Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani

Për vite me radhë, kanceri i mushkërive është trajtuar pothuajse si sinonim i duhanpirjes, një sëmundje e lidhur ngushtë me zakonet e tymosjes. Ky perceptim, megjithëse i bazuar në prova të forta epidemiologjike, ka krijuar një pasojë të padukshme në praktikën mjekësore: ne pacientët që nuk kanë pirë kurrë duhan, dyshimi për kancer të mushkërive shpesh nuk ngrihet menjëherë, sepse mjekët, po aq sa edhe pacientët, e lidhin këtë diagnozë me duhanin.

Simptoma të zakonshme si kolla, dispnea apo dhimbja e kraharorit interpretohen në persona jo-duhanpirës si infeksione respiratore apo sëmundje inflamatore, çka shpesh çon në diagnostikim në stad të avancuar të sëmundjes.

Në këtë kontekst, një analizë ndërkombëtare e realizuar nga University College London (UCL) dhe e publikuar në JTO Clinical and Research Reports hedh dritë mbi një të vërtetë që po ndryshon rrënjësisht mënyrën si e kuptojmë këtë sëmundje. Sipas të dhënave të mbledhura nga studime që shtrihen nga viti 2000 deri në 2020, deri në 25% e rasteve të kancerit të mushkërive në mbarë botën dhe deri në 50% në vendet e Azisë Lindore ndodhin tek persona që nuk kanë pirë kurrë duhan, të ashtuquajturit never smokers, të cilët kanë tymosur më pak se 100 cigare gjatë gjithë jetës.

Ky fakt përmbys një paradigmë të tërë: duhani nuk është më shpjegimi i vetëm.

Në një pjesë të madhe të popullsisë, kanceri i mushkërive ka origjinë nga faktorë krejt të tjerë, ndotja e ajrit, çrregullimet hormonale, inflamacioni kronik dhe predispozitat gjenetike.
Kjo do të thotë se rreziku ekziston edhe tek pacientët jo-duhanpirës, dhe se vigjilenca diagnostike duhet të zgjerohet përtej pyetjes klasike: “A pini duhan?”

Një analizë gjithëpërfshirëse

Studimi, i drejtuar nga grupi OLIVE (On Lung Cancer In neVEr-smokers), analizoi të dhënat e 16 milionë individëve dhe 192 faktorë risku, të përmendur në 115 studime dhe 32 metaanaliza ndërkombëtare të botuara pas vitit 2017.

Për herë të parë, studiuesit ndanë rezultatet sipas rajonit:

  • Vendet Perëndimore (Evropë, SHBA, Australi)
  • Vendet e Azisë Lindore (Kina, Japonia, Koreja e Jugut)

Kjo ndarje tregoi se shkaqet e kancerit të mushkërive tek jo-duhanpirësit ndryshojnë ndjeshëm midis kontinenteve, duke reflektuar diferencat në gjenetikë, mjedis dhe stil jetese. Ndaj, ky studim e zhvendos vështrimin nga një shkak i vetëm drejt një mozaiku të ndërlikuar faktorësh, biologjikë, hormonalë, gjenetikë dhe mjedisorë, që ndërveprojnë mes tyre në mënyra që së fundmi po fillojmë t’i kuptojmë.

Më poshtë faktorët kryesorë të identifikuar në nivel botëror:

1. Gjinia femërore dhe ndikimi hormonal

Mes individëve që nuk kanë pirë kurrë duhan, gratë diagnostikohen më shpesh me kancer të mushkërive sesa burrat, me një prirje rreth 30% më të lartë. Kjo gjetje nuk do të thotë se mosduhanpirja rrit rrezikun, por tregon se mushkëritë e grave janë më të ndjeshme ndaj disa faktorëve biologjikë dhe mjedisorë, si ndotja e ajrit, inflamacioni kronik apo ndryshimet hormonale.

Gjithashtu, menopauza kirurgjikale (heqja e vezoreve) lidhet me rritje 65–100% të rrezikut për zhvillimin e kancerit të mushkërive tek jo-duhanpirëset. Kjo sugjeron se ekuilibri hormonal, dhe sidomos roli i estrogjenit, mund të ndikojë në mënyrën se si qelizat e mushkërive përballen me dëmtimet e ADN-së ose me ndotësit që thithen nga ajri. Estrogjeni luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e strukturës dhe funksionit të indeve pulmonare, duke ndihmuar në kontrollin e inflamacionit dhe në mbrojtjen ndaj stresit oksidativ.
Kur ky hormon bie në mënyrë të papritur pas heqjes së vezoreve, indet e mushkërive mbeten më të ekspozuara ndaj dëmtimeve të shkaktuara nga faktorët e jashtëm, si ndotja apo agjentët toksikë të ambientit, duke favorizuar proceset që mund të çojnë në transformime qelizore.

Çfarë ndodh kur këto gra pijnë duhan?

Studimet tregojnë se kur gratë pijnë duhan, rreziku i tyre për zhvillimin e kancerit të mushkërive është më i lartë sesa tek burrat që pijnë të njëjtën sasi duhani dhe se sëmundja do të shfaqet në një moshë më të re. Ky diferencim buron nga disa mekanizma biologjikë të lidhura me metabolizmin e subtancave toksike.

Ky fakt nënvizon rëndësinë e parandalimit total të duhanpirjes tek gratë, sidomos në vende me ndotje të lartë dhe ekspozim të dyfishtë, tym duhani dhe ndotje urbane.

2. Artriti reumatoid – inflamacioni si katalizator

Pacientët me artrit reumatoid kanë rreth 40% më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive, edhe pa qenë duhanpirës. Kjo nuk lidhet me ndonjë ekspozim toksik të drejtpërdrejtë, por me natyrën e sëmundjes vetë, një gjendje e gjatë inflamatore që ndikon në të gjithë organizmin.

