Vaksinat mRNA kundër COVID-19 mund të përmirësojnë efektin e imunoterapisë në trajtimin e kancerit.

Një tjetër prezantim që mori vëmendje në kongresin e ESMO ishte ai mbi efektin e vaksinave mRNA kundër COVID19. Studimi, i publikuar gjithashtu në Nature, i realizuar nga Universiteti i Floridës dhe Qendrës Onkologjike MD Anderson në Teksas, ka hedhur dritë mbi mënyrën se si terapitë e bazuara në mRNA mund të “zgjojnë” sistemin imunitar për të luftuar kancerin.

Studimi ka zbuluar se pacientët me kancer të avancuar të mushkërive ose të lëkurës që morën një vaksinë mRNA kundër COVID-19 brenda 100 ditëve nga fillimi i imunoterapisë, jetuan dukshëm më gjatë se ata që nuk e morën vaksinën.

Çfarë tregoi studimi?

Studjuesit analizuan mbi 1,000 pacientë me kancer të mushkërive me qeliza jo të vogla (NSCLC) dhe melanomë metastatike që kishin marrë imunoterapi.

Rezultatet ishin surprizuese:

  • Pacientët që u vaksinuan me vaksinë mRNA kundër COVID-19 (Pfizer ose Moderna) brenda 100 ditëve nga fillimi i imunoterapisë, jetuan shumë më gjatë se ata që nuk ishin vaksinuar.
  • Tek pacientët me NSCLC, mbijetesa mesatare u rrit nga 20.6 muaj në 37.3 muaj.
  • Tek pacientët me melanomë, mbijetesa 3-vjeçare u rrit nga 44% në 68%.

Pra disa nga pacientët e vaksinuar kundër COVID19 dhe trajtuar me imunoterapi, dyfishuan shanset për mbijetesë.

Si u shpjegua ky rezultat?

Sipas autorëve, mekanizmi prapa këtij efekti lidhet me mënyrën sesi vaksinat mRNA ndërhyjnë në “rindezjen” e mbrojtjes natyrore të trupit. Kur një vaksinë mRNA kundër COVID-19 futet në organizëm, ajo përmban instruksione gjenetike që nxisin qelizat tona të prodhojnë një proteinë virale (si proteina spike e SARS-CoV-2). Ky proces aktivizon menjëherë sistemin imunitar, duke çliruar një valë të fuqishme interferonesh të tipit I, molekula që veprojnë si “sirenat” e alarmit biologjik.

Këto interferone sinjalizojnë qelizat imune që diçka “e huaj” ndodhet në organizëm, duke mobilizuar qelizat dendritike dhe makrofagët, të cilët përgatitin dhe “shfaqin” antigjene për t’u njohur nga qelizat T citotoksike. Ky ndërveprim zinxhir i bën qelizat T më vigjilente dhe më të afta të dallojnë jo vetëm proteinat virale, por edhe antigjenet që shfaqen nga qelizat tumorale.

Me fjalë të tjera, vaksina “stërvit” sistemin imunitar të reagojë më fort ndaj çdo rreziku, përfshirë edhe kancerin.

Në tumoret e ashtuquajtura “të ftohta imunologjikisht”, pra ato që nuk provokojnë përgjigje imune sepse janë të varfra në qeliza imune brenda mikromjedisit të tyre, ky efekt është veçanërisht i rëndësishëm. Normalisht, këto tumore nuk reagojnë ndaj imunoterapisë. Por vaksina mRNA, përmes interferonit dhe aktivizimit të qelizave dendritike, mund të rikthejë një tumor “të ftohtë” në një tumor “të nxehtë”, duke e bërë të ndjeshëm ndaj inhibitorëve të immune check-point, si anti–PD-1 apo anti–PD-L1.

Në thelb, studimi tregon se një vaksinë e zakonshme kundër një virusi mund të riformatojë të gjithë mikromjedisin e tumorit, duke e bërë trupin më të aftë për të luftuar kancerin, një koncept që deri tani dukej i mundshëm vetëm me vaksina të personalizuara kundër tumorit.

Çfarë rëndësie ka ky zbulim?

Ky zbulim mund të hapë rrugën për vaksina mRNA “universale” që forcojnë efektin e imunoterapisë. Në të ardhmen, një vaksinë e zakonshme e zhvilluar për infeksione mund të përdoret për të rritur ndjeshmërinë e tumoreve ndaj trajtimit, një hap i ri drejt përdorimit të vaksinave jo vetëm për parandalim, por edhe për luftën kundër kancerit.

Limitimet e studimit

Studimi është retrospektiv, që do të thotë se studjuesit analizuan të dhënat mjekësore ekzistuese të atyre që kishin marrë imunoterapi dhe vaksinën mRNA kundër COVID-19.

Pra, megjithëse ekziston një lidhje e fortë mes vaksinimit dhe mbijetesës më të gjatë, nuk mund të thuhet me siguri absolute që vaksina është arsyeja direkte e këtij përmirësimi.

Për më tepër, studimi përfshiu vetëm pacientë me kancer të mushkërive (NSCLC) dhe melanomë, dy lloje ku imunoterapia është tashmë pjesë standarde e trajtimit. Për të qenë të sigurt se efekti është real dhe i përgjithshëm, duhen kryer studime klinike të kontrolluara prospektive, ku mund të provohet nëse vaksinat mRNA mund të përdoren qëllimisht për të rritur efektin e imunoterapisë në lloje të ndryshme kanceri.

Lini një koment

ATë që kanceri s’e prek dot

Ka gjëra që s’i nënshtrohen asnjë sëmundjeje.
Dashuria nuk zbehet,
shpresa nuk thyhet,
besimi nuk lëkundet.

Paqja e shpirtit rri si një dritë në thellësi,
që asnjë errësirë nuk e përpin.
Kujtimet nuk shuhen,
miqësia nuk vdes,
guximin s’ka zë që ta heshtë.

Ka një pjesë të njeriut që nuk sëmuret,
një frymë që ngrihet mbi trupin,
dhe kanceri, me gjithë fuqinë e tij,
s’e prek dot.

~ autor i panjohur

akromegali Antibody Drug Conjugates BRCA1/BRCA2 COVID-19 diabet Diabeti dializa peritoneale Dieta anti-kancer Efektet anesore EGFR EndoPredict Enhertu hemodializa HER2 hipertiroidizem Imunoterapia Infeksionet Urinare insulin jod kancer Kancer gjiri Kancer gjiri metastatik Kanceri Kanceri i gjirit Kanceri i mushkerise Kanceri i qafës së mitrës Kanceri pulmonar Kancer kolorektal Kancer ovari Kancer prostate Kimioterapi Kimioterapia kolesterol Lifestyle Melanoma Nefrologjia Nutricioni Onkologji Onkologjia pcos Screening Semundja renale kronke Terapi endokrine Tiroide yndyrna