Crregullimet e tirodies ne imunoterapi

Në dekadën e fundit, imunoterapia ka ndryshuar historinë e shumë sëmundjeve onkologjike. Ajo nuk sulmon drejtpërdrejt qelizat e kancerit si kimioterapia, por “zgjon” sistemin tonë imunitar, duke e bërë atë më të aftë për t’i njohur dhe luftuar qelizat malinje. Falë imunoterapisë, shumë pacientë me kancer jetojnë më gjatë dhe me cilësi më të mirë jete.

Mirëpo si çdo sistem që tejstimulohet, edhe imuniteti mund të humbasë ndjesinë e dallimit midis “armikut” dhe “vetes”. Dhe një nga viktimat më të shpeshta të këtij çrregullimi është gjëndra tiroide, motori i vogël hormonal që rregullon ritmin e trupit tonë.

Çfarë është tiroideja dhe pse ndikohet nga imunoterapia?

Tiroidja ndodhet në pjesën e përparme të qafës, një gjëndër në formë fluture. Ajo prodhon hormonet T3 dhe T4.

Barnat që përdoren për trajtim me imunoterapi në kancer, të quajtura frenues të pikave të kontrollit imunitar (immune checkpoint inhibitors – ICIs), heqin “frenat” që normalisht e mbajnë sistemin imunitar nën kontroll. Në këtë mënyrë, sistemit imunitar i jepet liri për të luftuar kancerin. Por shpesh, në këtë betejë, tiroidja bëhet dëmi kolateral. Ky proces ndodh sepse sistemi imunitar fillon të prodhojë antitrupa që e sulmojnë gjëndrën, duke shkaktuar tiroidit imunitar, një inflamacion i gjëndrës që mund të manifestohet në dy mënyra klinike të kundërta: fillimisht hipertiroidizëm, më pas hipotiroidizëm.

Në fazën e parë të inflamacionit, qelizat imune dëmtojnë strukturën e tiroides dhe çlirimi i hormoneve tiroide (T3 dhe T4) në qarkullim rritet ndjeshëm. Kjo gjendje është e zakonshme veçanërisht gjatë javëve të para të trajtimit me imunoterapi. Pas javëve të para, kur depozitat hormonale janë konsumuar, tiroidja nuk arrin më të prodhojë mjaftueshëm hormone, dhe pacienti kalon në hipotiroidizëm, fazë që kërkon zakonisht zëvendësim me levotiroksinë.

Sa shpesh ndodh kjo?

Sipas një përmbledhjeje të studimeve të viteve të fundit, deri në 40% e pacientëve që marrin imunoterapi mund të zhvillojnë ndryshime në funksionin e tiroides. Ky rrezik është më i lartë kur përdoren kombinime barnash (p.sh. ipilimumab + nivolumab) sesa vetëm një lloj imunoterapie. Në shumicën e rasteve, çrregullimi ndodh brenda 2 deri në 3 muajve të parë të trajtimit.

Cilat janë simptomat?

Shenjat mund të jenë të lehta dhe shpesh ngatërrohen me lodhjen nga vetë trajtimi i kancerit. Në fazën e hipertiroidizmit, pacienti mund të ndjejë:

  • Takikardi
  • Djersitje e shtuar
  • Afshe të nxehti
  • Nervozizëm, ankth apo humbje peshe

Ndërsa në fazën e hipotiroidizmit:

  • Lodhje e theksuar
  • Ndjesi të ftohti
  • Shtim në peshë
  • Lëkurë e thatë dhe flokë që bien
  • Përgjumje, rënie të humorit
Crregullimet e tiroides gjate imunoterapise

Megjithatë, shpesh pacientët nuk e ndjejnë menjëherë ndryshimin, por analizat e gjakut e tregojnë qartë.

Si zbulohet dhe si trajtohet çrregullimi?

Para fillimit të imunoterapisë, mjekët masin TSH dhe FT4, hormonet që tregojnë për funksionin e tiroides. Gjatë trajtimit, këto analiza përsëriten çdo 4–8 javë, ose më shpesh nëse ka simptoma.

Nëse diagnostikohet hipotiroidizëm, trajtimi është i thjeshtë: zëvendësim me levotiroksinë, një formë sintetike e hormonit tiroide. Doza përshtatet gradualisht dhe kontrollohet çdo disa javë. Zakonisht nuk është e nevojshme ndërprerja e imunoterapisë, përveç rasteve të rralla kur simptomat janë shumë të rënda.

Si ndikon te trajtimi i kancerit?

Ndryshe nga ç’mund të pritet, disa studime kanë vënë re një fakt intrigues, pacientët që zhvillojnë efekte anësore nga imunoterapia, përfshirë edhe çrregullimet e tiroides, shpesh kanë mbijetesë më të gjatë dhe përgjigje më të mirë ndaj trajtimit.

Kjo sugjeron se, ndonëse çrregullimet e tiroides janë efekte anësore, ato mund të reflektojnë një aktivizim më të fortë të sistemit imunitar, i cili, në të njëjtën kohë që prek tiroiden, lufton më me efektivitet qelizat e kancerit. Kjo lidhje është ende subjekt kërkimesh, por për momentin shfaqja e disa prej efekteve anësore imune shihet si tregues i një përgjigjeje të fuqishme terapeutike, jo si pengesë për trajtimin.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna