Rezultatet pozitive nga studimet DESTINY-Breast05 dhe DESTINY-Breast11 tregojnë se mund të jemi shumë pranë një ndryshimi të madh në mënyrën si trajtohen pacientet me kancer gjiri HER2 pozitiv me risk të lartë.
Pas rezultateve pozitive të antitrupave të konjuguar me barna (ADC), të cilët kanë treguar efikasitet të lartë dhe më pak efekte anësore se kimioterapia tradicionale tek pacientet me kancer gjiri metastatik, këto barna janë bërë tashmë pjesë e trajtimit standard në shumë vende. Tani, përdorimi i tyre po shtrihet përtej fazës metastatike, duke u testuar edhe në trajtimin kurativ të pacienteve me kancer të hershëm të gjirit HER2 pozitiv.
Të dhënat e para për përdorimin e ADC-ve në trajtimin neoadjuvant u prezantuan në Kongresin e ESMO 2025 në Berlin.
Studimi DESTINY-Breast05
T-DM1 është aktualisht i vetmi ADC i aprovuar për trajtimin e pacienteve me kancer gjiri HER2 pozitiv që, pas trajtimit neoadjuvant, nuk kanë pasur përgjigje të plotë nga trajtimi (pCR). T-DM1 u bë trajtimi standard pas rezultateve të studimit KATHERINE, ku u pa se ulte rrezikun e rikthimit të sëmundjes ose vdekjes me 50% krahasuar me trastuzumabin klasik.
Ky ishte një përparim i madh, sepse për herë të parë një ADC tregoi se mund të përmirësojë ndjeshëm mbijetesën tek pacientet me rrezik të lartë për rikthim pas terapisë neoadjuvante.
Duke u nisur nga ky sukses, kërkimet shkencore u përqendruan në zhvillimin e ADC-ve më të avancuara, me efikasitet më të lartë dhe toksicitet më të ulët. Kështu u konceptua trastuzumabi derukstekani (T-DXd), një antitrup i gjeneratës së re që çliron dozë më të madhe të ngarkesës citotoksike brenda qelizës tumorale dhe ndikon edhe në qelizat tumorale përreth me efektin e njohur si “bystander effect”.
Në ESMO 2025, studimi DESTINY-Breast05 tregoi se T-DXd e tejkalon efketin e T-DM1. Në studim janë përfshirë 1,635 pacientë me kancer gjiri HER2 pozitiv, me sëmundje reziduale pas kimioterapisë neoadjuvante. T-DXd uli me 53% rrezikun e rikthimit të sëmundjes krahasuar me T-DM1 (HR 0.47; 95% CI 0.34–0.66; p<0.0001).

Sa i përket efekteve anësore (EA), ato ishin të ngjashme në të dy grupet. Megjithatë, u vu re një incidencë më e lartë e sëmundjes intersticiale pulmonare (ILD) te pacientet që u trajtuan me T-DXd (9.6% kundrejt 1.6% me T-DM1), gjë që kërkon monitorim të rregullt radiologjik gjatë trajtimit.
Këto rezultate tregojnë se T-DXd mund të zëvendësojë T-DM1 si trajtimi i ri standard për pacientet me sëmundje reziduale pas trajtimit neoadjuvant, duke përfaqësuar një hap tjetër të rëndësishëm drejt trajtimeve më efektive për këtë grup të pacientëve.
Studimi DESTINY-Breast11
Në sesionin presidencial të parë të kongresit ESMO 2025, u prezantuan rezultatet e studimit DESTINY-Breast11, një studim klinik i fazës III që mund të ndryshojë edhe ky mënyrën si trajtohet kanceri i gjirit HER2 pozitiv në neoadjuvancë.
Studimi vuri në pah potencialin e një skeme të re neoadjuvante, pa antraciklina që përfshin kombinimin e trastuzumab deruxtecan (T-DXd) + trastuzumab + pertuzumab + taksane (THP). Qëllimi kryesor i studimit ishte të vlerësohej përgjigja patologjike e plotë (pCR) – pra mungesa e plotë e qelizave tumorale invazive në gji ose në limfonoduj pas trajtimit neoadjuvant.
Deri në mars 2025, në studim janë përfshirë 640 paciente, të cilat janë ndarë në mënyrë rastësore për t`u trajtuar ose me kombinimin T-DXd-THP, ose me skemën standarde ddAC-THP. Përgjigja e plotë nga trajtimit (pCR) ishte 67.3% në grupin e T-DXd-THP kundrejt 56.3% në grupin ddAC-THP (diferenca absolute 11.2%; 95% CI: 4.0–18.3; p=0.003). Ky përmirësim u pa si tek pacientet HR-pozitive, ashtu edhe tek ato HR-negative.

Një aspekt i rëndësishëm i studimit ishte profili më i mirë sigurisë me skemën T-DXd-THP.
Efektet anësore të rënda (gradë ≥3) ishin më të pakta krahasuar me trajtimin standard (37.5% kundrejt 55.8%), përfshirë kardiotoksicitetin, shumë më i rrallë se në trajtimin standard (1.9% kundrejt 9.0%). Rastet e ILD ishin të pakta dhe të ngjashme në të dy grupet, dhe asnjë efekt anësor nuk pengoi kryerjen e operacionit pas neoadjuvancës.
Në fjalët e prezantuesve të studimeve u përmend se T-DXd “ka potencialin për të sfiduar standardin aktual të trajtimit të kancerit të gjirit HER2 pozitiv, ku objektiv i vërtetë është shërimi”.







Lini një koment