Kontraceptivet orale janë barna që përmbajnë hormone të cilët merren nga goja për të shmangur shtatzëninë. Ato parandalojnë shtatzëninë duke frenuar ovulimin dhe duke parandaluar që sperma të penetrojë përgjatë cerviksit. Megjithatë, mjekët i përshkruajnë ato edhe si alternativa mjekimi për probleme të ndryshme shëndetësore si aknet apo endometrioza.

Që nga momenti që janë aprovuar për përdorim, rreth vitit 1960, formulimi dhe dozat e tyre kanë ndryshuar. Ndër llojet e kontraceptivëve më të përshkruara janë llojet me përmbajtje të versioneve sintetike të estrogjenit dhe progesteronit. Ndërsa te tjerë lloje kontraceptivësh janë me përmbajtje të progestinës, një version sintetik i progesteronit. Edhe pse të gjitha formulimet janë shumë efektive për parandalimin e shtatzënisë, efektet e tjera të lidhura me risqet dhe benefitet mund të ndryshojnë në varësi të formulimit.

Çfarë dihet për ndikimin e kontraceptivëve oralë në riskun për kancer?

Pothuajse gjithë të dhënat për lidhjen e kontraceptivëve oralë dhe riskut për kancer vijnë nga studime observuese. Këto studime kanë treguar mjaftueshëm fakte mbi përdorimin e kontraceptivëve dhe modifikimin e riskut për disa lloje kanceri.

Kontraceptivet orale dhe risku per kancer

Kanceri i gjirit

Nga analiza e të dhënave e më shumë se 150.000 grave, është parë se gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë kanë rezultuar me risk lehtësisht të rritur (7%) për kancer gjiri, krahasuar me gra të cilat nuk kanë përdorur kurrë kontraceptivë oralë. Risku është parë të ulet pas ndërprerjes së kontraceptivëve oralë dhe barazohet me gratë që nuk kanë përdorur kurrë kontraceptivë oralë 10 vjet pas ndërprerjes së tyre.

Në një tjetër studim në gratë e moshës 20-49 vjeç, në të cilin është vlerësuar ndikimi i formulimeve më të reja të kontraceptivëve oralë, ato të përdorura nga viti 1990 deri në vitin 2000, gjithashtu ka treguar një rritje të riskut për kancer gjiri në moshat e reja. Ky risk ka qenë më shumë i lidhur me nëntipin ER+ të kancerit të gjirit. Rezultatet e këtij studimi kanë përkuar edhe me rezultate të studimeve të tjera të bëra ndër vite.

Ndërsa një tjetër studim i vitit 2017 në Danimarkë, ka raportuar për risk për kancer gjiri edhe për formulimet më të reja të kontraceptivëve oralë. Në përgjithësi, gratë të cilat kanë qenë nën përdorim të kontraceptivëve kanë patur risk më të rritur për kancer gjiri (20%), i cili ka zgjatur edhe pak kohë pas ndërprerjes së përdorimit të tyre. Risku ishte edhe në varësi të llojit të kontraceptivit të përdorur dhe kohëzgjatjes.

Risku për kancer gjiri është lehtësisht më i lartë në gratë gjatë përdorimit të kontraceptivëve oralë, edhe në rastin e formulimeve më të reja. Ky risk mund të ndikohet nga kohëzgjatja dhe formulimi i kontraceptivëve oralë.

Kontraceptivët oralë rrisin riskun për kancer gjiri si pasojë e ekspozimit ndaj hormoneve që ndikojnë zhvillimin e kancerit të gjirit. Estrogjeni dhe progesteroni që gjenden në formë natyrale në trup, stimulojnë zhvillimin e disa lloje kanceri, si psh. kanceri i gjirit me receptorë hormonalë. Meqenëse kontraceptivët oralë përmbajnë versione sintetike të këtyre hormoneve, ato mund të potencialisht të rrisin riskun për këtë lloj kanceri.

Kanceri i qafës së mitrës

Gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë për më shumë se 5 vjet kanë risk më të larte për kancer të qafës së mitrës.

Sa më gjatë merren kontraceptivët oralë, aq më shumë rritet risku për kancer të qafës së mitrës.

Një ndër arsyet është persistenca e infeksionit të HPV në gratë që marrin kontraceptivë oralë. Megjithatë, risku për kancer të qafës së mitrës është vënë re të ulet pas ndërprerjes së kontraceptivëve oralë.

Kanceri i endometrit

kontracepitvët oralë frenojnë proliferimin e qelizave endometriale. Nadj, gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë kanë risk më të ulët për kancer të endometrit.

Risku reduktohet me të paktën 30% dhe vazhdon të reduktohet sa më gjatë vazhdon edhe përdorimi i tyre.

Efekti mbrojtës i kontraceptivëve zgjat edhe shumë vite pas ndërprerjes së tyre. Reduktimi i riskut ka rezultuar më i shprehur në gratë duhanpirëse, me BMI>25 dhe që rrallë ushtrojnë aktivitet fizik.

Kanceri i vezoreve

Gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë kanë 30% deri në 50% më pak risk për kancer të vezoreve.

Kjo mbrojtje rritet me kohëzgjatjen e kontraceptivëve oralë dhe është parë se vazhdon deri në 30 vjet pas përdorimit të kontraceptivëve oralë. Një reduktim i riskut për kancer ovari është parë edhe në gratë mbartëse të mutacionit në gjenet BRCA1 dhe BRCA2 që kanë përdorur kontraceptivë oralë.

Efekti protektiv i kontraceptivëve oralë mund të vijë si pasojë e reduktimit të numrit të ovulimeve që një grua ka gjatë jetës. Duke e reduktuar ekspozimin e saj ndaj hormoneve femërore që mund të ndikojnë në zhvillimin e kancerit të ovarit.

Kanceri kolorektal

Përdorimi i kontraceptivëve oralë mund të reduktojë riskun për kancer kolorektal deri në 15% ose 20% (studimi). Ky ndikim nuk varet nga kohëzgjatja e marrjes së kontraceptivëve edhe pse një efekt më i madh është vënë re në gratë që kanë përdorur kontraceptivë oralë në kohët e fundit.

Efekti protektiv i kontraceptivëve oralë në lidhje me riskun e kancerit kolorektal mendohet të jetë për shkak të nivelit të ulët te acideve biliare te gratë që përdorin kontraceptivë oralë. Ka të dhëna që acidet biliare veprojnë si promotorë të tumoreve ne zorrë.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna