Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual - po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

Një studim i madh me më shumë se 45,000 gra tregoi se përcaktimi i shpeshtësisë së mamografisë bazuar në riskun individual për të zhvilluar kancer gjiri është po aq efektiv sa rekomandimi aktual vjetor “njësoj për të gjitha”.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë. Aktualisht rekomandohet që gratë me risk mesatar për të zhvilluar sëmundjen, të kryejnë mamografi çdo vit që nga mosha 40 vjeç. Por prej vitesh, pyetja që si mjekët dhe pacientët shtrojnë është: A duhet që të gjitha gratë të kontrollohen njësoj, apo duhet të përshtaten intervalet e kontrollit sipas rrezikut individual?

Një studim i madh, me rreth 46,000 gra të moshës 40–74 vjeç, zbuloi se qasja e personalizuar, e bazuar në faktorët individualë të riskut, funksionon po aq mirë sa kontrolli vjetor standard në zbulimin e tumoreve.

Si funksionoi studimi?

Studiuesit i ndanë gratë në mënyrë rastësore në dy grupe:

  • 14,212 gra në grupin e kontrollit sipas riskut të tyre personal.
  • 14,160 gra vazhduan me mamografi vjetore si zakonisht.

Një pjesë tjetër e pjesëmarrëseve që nuk pranuan të caktoheshin rastësisht zgjodhën vetë metodën e tyre të depistimit, 89% preferuan qasjen e bazuar në rrezik.

Si u vlerësua risku personal?

Çdo grua që u përfshi në modelin e personalizuar iu nënshtrua një vlerësimi risku që përfshinte:

  • testim gjenetik (për mutacione në BRCA1/2 dhe gjene të tjera predispozuese),
  • moshën,
  • historinë personale dhe familjare shëndetësore,
  • stilin e jetesës,
  • densitetin e gjirit,
  • faktorë riprodhues si numri i fëmijëve dhe mosha e menarkes.

Në bazë të këtij vlerësimi, gratë u ndanë në katër kategori risku:

  1. Risk shumë i ulët – për të cilat u rekomandua fillimi i mamografisë në moshën 50 vjeç.
  2. Risk mesatar (62% e grave) – kontrolli me mamografi çdo 2 vjet, nga mosha 40 vjeç.
  3. Risk i lartë (8%) – kontroll çdo vit me mamografi, nga mosha 40 vjeç.
  4. Rrezik shumë i lartë (2%) – kontroll çdo 6 muaj, me alternim të mamografisë dhe rezonancës magnetike (MRI).

Çfarë treguan rezultatet?

Studimi, i quajtur WISDOM, u publikua në JAMA dhe u prezantua në Simpoziumin e San Antonios për Kancerin e Gjirit.

  • Depistimi i bazuar në riskun individual zbuloi po aq shumë tumore sa skema vjetore.
  • Surprizuese ishte fakti që u zbuluan më pak raste në fazë më të avancuar, por diferenca nuk ishte statistikisht e rëndësishme.
  • Megjithate, pavarësisht se disa gra bënë më pak mamografi, numri i biopsive mbeti po i njëjtë në të dy grupet.

Pse është i rëndësishëm testimi gjenetik?

Studimi ofroi testim gjenetik për të gjitha gratë që u përfshinë në grupin me ndjekje të personalizuar, pavarësisht historisë familjare. Një gjetje e rëndësishme ishte se 30% e grave që rezultuan pozitive për mutacione që rrisin rrezikun për kancer gjiri, nuk kishin histori familjare të kancerit të gjirit.

Sipas protokolleve aktuale, këto gra nuk do të testoheshin për mutacione dhe rreziku i tyre do të mbetej i panjohur.

Studimi na bën të reflektojmë se historia familjare nuk është mënyra e duhur për të vendosur se kush ka nevojë për më shumë kontroll për kancerin e gjirit.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna