo të zakonshme në gji. Por mos harroni, se vet-ekzaminimi i gjirit nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë mamografinë pasi të keni kaluar moshën 40-45 vjeç.
  • Ndryshime të thithit dhe rrjedhje nga thithi i gjirit. Rrjedhjet nga thithi i gjirit mund të jenë me ngjyrë dhe përmbajtje të ndryshme. Arsyet e rrjedhjeve nga thithi i gjirit mund të jenë të shumta, që nga përdorimi i kontraceptivëve oralë, disa lloje barnash dhe infeksionet. Por duke qenë se mund të jetë edhe një shenjë e kancerit të gjirit, është gjithmonë më mirë të bëhet një kontroll mjekësor.
  • Ndryshime në lëkurën e gjirit, si kruarje, skuqje, trashje e lëkurës ose ndryshime që duken si lëkurë portokalli.

Cilat ndryshime në gji konsiderohen normale?

Gjiri pëson shumë ndryshime përgjatë jetës së një gruaje, por ndonjëherë edhe brenda 1 cikli menstrual. Ndryshimet e përshkruara më poshtë konsiderohen përgjithësisht ndryshime normale të gjirit.

  • Para dhe pas periodave gjiri mund të ndihet më i fryrë dhe i dhimbshëm. Gjatë kësaj kohe mund të ndjeni edhe noduse në gji, për shkak të akumulimit të një sasie likidi në gji. Ndaj rekomandohet që ekzaminimet e gjirit të kryhen në javën e parë pas periodave, kur gjiri është në një “gjendje qetësie”.
  • Gjatë shtatzënisë, gjiri mund të ndihet me noduse. Kjo zakonisht ndodh për shkak të zmadhimit të gjendrave të qumështit që po përgatiten për prodhimin e qumështit. Megjithatë, nëse vini re diçka të pazakontë në gji gjatë shtatzënisë është gjithmonë e rëndësishme ta flisni me gjinekologun që ju ndjek për të kuptuar më shumë mbi ndryshimet që po ju ndodhin.
  • Gjatë periudhës së gjidhënies mund të ndodh që duktuset që transportojnë qumështin të bllokohen dhe të krijojnë një gjendje të njohur si mastit. Mastiti mund të shkaktojë skuqje, dhimbje dhe enjtje të gjirit. Mund të jetë i shkaktuar nga një infeksion i cili trajtohet me antibiotikë, po ndonjëherë është i nevojshëm të kryhet drenim i gjirit.
  • Kur i afroheni menopauzës në trupin tuaj ndodhin shumë ndryshime hormonale. Këto ndryshime mund të shkaktojnë dhimbje të gjirit edhe pse nuk keni perioda të rregullta.

Është shumë e rëndësishme të jeni të vëmendshëm ndaj ndryshimeve që pëson gjiri. Nëse kryeni vet-ekzaminim të gjirit rregullisht, identifikimi i ndryshimeve malinje është më i thjeshtë. Gjithashtu, mos ngurroni asnjëherë të konsultoheni me mjekun për çdo shqetësim, sado i vogël.

Shkarkoni libërthin me simptomat më të shpeshta për të cilat duhet të konsultoheni me një mjek si dhe instruksione mbi vet-ekzaminimin e gjirit.

Është e kuptueshme të përballesh me frikën kur dyshon se diçka malinje mund të jetë duke u zhvilluar, por mos harro se trajtimi i kancerit të gjirit është zhvilluar shume në vitet e fundit dhe se kanceri i gjirit është i shërueshëm nëse e diagnostikon në stadet e hershme.

Dr. Kleida Mati, Mjeke Onkologe
Avatar Dr Kleida Mati

Dr. Kleida Mati, Mjeke Onkologe

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna