Një studim i ri në onkologji ka sjellë një mënyrë të re për të përcaktuar me më shumë saktësi se cilët pacientë me kancer të fshikëzës urinare që infiltron shtresën muskulare do të përfitonin më shumë nga imunoterapia pas operacionit. Kjo arrihet falë përdorimit të një analize të re gjaku që zbulon ADN tumorale qarkulluese (ctDNA) – fragmente mikroskopike të ADN-së që mbeten në gjak pas heqjes së tumorit dhe që tregojnë nëse në trup mund të ketë ende qeliza kanceroze të padukshme.
Studimi IMvigor011, tregoi se trajtimi me imunoterapi – atezolizumab, në pacientët me ctDNA pozitiv pas operacionit, rrit ndjeshëm mbijetesën nga kanceri i fshikzës urinare.
Nga operacioni te imunoterapia e personalizuar
Kanceri i fshikëzës urinare me infiltrim muskular është një sëmundje agresive, e trjatuar me cistektomi radikale, me ose pa trajtim neoadjuvant. Edhe pse operacioni (heqja e fshikëzës) mund të jetë shërues për shumë pacientë, rreth 50% e tyre kanë rikthim të sëmundjes, që zakonisht lidhet me prognozë të varfër.
Deri më sot, imunoterapia pas operacionit është përdorur pa mundur të dihet saktësisht kush përfiton prej saj, me rezultate mikse mbi efikasitetin real të trajtimit. Qëllimi i studimit IMvigor011 ishte të identifikonte pacientët me rrezik më të lartë për rikthim të sëmundjes, në mënyrë që ata të trajtohen me imunoterapi, ndërsa të tjerët të kursehen nga trajtimi i panevojshëm.
Studimi IMvigor011
Në studim u përfshinë 761 pacientë me kancer të fshikëzës urinare, pas cistektomisë radikale, pa shenja të dukshme sëmundjeje në imazheri. Pas testimit për ctDNA, 250 pacientë rezultuan pozitivë dhe u përfshinë në fazën e randomizimit për trajtim ose jo me atezolizumab. Nga këta pacientë, 167 u trajtuan me atezolizumab, çdo katër javë deri në një vit, ndërsa 83 pacientë u trajtuan me placebo.

Rezultatet treguan se:
- Mbijetesa pa sëmundje (DFS) ishte 9.9 muaj me atezolizumab kundrejt 4.8 muajve me placebo;
- Mbijetesa e përgjithshme (OS) ishte 32.8 muaj me atezolizumab kundrejt 21.1 muajve me placebo;
- Për 357 pacientët që mbetën ctDNA-negativë, mbijetesa pa sëmundje ishte 95% në fund të vitit të parë dhe 88% pas dy vitesh.

Çfarë do të thotë ky studim për trajtimin e kancerit të vezikës
Ky studim përfaqëson një hap konkret drejt trajtimit të personalizuar në kancerin e fshikzës urinare: trajtimi nuk jepet më sipas një modeli të njëjtë për të gjithë, por bazohet në shenjat molekulare të sëmundjes te secili pacient.
Përdorimi i atezolizumabit i drejtuar nga ctDNA lejon që:
- pacientët me rrezik të lartë të marrin trajtim në kohë,
- ndërsa ata me rrezik të ulët të shmangin trajtime të panevojshme, efekte anësore dhe kosto shtesë.
Kjo qasje mund të ndryshojë praktikën klinike jo vetëm në kancerin e fshikëzës, por edhe në shumë tumore të tjera, duke e afruar mjekësinë drejt një epoke ku çdo vendim terapeutik bazohet në biologjinë unike të pacientit.






Lini një koment