Në mbarë botën, po jetojmë më gjatë dhe me këtë, po përballemi gjithnjë e më shumë me një sfidë të re: kancerin tek të moshuarit. Sot, më shumë se gjysma e pacientëve me kancer janë mbi 65 vjeç. Por sistemi shëndetësor, kudo në botë, nuk është përshtatur mjaftueshëm për ta kuptuar dhe trajtuar këtë grup njerëzish, që shpesh janë të ngarkuar edhe me sëmundje të tjera, dhe me nevoja shumë të ndryshme nga pacientët e rinj.
Pikërisht për këtë arsye, Shoqata Amerikane e Onkologjisë Klinike (ASCO) ka publikuar një udhëzim të ri global, që ndihmon mënyrën se si kujdesemi për pacientët e moshuar me kancer.
Çfarë do të thotë “vlerësim geriatrik”?
Në thelb, vlerësimi geriatrik është një mënyrë për të parë pacientin përtej diagnozës së kancerit. Me anë të këtij vlerësimi, mjekër kuptojnë:
- Sa i fortë është ky pacient për të përballuar trajtimin?
- Si janë aftësitë konjtive? Si ushqehet? Kush e ndihmon në shtëpi?
- A do ta ndihmojë kimioterapia vërtet të jetojë më gjatë apo do t’ia përkeqësojë cilësinë e jetës?
Këto pyetje duken të thjeshta, por japin informacione të rëndësishme mbi performancën e pacientit dhe mënyrën se si do ta përballojë trajtimin. Studime të shumta kanë treguar se kur mjekët përdorin këtë vlerësim, pacientët e moshuar përjetojnë më pak efekte anësore dhe ruajnë më mirë pavarësinë e tyre. Në disa raste, madje, vlerësimi geriatrik ka shpëtuar jetë duke parandaluar trajtime që trupi i pacientit nuk do t’i përballonte dot.
Një udhëzim që respekton realitetin e çdo vendi
Ndryshe nga shumë udhëzime që zakonisht hartohen për vendet e zhviluara, ASCO këtë herë ka ndërtuar një dokument që merr parasysh pabarazitë e botës reale. Ai ndan sistemet shëndetësore në tre nivele:
- bazik (ku burimet janë minimale)
- të kufizuara
- të avancuara.
Në vendet ose spitalet ku mungojnë geriatrët apo psikologët klinikë, mjekët mund të përdorin forma të shkurtra të vlerësimit geriatrik si G8, një test i shkurtër që zbulon nëse pacienti ka nevojë për vlerësim të plotë geriartrik.
Çfarë ndodh pasi bëhet vlerësimi?
Vlerësimi është fillimi i një plani të personalizuar kujdesi që synon ruajtjen e cilësisë së jetës së pacientëve të moshuar përgjatë trajtimit për kancer.
Nëse gjatë vlerësimit zbulohet se pacienti ka vështirësi në ecje ose ekuilibër, trajtimi mund të shoqërohet me fizioterapi për të parandaluar rëniet, për të ruajtur forcën muskulare dhe për ta bërë më të lehtë përballimin e efekteve anësore të kimioterapisë. Nëse konstatohet mungesë oreksi, humbje peshe ose kequshqyerje, përfshihet një dietolog, që ndihmon pacientin të rikthejë energjinë dhe të përmirësojë tolerancën ndaj trajtimit. Nëse pacienti jeton vetëm, ndihmohet me gjetjen e një sistemi mbështetës, qofshin familjarë, kujdestarë apo shërbime komunitare.
Pra, qëllimi është vlerësimi për ofrimin e një kujdesi të vazhdueshëm, ku secili profesionist sjell diçka për të përmirësuar jetën e pacientit. Qëllimi i tij nuk është vetëm të zgjatet jeta, por të rikthehet funksioni dhe të ruhet pavarësia për aq kohë sa është e mundur.






Lini një koment