Një transplant i veshkave, i njohur si transplanti renal, është një formë e terapisë renale zëvendësuese për Sëmundjen Renale Kronike. Kirurgjia e transplantit të veshkave është një operacion i madh gjatë të cilit një person me SRK merr një veshkë të re – qoftë nga një dhurues i gjallë ose një dhurues i vdekur. Një transplant i suksesshëm i veshkave është më afër funksionit natyral të veshkave dhe konsiderohet trajtimi më efektiv për SRK- duke ofruar një shans për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.

Cilat janë kriteret për të realizuar transplantin e veshkave?

Çdo spital ka kriteret e veta për pranimin e njerëzve si marrës të transplantit të veshkave. Por në përgjithësi kandidatët duhet të:

  • Të jenë nën trajtim me dializë, hemodializë ose dializë peritonelae.
  • Sëmundje kronike të veshkave në stad terminal
  • Një jetëgjatësi prej të paktën pesë vjetësh.
  • Të mos jetë në një situatë të rëndë shëndetësore që përbën rrezik për operacionin.
  • Të mos ketë infeksione të përsëritura
  • Të mos jetë abuzues me drogën ose alkoolin.

Cilat janë hapat që duhen ndjekur për të realizuar transplantin e veshkave?

Nëse do të realizoni një transplant të veshkave, procesi përfshin këto hapa:

  • Si fillim duhet të regjistroheni në një qendër transplanti për analiza për të parë nëse jeni të shëndetshëm për të realizuar një transplant renal. Donatorët e gjallë duhet të testohen për t’u siguruar që janë të shëndetshëm për të dhuruar një veshkë.
  • Nëse nuk keni një dhurues të gjallë (donatorët e gjallë mund të jenë nëna, motra, vëllai ose bashkëshortja), do të vendoseni në një listë pritjeje për të marrë një veshkë. Ju do të bëni analiza mujore të gjakut ndërsa prisni për një veshkë.
  • Realizimi i testeve psikosociale për të kontrolluar shëndetin tuaj mendor dhe emocional. Ekipi i transplantit duhet të jetë i sigurt se jeni gati të kujdeseni për një veshkë të transplantuar. Ju duhet të jeni në gjendje të kuptoni dhe të ndiqni një plan për marrjen e medikamenteve që ju nevojiten pas operacionit.
  • Përcaktimi i grupit të gjakut eshtë e preferueshme të merrni një veshkë nga një dhurues, grupi i gjakut i të cilit përputhet ose është i pajtueshëm me tuajin.
  • Testi i HLA: Nëse grupi juaj i gjakut është i pajtueshëm, hapi tjetër është një test për tipizimin e indeve të quajtur tipizimi i antigjenit leukocit human (HLA). Ky test krahason shënuesit gjenetikë që rrisin gjasat që veshka e transplantuar të zgjasë për një kohë të gjatë. Një përshtatje e mirë do të thotë se ka më pak gjasa që trupi juaj të refuzojë organin.
  • Crossmatch: Në këtë test bëhet përzierja e një kampioni të vogël të gjakut tuaj me gjakun e dhuruesit në laborator. Testi përcakton nëse antitrupat në gjakun tuaj do të reagojnë kundër antigjeneve specifike në gjakun e dhuruesit.
  • Testet imazherike mund të përfshijnë shintigrafi renale, grafi pulmoni, eko abdomeni, tiroide dhe kardiake, biopsi të veshkave dhe ekzaminime dentare.
  • Gratë mund të bëjnë një Pap test, një vlerësim gjinekologjik dhe një mamografi.

Si realizohet procedura e transplantit të veshkave?

Gjatë operacionit të transplantimit të veshkave, një kirurg vendos një veshkë të shëndetshme në trupin tuaj. Operacioni realizohet në efektin e anestezisë gjenerale dhe zakonisht zgjat 3 deri në 4 orë. Nëse veshkat tuaja të dëmtuara nuk shkaktojnë infeksione të përsëritura, hipertension rezistent ose nuk  janë të prekura nga sëmundjet malinje, ato mund të qëndrojnë në trupin tuaj. Nëse jeni në listën e pritjes për një veshkë donatore, duhet të shkoni në spital për të kryer operacionin tuaj të transplantit sapo të mësoni se një veshkë është në dispozicion. Nëse një anëtar i familjes ose një mik po dhuron veshkën, ju do ta planifikoni operacionin paraprakisht. Ekipi kirurgjikal do të operojë ju dhe dhuruesin tuaj në të njëjtën kohë. Veshka juaj e re vendoset në anën e poshtme të djathtë ose të majtë të barkut, ku është e lidhur kirurgjikisht me enët e gjakut aty pranë. Vendosja e veshkës në këtë pozicion lejon që ajo të lidhet lehtësisht me enët e gjakut dhe fshikëzën tuaj. Ureteri i veshkës së re është ngjitur në fshikëzën tuaj për të lejuar që urina të kalojë jashtë trupit tuaj.

Transplanti i veshkave është një procedurë e madhe kirurgjikale me një gamë të gjerë rreziqesh të mundshme. Në afat të shkurtër, këto rreziqe përfshijnë mpiksjen e gjakut dhe infeksionin. Problemet afatgjata, të cilat përfshijnë diabetin dhe rritjen e rrezikut të infeksioneve, zakonisht lidhen me mjekimin që duhet të merrni për të zvogëluar mundësinë e refuzimit te veshkas nga oraganizmi. Për shkak të rrezikut të problemeve të mëtejshme, njerëzit që kanë bërë një transplant veshkash kërkojnë kontrolle të rregullta për pjesën tjetër të jetës së tyre.

Si të jetosh me një transplant të veshkave?

Të kesh një mënyrë jetese të shëndetshme pas një transplanti të veshkave ndihmon shumë për të minimizuar rrezikun e komplikimeve. Prandaj, rekomandohet të:

  • Ndaloni duhanpirjen
  • Konsumoni një dietë të shëndetshme
  • Bini në peshë nëse jeni mbipeshë ose obez
  • Jini të kujdesshëm për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të infeksioneve

Sa është jetëgjatësia e transplantit të veshkave?

Ka një sërë faktorësh që ndikojnë në kohëzgjatjen e një veshke të transplantuar. Këto përfshijnë nëse veshka është marrë ose jo nga një dhurues i gjallë, sa mirë përputhet veshka për sa i përket grupit të gjakut dhe testit të HLA dhe Crossmatch, si dhe moshën dhe shëndetin e përgjithshëm të personit që merr dhurimin. Nëse një transplant i veshkës dështon, ju mund të futeni në listën e pritjes për një transplant tjetër.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna