Studimi NATALEE ka vlerësuar trajtimin me ribociclib (Kisqali) për 3 vite si terapi adjuvante krahas terapisë hormonale (letrozole ose anastrozole) tek pacientet me kancer gjiri HR+/HER2-, në krahasim me trajtimin vetëm me terapi hormonale. Pacientet premenopauzante u trajtuan gjithashtu edhe me supresion ovarian.
Të dhënat e përditësuara të ndjekjes dhe rezultatet u paraqitën në ESMO 2025. Popullata e pacienteve që u trajtuan me ribociclib, ishin pacientet me kancer gjiri receptorë hormonalë pozitivë (HR+) dhe Her2 negativ, me stadin si më poshtë:
- Tumoret N0, G3 ose G2 me Ki67 >20% ose risk gjenomik i larte (MammaPrint ose Oncotype)
- Stadi IIA me N1 pozitiv
- Stadi IIB
- Stadi III
Të dhënat e përditësuara të paraqitura në ESMO treguan se, pas një ndjekjeje mesatare prej 55.4 muajsh, u vu re një përmirësim absolut prej 4.5% në mbijetesën e lirë nga sëmundja (iDFS) tek pacientet që morën ribociclib.
- iDFS në pacientët e trajtuar me kombinimin Ribociclib + terapi hormonale – 85.5%
- iDFS në pacientët e trajtuar vetëm me terapi hormonale – 81%

Rezultatet e studimit treguan se përfitimi nga ribociclibi u vu re tek të gjitha grupet e pacienteve, si tek ato premenopauzante dhe ato postmenopauzante, tek ato që kishin marrë ose jo kimioterapi më parë, si dhe në stad të hershëm apo lokalisht të avancuar.
Një gjetje shumë e rëndësishme ishte se edhe pacientet pa limfonoduj të prekur (N0) përfituan nga trajtimi me ribociclib. Në këtë grup u vu re një përfitim absolut prej 5.7% në mbijetesën e lirë nga sëmundja (iDFS) me shtimin e ribociclibit: nga 84.6% në grupin e trajtuar vetëm me terapi hormonale në 90.3% në grupin e trajtuar me ribociclib + terapi hormonale.
A jetojnë më gjatë pacientët e trajtuar me Ribociclib adjuvant?
Ende nuk kemi të dhëna afatgjata të mjaftueshme të mbijetesës së përgjithshme, për të treguar nëse pacientët me ribociclib adjuvant jetojnë më gjatë. Megjithatë, në analizẽn e fundit tashmë po shihet një sinjal pozitiv për përmirësim të mbijetesës së përgjithshme:
nga 92.5% në 94.1% me shtimin e ribociclibit.
Rezultatet e mbijetesës së përgjithshme janë ende rezultate paraprake, por tregojnë një drejtim optimist. Megjithatë, nevojitet ndjekje më e gjatë për të konfirmuar plotësisht përfitimin në mbijetesën afatgjatë.








Lini një koment