Epoka e re e trajtimit të kancerit të gjirit metastatik HR-pozitiv

Për shumë vite, trajtimi i kancerit të gjirit metastatik hormon-receptor pozitiv ka qenë shumë i parashikueshëm: fillojmë me terapinë endokrine në kombinim me një frenues të CDK4/6, e më pas, në progresin e parë të sëmundjes përballemi me rezistencën ndaj terapisë, thuajse e pashmangshme te të gjithë pacientët. Kur kjo ndodh, terapia endokrine në monoterapi ofron vetëm pak javë ose muaj shtesë kontrolli të sëmundjes.

Por, qasja në trajtimin e kancerit të gjirit metastik HR+ po ndryshon. Dhe ndryshimi po vjen nga fusha ku gjithçka po përqendrohet: biologjia molekulare e tumorit.

Çfarë mutacionesh po e drejtojnë sëmundjen?

Testimi molekular, qoftë përmes biopsisë së tumorit, qoftë përmes ctDNA me biopsi likuide është shndërruar në busullën kryesore që udhëheq vendimmarrjen. Mutacione si PIK3CA, AKT, PTEN dhe ESR1 po kthehen në çelësa që hapin dyer drejt terapive të targetuara, kombinimeve të reja dhe qasjeve të personalizuara.

Në këtë kontekst, inavolisib shënoi një pikë kthese të rëndësishme. Studimi INAVO120, tregoi se shtimi i këtij PI3K-inhibitori, në kombinim me Palbociclib dhe Fulvestrant, tek pacientet me mutacion PIK3CA mund të dyfishojë kohën e lirë nga progresi i sëmundjes dhe të përmirësojë mbijetesën. Për herë të parë, një PI3K-inhibitor ofron përfitim në mbijetesë (PFS u rrit nga 7.3 muaj në 17.2 muaj dhe OS u rrit me 7 muaj). Kjo tregon se eskalimi i hershëm, tek pacientet me risk të lartë, mund të kthehen në një nga strategjitë e trajtimit. Por njëkohësisht, kërkon kujdes të madh për menaxhimin e toksicitetit, pasi hiperglicemia dhe efektet e tjera anësore kërkojnë monitorim të kujdesshëm.

Kur është momenti i duhur për analiza molekulare?

Nëse INAVO120 ndryshoi mënyrën si veprojmë tek pacientët me tumore PIK3CA+, SERENA-6 ndryshon mënyrën si mendojmë për progresionin e sëmundjes në përgjithësi.

Deri më tani, në qasjen tonë të trajtimit të kancerit të gjirit, kemi pritur progresin radiologjik për të bërë ndryshime në terapi. Por studimi SERENA-6 na tregoi të kundërtën.

Në këtë studim, pacientet që trajtoheshin me inhibitorë të aromatazës + CDK4/6 inhibitorë, monitoroheshin periodikisht me ctDNA për mutacion ESR1. Në momentin që ESR1 shfaqej, pavarësisht nëse kishte progres në imazheri, pacientet kaloheshin nga trajtimi me inhibitorë të aromatazës tek camizestrant, një SERD i ri oral.

Rezultatet treguan një rritje të ndjeshme të periudhës së lirë nga progresi (PFS nga 9 në 16 muaj) si dhe një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetë së pacientëve të trajtuar me këtë qasje.

SERENA-6 konfirmoi se progresi molekular është një dritare terapeutike reale dhe nëse e kapim në kohë, mund ta shtyjmë rezistencën terapeutike përpara se të shfaqet klinikisht.

Drejt personalizimit të mëtejshëm të trajtimit të kancerit të gjirit

Trajtimi i kancerit të gjirit metastatik HR+ po largohet nga modeli linear dhe po afrohet drejt një sistemi adaptiv, të personalizuar.

Në këtë sistem:

  • Testimi molekular do të rekomandohet si nje ekzmainim fillestar, në diagnozën metastatike.
  • ctDNA do të përdoret për ndjekje dinamike të rezistencës.
  • Ndryshimi i terapise do te rekomandohet me ndryshimin e biologjise tumorale, pa pritur progresin radiologjik.
  • Dhe mbi të gjitha, cilësia e jetës së pacientëve po kthehet në një tregues po aq të rëndësishëm sa PFS.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna