Sipas Globocan, numri i rasteve të reja me kancer të mushkërisë për vitin 2020 në Shqipëri ishte 1107 ndërsa numri i vdekjeve për po të njëjtin vit ishte 966. Edhe pse kanceri i mushkërisë është kanceri më i shpeshtë në Shqipëri, informacionet mbi shkaqet dhe trajtimin janë të kufizuara, çka shpesh sjellë keqkuptime dhe mite mbi këtë sëmundje. Cilat janë mitet më të shpeshta mbi kancerin e mushkërisë?
1. Vetëm duhanpirësit zhvillojnë kancer mushkërie
Nuk është plotësisht e saktë. Sipas CDC, në SHBA 10-20% e personave me kancer të mushkërisë nuk kanë pirë kurrë duahn ose kanë pirë më pak se 100 cigare në gjithë jetën e tyre.
Cdo vit, ndër personat jo-duhanpirës ose duhanpirës pasivë CDC raporton 7300 vdekje në SHBA.
2. Nuk mund të ulësh riskun për kancer mushkërie
Ka disa mënyra për të ulur riskun për kancer mushkërie. E para dhe më e rëndësishmja është të mos pish duhan. Gjithashtu është shumë e rëndëishmë të shmangni ekspozimin ndaj duhanpirjes passive. Personat jo-duhanpirës të cilët ekspozohen ndaj duhanpirjes passive në shtëpi ose në punë kanë 20-30% më shumë risk për kancer mushkërie.
Depistimi me CT me dozë të ulët në popullatën në risk, pra në personat mbi 50 vjeç, duhanpirës për më shumë se 20 vjet redukton riskun për vdekje nga kanceri i mushkërisë me më shumë se 20%.
Faktor tjetër risku për kancerin e mushkërisë është ekspozimi ndaj gazit të radonit. Matja e nivelit të radonit në shtëpi është e rëndëishme për të kuptuar nivelin e ekspozimit.
Gjithashtu, modifikimi i stilit të jetesës, me më shumë aktivitet fizik, ushqyerje të shëndetshme dhe ruajta e një peshe trupore optimale ndihmon në uljen e riskut për kancer të mushkërisë.
3. Vetëm të moshuarit zhvillojnë kancer mushkërie
Nuk është e vërtetë. Edhe pse më shumë se gjysma e personave të diagnostikuar me kancer mushkërie janë më shumë se 65 vjeç, numri i personave nën 50 vjec me kancer mushkërie është duke u shtuar ndjeshëm, vecanërisht te gratë.
4. Të jetosh në një qytet me ajër të ndotur është më keq se të pish duhan
Ka studime që tregojnë e të jetuarit në një qytet me shumë trafik rrit riskun për kancer mushkërie. Një meta-analizë mbi këtë cështje ka treguar se ekspozimi ndaj dioksidit të nitrogjenit, oksidit të nitrogjenit, dioksidit të sulfurit janë të lidhur me riskun për kancer të mushkërisë. Ekspozimi për shkak të punës ndaj ndotjes së ajrit, krysisht në personat me profesion shofer, rrit riskun për kancer të mushkërisë.
Megjithatë, krahasimi ndërmjet duhanpirjes dhe ndotjes së ajrit është e vështirë të bëhet. Të jetosh në një qytet të ndotur rrit riskun për kancer mushkërie, por nuk mund të themi se cili prej faktorëve është më i rëndësishëm. Ajo çka mund të themi me siguri është se kombinimi i të dy faktorëve është edhe më keq.
5. Kam pirë duhan prej vitesh, nuk ka kuptim të ndaloj tani
E thënë fare thjeshtë: Lënia e duhanit kurdoherë, redukton riskun për kancer mushkërie.
Përveç kancerit të mushkërisë, lënia e duhanit do t`ju ndihmonte edhe në reduktimin e riskut për një sërë sëmundjesh të tjera, si sëmundjet e zemrës, osteoporoza, diabeti.
Nuk ka rëndësi se sa vjeç je, ose sa vite ke që pi duhan, lënia e duhanit në çdo moshë do të përmirësojë shëndetin tuaj. Kur ndaloni së piri duhan, shtoni vite jetë, merrni frymë më mirë, keni më shumë energji dhe kurseni para.
National Institute of Aging
6. Tymosja e kanabisit nuk e rrit riskun për kancer mushkërie
Në fakt mendohet që po, kanabisi është një faktor risku për kancer mushkërie, edhe pse më shumë studime afatgjata duhen kryer për të vërtetuar këtë gjë. Kryerja e këtyre studimeve është e vëshirë, pasi shumica e personave që tymosin kanabis, janë njëkohësisht edhe duhanpirës. Kjo e bën të vështirë vlerësimin e efektit të tyre të ndarë nga njëra-tjetra.
7. Nëse je diagnostikuar me kancer mushkërie, mund të vazhdosh të pish duhan
Nuk është e vërtetë. Përvec benefiteve që vijnë me lënien e duhanit, personat me kancer mushkërie që lënë duhanin pas diagnostikimit kanë prognozë më të mirë.
8. Kirurgjia për kancer mushkërie e përhap sëmundjen
Jo, kirurgjia për kancer mushkërie nuk e përhap sëmundjen. Nëse sëmundja diagnostikohet në stad të hershëm, kirurgjia është modaliteti kryesor për trajtimin e kancerit të mushkërisë.
9. Pudrat me talk janë lidhur me kancerin e mushkërisë
Jo, nuk ka studime të mbështesin lidhjen ndërmjet talkut dhe riskut të shtuar për kancer mushkërie. Disa studime të kryera në personat që punojnë në miniera talku kanë treguar risk pak më të lartë për zhvillim të kancerit të mushkërisë, por nuk mund të vërtetohet nëse është për shkak të ekspozimit ndaj talkut apo ndaj elementëve të tjerë prezentë në miniera, si psh. gazi i radonit.
10. Nëse do të kisha kancer mushkërie do të kisha simptoma
Fatkeqësisht nuk është gjithmonë kështu. Kanceri i mushkërisë mund të diagnostikohet edhe në persona plotësisht asimptomatikë. Kjo është arsyeja pse depistimi i personave me risk të lartë për kancer mushkërie është shumë i rëndësishëm.
11. Kanceri i mushkërisë është gjithmonë terminal
Fatmirësisht, nuk është kështu. Nëse kanceri i mushkërisë diagnostikohet në stad të hershëm, mundësia për kurim është më shumë se 60%.
Por tashmë, edhe kanceri i mushkërisë i diagnostikuar në faza më të avancuara ka shanse për mbijetesë të gjatë. Kjo për shkak të barnave të targetuara dhe imunoterapisë. Por në anën tjetër, pjesa më e madhe e këtyre barnave nuk janë të rimbursuara në Shqipëri, çka e bën koston e tyre shpesh herë të pa përballueshme nga pacientët Shqiptarë.
12. Duhanpirja është i vetmi faktor risku për kancerin e mushkërisë
Duhanpirja është faktori i riskut më i njohur për kancerin e mushkërisë, por nuk është i vetmi. Faktorë të tjerë që mund të ndikojnë janë historia familjare me kancer mushkërie, ekspozimi ndaj ajrit të ndotur, ekspozimi ndaj radonit, ekspozimi ndaj asbestit, rrezatimi jonizues në kraharor dhe sëmundje kronike të mushkërive.
- FDA aprovon kombinimin e ri në trajtimin e kancerit të gjirit

- Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

- Epoka e re e trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HR-pozitiv

- Si ndihmon vlerësimi geriatrik në trajtimin e kancerit te të moshuarit

- Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani

- Atezolizumab me ctDNA: Drejt personalizimit të imunoterapisë në trajtimin e kancerit të vezikës








Lini një koment