Viti që po lëmë pas na ka afruar më shumë drejt kuptimit të kompleksitetit të kancerit, përmes terapive të reja dhe përparimeve teknologjike që deri pak vite më parë dukeshin të largëta. Por përkrah këtyre inovacioneve, mbeten edhe zona gri, pyetje të hapura që vazhdojnë të nxisin debat mes mjekëve dhe studiuesve.

Cilat zhvillime dominuan këtë vit? Cilat qasje terapeutike arritën praktikën klinike? Cilat drejtime të reja po fillojnë të formësojnë onkologjinë e së nesërmes?

Në mbyllje të vitit, këto janë disa nga njohuritë dhe mesazhet më të rëndësishme nga bota e onkologjisë përgjatë vitit 2025.

Trajtimi me PARP inhibitorë i kancerit të prostatës me mutacione në BRCA afrohet në linjën e parë të trajtimit

Për pacientët me kancer të prostatës metastatik rezistent ndaj kastracionit (mCRPC) dhe mutacione BRCA, viti 2025 shënon një ndryshim të rëndësishëm konceptual.

PARP-inhibitorët, veçanërisht olaparib, nuk po shihen më vetëm si trajtim në linja të avancuara pas dështimit të shumë opsioneve, por po integrohen më herët, në kombinim me terapinë hormonale.

Olaparib u zhvendos për herë të parë nga një trajtim i përdorur në faza të avancuara, në linjën e parë të trajtimit për një grup të përzgjedhur pacientësh me kancer të prostatës metastatik, me mutacione specifike të riparimit të ADN-së, veçanërisht ato në BRCA. Studimet kanë treguar se këta pacientë përfitojnë më shumë nga ky trajtim kur ai jepet herët, në kombinim me terapinë hormonale standarde.

Në praktikë, kjo do të thotë se testimi gjenetik është bërë pjesë thelbësore e vendimmarrjes që në fillim të trajtimit, duke i hapur rrugë një qasjeje më të personalizuar dhe më të targetuar për pacientët që kanë më shumë gjasa të përfitojnë.

Glioblastoma dhe CAR-T: më në fund një fije shpresë

Glioblastoma, tumori primar më agresiv i trurit tek të rriturit, vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të onkologjisë moderne, me prognozë shumë të kufizuar pavarësisht kirurgjisë, radioterapisë dhe kimioterapisë.

Në vitet e fundit, vëmendja është përqendruar tek terapia CAR-T, e cila ka transformuar trajtimin e disa tumoreve hematologjike, por që deri tani ka pasur sukses të kufizuar në tumoret solide. Megjithatë, disa studime klinike kanë raportuar sinjale inkurajuese, përfshirë reduktime tumorale të shpejta dhe mbijetesë më të gjatë se sa pritej në pacientë me glioblastomë të rikthyer, sidomos kur CAR-T qelizat dizajnohen për të targetuar më shumë se një antigen tumoral ose kombinohen me strategji të tjera imunologjike.

Këto rezultate mbeten eksperimentale dhe larg trajtimit standard, por për herë të parë pas shumë vitesh sugjerojnë se imunoterapia qelizore mund të ketë një rol në trajtimin e kësaj sëmundje jashtëzakonisht rezistente.

Leucemia mieloide akute: qelizat Natural Killer si alternativë ndaj CAR-T

Një nga zhvillimet më interesante të vitit 2025 vjen nga hematologjia: përdorimi i qelizave Natural Killer (NK) në pacientë me AML rezistente ndaj trajtimit.

Në disa studime të hershme janë raportuar remisione të plota edhe tek pacientë me prognozë jashtëzakonisht të pafavorshme, duke e vendosur këtë qasje në vëmendjen e komunitetit shkencor. Krahas efikasitetit të mundshëm, terapitë e bazuara në qelizat Natural Killer dallohen për një mekanizëm imunologjik më të thjeshtë dhe potencialisht më të sigurt krahasuar me CAR-T, me avantazhin se mund të prodhohen si produkte “off-the-shelf”, pa nevojën e personalizimit për çdo pacient. Ato shoqërohen gjithashtu me rrezik më të ulët për sindromën e çlirimit të citokinave, një nga toksicitetet më serioze të imunoterapive qelizore.

Ende në faza eksperimentale, këto strategji përfaqësojnë një platformë të re dhe biologjikisht të qëndrueshme për zhvillimin e imunoterapive të së ardhmes.

Ri-konfimrohet efikasiteti i vaksinës së HPV në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës

Kanceri i qafës së mitrës po shndërrohet gradualisht në një nga historitë më të qarta të suksesit të mjekësisë parandaluese. Të dhënat e konfirmuara gjatë vitit 2025 nga studime të mëdha europiane kanë forcuar provat për efektin afatgjatë të vaksinimit kundër HPV, duke treguar një rënie dramatike të infeksioneve nga nëntipet me rrezik të lartë, veçanërisht HPV 16 dhe 18.

Paralelisht, është vërejtur një ulje e ndjeshme e lezioneve prekanceroze, një tregues i drejtpërdrejtë se procesi që çon drejt kancerit mund të ndërpritet shumë përpara se sëmundja të shfaqet. Këtu nuk flitet për terapi të reja apo teknologji të sofistikuara, por për diçka edhe më të fuqishme: parandalimin e një kanceri përmes një ndërhyrjeje të thjeshtë, të sigurt dhe të bazuar në prova, një nga arritjet më të rëndësishme të shëndetit publik në dekadat e fundit.

Aktiviteti fizik redukton riksun për rikthim të kancerit kolorektal pas kirurgjisë

Në vitet e fundit, dhe me konfirmime të qarta gjatë vitit 2025, aktiviteti fizik është ripozicionuar nga një këshillë e përgjithshme për mirëqenie në një komponent real të kujdesit onkologjik, veçanërisht tek pacientët me kancer të kolonit. Të dhënat nga studime të mëdha observacionale dhe analiza afatgjata tregojnë se pacientët që arrijnë të mbajnë një nivel të rregullt aktiviteti fizik pas kirurgjisë kanë një rrezik më të ulët të rikthimit të sëmundjes dhe një mbijetesë më të mirë afatgjatë, krahasuar me ata që mbeten inaktivë.

Ky përfitim nuk lidhet vetëm me forcimin fizik, por edhe me mekanizma biologjikë më kompleksë, përfshirë përmirësimin e metabolizmit, reduktimin e inflamacionit kronik dhe ndikimin pozitiv mbi mekanizmat hormonale dhe imunitare.

Në këtë kontekst, lëvizja nuk është më thjesht një rekomandim mbi stilin e jetesës, por pjesë integrale e onkologjisë moderne, e fokusuar jo vetëm në trajtimin e sëmundjes, por edhe në përmirësimin e prognozës dhe cilësisë së jetës.

Melanoma: kombinimi i imunoterapisë dhe barnave epigjenetike, premtuese në kapërcimin e rezistencës ndaj trajtimit

melanomë, një nga sfidat më të mëdha të dekadës së fundit ka qenë rezistenca ndaj imunoterapisë. Edhe pse inhibitorët e checkpoint-it kanë ndryshuar ndjeshëm prognozën për shumë pacientë, një pjesë e tumoreve ose nuk përgjigjen që në fillim, ose humbasin ndjeshmërinë me kalimin e kohës. Pikërisht këtu, hyn në skenë epigjenetika, si një fushë që po ofron një mënyrë të re për të kuptuar dhe potencialisht për të kapërcyer këtë rezistencë.

Studime të reja sugjerojnë se barna epigjenetike mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si qelizat tumorale ndërveprojnë me sistemin imunitar, duke riformatuar mikromjedisin tumoral dhe duke “ç’bllokuar” sinjalet që e bëjnë tumorin të padukshëm ndaj sistemit imunitar. Në këtë mënyrë, tumoret që më parë nuk i përgjigjeshin imunoterapisë mund të bëhen sërish të ndjeshme ndaj saj, veçanërisht kur këto strategji përdoren në kombinim.

Edhe pse këto qasje janë ende në faza të hershme klinike dhe larg përdorimit rutinë, ato përfaqësojnë një nga drejtimet më premtuese për të adresuar kufijtë aktualë të imunoterapisë në trajtimin e melanomës.

Skaneri me low-dose mund të identifikojë deri në 80% të tumoreve të mushkërisë ne stad të hershëm

kancerin e mushkërisë, pavarësisht përparimeve të mëdha në terapitë e targetuara dhe imunoterapi, diagnostikimi i hershëm vazhdon të jetë faktori më i fuqishëm që ndikon në mbijetesë. Të dhënat e konfirmuara nga studime të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se depistimi me CT me dozë të ulët arrin të identifikojë shumicën e tumoreve në faza të hershme, kur sëmundja është ende e trajtueshme në mënyrë potencialisht kurative. Ky zbulim i hershëm përkthehet drejtpërdrejt në prognozë më të mirë dhe në më shumë jetë të shpëtuara.

Mesazhi që del qartë nga këto të dhëna është se, edhe pse trajtimet janë bërë më të sofistikuara se kurrë më parë, asnjë mjekim i ri nuk e zëvendëson fuqinë e diagnostikimit në kohë. Në kancerin e mushkërive, depistimi mbetet arma më e fortë që kemi sot për të ndryshuar rrjedhën e sëmundjes në nivel popullate.

Një trajtim i ri për kancerin e gjirit Triple-Negativ

Në kancerin e gjirit triple-negativ, veçanërisht në fazën metastatike, opsionet terapeutike për shumë vite kanë qenë të kufizuara dhe prognoza e dobët. Në këtë kontekst, antitrupat e konjuguar me barna që targetojnë TROP2 kanë përfaqësuar një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit. Këto terapi kanë demonstruar një përmirësim real të mbijetesës, duke ofruar një alternativë efektive edhe për pacientët tek të cilët imunoterapia nuk është e përshtatshme ose nuk ka dhënë përfitim.

Ndryshe nga shumë strategji të tjera eksperimentale, ADC-të kundër TROP2 janë tashmë të integruara në algoritmet terapeutike dhe përdoren gjerësisht në praktikën klinike, duke shënuar një ndryshim të qëndrueshëm në trajektoren e kësaj sëmundjeje agresive.

Kanceri i pankreasit: vaksinat me peptide zgjojnë një shpresë për të ardhmen

Në kancerin e pankreasit, një nga tumoret me prognozën më të kufizuar, vëmendja është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt strategjive që synojnë forcimin e përgjigjes imunitare pas trajtimit kirurgjikal.

Vaksinat terapeutike me peptide kanë treguar se mund të aktivizojnë sistemin imunitar në një pjesë të pacientëve të operuar, duke hapur perspektiva për reduktimin e rikthimit të sëmundjes, si dhe për një qasje më të personalizuar në terapinë adjuvante.

Megjithëse këto rezultate janë ende në faza të hershme dhe larg standardit të trajtimit, ato përfaqësojnë një drejtim serioz kërkimor, për një sëmundje ku nevoja për strategji të reja mbetet e madhe.

Lini një koment