Në artritin reumatoid, citokinat inflamatore qarkullojnë në gjak për vite, duke krijuar një mjedis biologjik të ngarkuar me stres oksidativ dhe dëmtime mikroskopike të ADN-së.
Mushkëritë, si një nga organet ku shfaqen shpesh manifestime të sëmundjes (fibrozë intersticiale, inflamacion alveolar), përballen me ciklin e vazhdueshëm të dëmtimit dhe riparimit qelizor, një terren i favorshëm për mutacione që me kalimin e kohës mund të çojnë në transformim malinj.

3. Ekspozimi pasiv ndaj tymit të duhanit

Edhe pse këta individë nuk pinë vetë duhan, ekspozimi i përhershëm ndaj tymit të tjetrit rrit rrezikun për kancer të mushkërisë me rreth 30%. Ky rrezik është i rëndësishëm sidomos për personat që jetojnë me duhanpirës ose punojnë në ambiente të mbyllura pa ventilim. Molekulat e tymit qëndrojnë në ajër, në rroba dhe në mure për orë të tëra, ndotje të quajtura third-hand smoke – një përzierje nikotine dhe komponimesh kancerogjene që mund të thithen përsëri përmes ajrit ose kontaktit me sipërfaqet.

Rëndësia e këtij ekspozimi është edhe më e madhe kur ndodh në fëmijëri. Studimet tregojnë se fëmijët që rriten në familje ku pihet duhan kanë dëmtime të hershme të strukturës së mushkërive dhe ulje të kapacitetit respirator, gjë që i bën më të ndjeshëm ndaj ndotjes dhe proceseve inflamatore më vonë në jetë.

4. Ndotja e ajrit (PM2.5 dhe PM10)

Në qytetet e mëdha, ndotja e ajrit është “duhanpirja e re”. Pjesëzat e imëta të pluhurit (PM2.5) depërtojnë deri në alveola dhe shkaktojnë stres oksidativ dhe dëmtime të ADN-së.

Sipas metaanalizës,

  • PM2.5 rrit rrezikun me 15%. PM2.5 përbëhen kryesisht nga djegia e lëndëve (karburante fosile, naftë, benzinë, druri) nga automjetet, termocentralet, ngrohja me dru.
  • PM10 rrit rrezikun me 10%. PM10 përfshijnë burime të ngurta më “makro”: pluhur nga rrugët e paasfaltuara, vendet e ndërtimit. Gjithashtu, PM10 mund të përfshijë grimca “natyrale” si pluhuri i erës, poleni, pra nuk janë vetëm nga djegia.

OBSH tashmë e klasifikon ndotjen e ajrit si karcinogjen të grupit I, njësoj si duhani dhe asbesti.


5. Kanceri i mëparshëm

Personat që kanë kaluar një formë tjetër të kancerit kanë dyfish rrezik për të zhvilluar një kancer mushkërie. Ky fenomen lidhet me dëmtimet e akumuluara nga terapitë me rrezatim, kimioterapitë që ndikojnë në ADN dhe predispozitat e përbashkëta gjenetike.

6. BMI i ulët dhe varfëria sociale

BMI e ulët (nën 20 kg/m²) dhe varfëria lidhën me rritje të rrezikut deri në 100%.
Kequshqyerja shkakton çrregullime të sistemit imunitar dhe organizmi humbet aftësinë për të korrigjuar dëmet qelizore.

Deprivimi social, përveç ndikimit ekonomik, nënkupton shpesh edhe ekspozim më të lartë ndaj ndotjes, mungesë kontrollesh mjekësore dhe akses të kufizuar në informacion shëndetësor, çka jo vetëm rrisin riskun për zhvillim të kancerit por edhe për diagnostikim në stad më të avancuar.

Në vendet perëndimore, faktorët kryesorë ishin ndotja dhe ekspozimi sipas profesionit

Në Evropë dhe SHBA, faktorët kryesorë janë mjedisorë:

  • Pesticidet: rritje e rrezikut me 280%
  • Asbesti dhe pllakat pleurale: rritje me 200%
  • Djegia e drurit në shtëpi: rritje me 100%
  • Inflamacioni kronik: rritje me 80%

Një tjetër gjetje e veçantë është se personat me origjinë aziatike që jetojnë në perëndim kanë 70–180% rrezik më të lartë, duke sugjeruar rolin e fortë të faktorëve gjenetikë.


Në vendet e Azisë Lindore: gjenetika dhe hormonet janë faktorët kryesorë

Në Azinë Lindore, profilin e riskut e prin trashëgimia familjare dhe faktorët biologjikë:

  • Historia familjare e kancerit të mushkërive: +55%
  • Menopauza kirurgjikale: +65–100%
  • Sëmundjet kronike të frymëmarrjes: +90%
  • Kolesteroli LDL anormal: +40%
  • Bronkiektazitë: +40%

Në këtë grup popullatash, mutacionet gjenetike të trashëguara (si EGFR, ALK, ROS1) janë më të shpeshta dhe shpjegojnë pse edhe pa duhan, incidenca e kancerit të mushkërive mbetet e lartë.


Çfarë do të thotë kjo për praktikën klinike?

Ky studim e vendos theksin tek rishikimi i mënyrës së vlerësimit të riskut për kancerin e mushkërisë. Në të ardhmen, faktorët e tjerë, përveç duhanpirjes, mund të shërbejnë për zhvillimin e algoritmeve të personalizuara të parashikimit të riskut dhe hartimin e strategjive parandaluese mjedisore, sociale dhe të lidhura me stilin e jetesës.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna