Fertiliteti pas kimioterapise

Shumica e mjekëve rekomandojnë gratë që trajtohen me kimioterapi që periudha më e mirë për të tentuar për një shtatzani është pas 2 ose më shumë vitesh pas trajtimit me kimioterapi. Duhet theksuar se ky është një rekomandim i përgjithësuar, pasi vendimi bazohet në disa faktorë që kanë të bëjnë me llojin e kimiopreparatit dhe stadin e sëmundjes në diagnostikim.

Si ndikon trajtimi për kancer në shtatzani?

Përveç kimioterapise, edhe trajtime të tjera për kancer mund të ndikojnë në një shtatzani të ardhshme, si psh. trajtimi me radioterapi ose kirurgji specifike. Psh. radioterapia në zonën pelvike mund të ndikojë tek qelizat dhe furnizimi me gjak i mitrës, çka mund të rris mundësinë e një aborti, lindje të parakohshme, peshë të ulët të bebit etj. Po ashtu, kirurgjia e cerviksit, pra heqja e të gjithë ose një pjese të qafës së mitrës mund të ndikojë në një abort ose lindje të parakohshme. Kjo sepse cerviksi mund të mos jetë në gjëndje të suportojë një shtatzani në zhvillim. 

Ndërsa kimioterapia, përveç ndikimit citotoksik direkt në shtatzani, mund të ndikojë edhe në mënyrë indirekte si pasojë e çrregullimeve te organeve jetike. Psh. trajtimi me antraciklina si Doxorubicine, Daunorubicin (Cerubidine), Epirubicine (Ellence) dhe Idarubicine (Idamycin) mund të dëmtojë e dobësojë zemrën, çka e bën një shtatzani të vështirë dhe të komplikuar.

Si ndikon kimioterapia në fertilitet?

Fertiliteti pas kimioterapisë varet nga dy faktorë: mosha dhe lloji e dozat e kimiopreparateve të perdorura.

1. Mosha

Me kalimin e moshës, tek gratë, ovaret (vezoret) e tyre prodhojnë më pak vezë fertile. Gratë që trajtohen për kancer në një moshë më të re se 30 vjeç kanë një mundësi më të mirë për të ngelur shtatzanë pas kimioterapisë. Në përgjithësi, sa më të reja të jeni, më shumë mundësi keni që vezoret tuaja të prodhojnë vezë fertile pas kimioterapisë. Sa më afër menopauzës të jeni (mosha mesatare është 51 vjeç), më shumë probabilitet keni që të hyni në menopauzë pas trajtimit dhe nuk mund të mbeteni dot shtatzanë. Gratë që janë 40 vjeç ose më shumë, kur trajtohen me kimioterapi kanë probabilitet më të lartë të kalojnë në menopauzë pas trajtimit.

2. Lloji dhe dozimi kimiopreparateve

Disa kimiopreparate kanë risk më të lartë se të tjera për të shkaktuar infertilitet. Psh. Cyclophosphamide mbart risk të lartë për infertilitet, Cisplatina dhe Adriamycina (Doxorubicina) kanë një risk mesatar për infertilitet. Ndërsa, disa barna janë më pak të mundshëm për të shkaktuar infertilitet, përmendim këtu: Methotrexate, Fluorouracil (ose ndryshe 5-Fluorouracil), Vincristine.

Përsa i përket një grupi shumë të përdorur kimiopreparatesh, si Taxanet (emri kimik: Paclitaxel), Taxotere (emri kimik: Docetaxel), Abraxane (emri kimik: Nab-Paclitaxel), pak studime janë kryer rreth ndikimit të tyre në fertilitet dhe rezultatet janë të paqarta. Duke qënë se kërkimet në këtë fushë janë të limituara, mund të jetë e vështirë për t’i dhënë një gruaje një ide të qartë mbi mundësitë e saj për të ruajtur fertilitetin.

Ajo çfarë ne dimë është se menopauza e hershme si rezultat i kimioterapisë mund të jetë e përkohshme. Me fjalë të tjera, periodat mund të ndalojnë dhe të rifillojnë pas përfundimit të kimioterapisë. Mund të duhen disa muaj ose gati 1 vit që periodat tuaja të rikthehen. Por periodat jo gjithmonë nënkuptojnë fertilitet. Edhe nëse ato rinisin, fertiliteti juaj mbetet i paqartë. Për këtë arsye mund të nevojitet të kërkoni ndihmën e një eksperti fertiliteti për të parë nëse jeni ose jo fertile.

Trajtimi me kimioterapi zakonisht jepet i kombinuar me disa kimiopreparate. Në këto raste, ndikimi i barnave mbi fertilitetin mund t jetë i ndryshëm. Është e rëndësishme të dihet se i njëjti medikament mund të jepet në doza të ndryshme në kombinime të ndryshme. Disa femra mund të kenë perioda normale dhe pas kimioterapisë mund të ngelen shtatzanë pa vështirësi krahasimisht të tjerave.  Kjo ndodh pasi kimioterapia mund të dëmtojë vezët e pamaturuara tek vezoret. Kur periodat rikthehen pas kimioterapisë, do të thotë se disa vezë janë duke u maturuar. Por numri i vezëve të disponueshme mund të jetë më i vogël se sa para kimioterapisë.

Në anën tjetër, duke qënë se kimioterapia mund të shkaktojë defekte të lindura te fetusi, mjekët rekomandojnë të shmanget një shtatzani gjatë trajtimit. Në këtë kontekst është e rëndësishme të priten të paktën 6 muaj ose më gjatë për të tentuar për një shtatzani pas përfundimit të kimioterapisë.

Çfarë mund të bëhet për të ruajtur fertilitetin gjatë kimioterapisë?

Pas kimioterapisë, fertiliteti juaj mund të jetë kohëshkurtër. Kjo do të thotë se edhe gratë të cilat i rinis cikli pas trajtimit mund të jenë të rrezikuara për një menopauzë të hershme. Studimet mbi suprimimin ovarian (frenimi i funksionit të vezoreve nëpërmjet barnave) për të mbrojtur vezët femërore gjatë kimioterapisë janë duke u kryer vazhdimisht, por kjo është një çështje që has shumë debat sepse ka pak informacion mbi të. Psh. disa mjekë janë të shqetësuar se barnat që suprimojnë vezoret, të quajtuara GnRH (hormoni çlirues i gonatropinave) agonistë, mund të ndikojnë në aftësinë e kimioterapisë për të sulmuar qelizat kancerogjene kur këto janë aktivisht duke u rritur. GnRH agonistët janë hormone, që përveç suprimimit ovarian mund të frenojnë ose ngadalësojnë rritjen e qelizave të kancerit të gjirit. GnRH agonistët e përdorur për suprimimin ovarian përfshijnë: Zoladex (i njohur si Gosereline), Lupron (i njohur si Leuprolide), Trelstar (i njohur si Triptorelin). Këto barna bllokojnë GnRH, një hormon i veçantë i krijuar në tru që tregon nëse vezoret janë gati për ovulim. Ovulimi ndodh kur një vezë e maturuar çlirohet prej vezores, gati për tu fertilizuar. Kur GnRH bllokohet nuk ndodh ovulimi.

Ka studime që sugjerojnë se gratë premenopauzante të diagnostikuara me kancer gjiri stad fillestar, hormon-receptorë pozitiv, të trajtuara me Zoladex ndërkohë që kryenin kimioterapi përpara kirurgjisë, kanë më pak infertilitet pas kimioterapisë.


Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna