Kanceri kolorektal është një nga sëmundjet më të zakonshme malinje dhe shpesh diagnostikohet te individët mbi 50–60 vjeç. Megjithatë, në vitet e fundit, incidenca e tij po rritet ndjeshëm edhe në moshat më të reja. Në Shqipëri numërohen 522 raste të reja vetëm në vitin 2022, duke e renditur si kanceri i katërt më i shpeshtë.
Terapia totale neoadjuvante në kancerin rektal është një strategji gjithnjë e më e përdorur për pacientët me sëmundje lokalisht të avancuar. Duke kombinuar radioterapinë dhe kimioterapinë përpara operacionit, kjo qasje moderne ofron përfitime të rëndësishme në uljen e metastazave dhe përmirësimin e mbijetesës pa sëmundje.
Evolucioni i trajtimit të kancerit rektal lokalisht të avancuar
Edhe pse shpesh përmenden së bashku, kanceri i kolonit dhe ai i rektumit janë sëmundje të ndryshme nga ana biologjike dhe klinike, duke kërkuar qasje të ndryshme terapeutike. Kanceri i rektumit kërkon një trajtim multimodal, ku radioterapia, kimioterapia dhe kirurgjia luajnë një rol thelbësor në përmirësimin e mbijetesës dhe kontrollin lokal të sëmundjes. Përkundër suksesit në kontrollin lokal, metastazat e largëta mbeten shkaku kryesor i dështimit të trajtimit dhe i vdekshmërisë së pacientëve.
Për më shumë se 15 vjet, trajtimi standard i kancerit rektal lokalisht të avancuar (T3–4 ose N-pozitiv) ka përfshirë trajtimin neoadjuvant (radioterapi ose kimioterapi-radioterapi konkomitante) të ndjekur nga ekscizioni total i mezorektumit dhe më pas kimioterapia sistemike. Qëllimi i terapisë pre-operative është të zvogëlojë madhësinë e tumorit dhe të përmirësojë kontrollin lokal të sëmundjes, por metastazat në distancë kanë vazhduar të jenë një shqetësim i madh.
Për të adresuar këtë problem, janë zhvilluar strategji të reja ku kimioterapia sistemike aplikohet në fazën më të hershme të trajtimit. Kështu lindi koncepti i trajtimit total neoadjuvant (TNT), i cili kombinon kimioterapinë dhe radioterapinë para operacionit.
Komponentët kryesorë të trajtimit total neoadjuvant?
Trajtimi Total Neoadjuvant (TNT) për kancerin rektal lokalisht të avancuar përfshin administrimin e plotë të terapisë sistemike dhe lokale para ndërhyrjes kirurgjikale. Kjo qasje synon të përmirësojë rezultatet onkologjike duke reduktuar rrezikun e rikthimit të sëmundjes dhe përmirësuar mbijetesën pa sëmundje.
Komponentët kryesorë të TNT:
- Kimioterapia sistemike : Administrimi i kimioterapisë citotoksike, zakonisht me regjim të bazuar në Oxaliplatine (si FOLFOX, CAPOX ose FOLFIRINOX), për një periudhë prej 12–16 javësh, në varësi të profilit të rrezikut dhe tolerancës së pacientit.
- Radioterapia (RT): Kjo mund të aplikohet në dy forma kryesore:
- Radioterapia me kohëzgjatje të shkurtër (SCRT): 25 Gy të administruara në 5 fraksione gjatë një jave.
- Radioterapia me kohëzgjatje të gjatë (LCCRT): 50–50.4 Gy të administruara në 25–28 fraksione gjatë 5–6 javëve, shpesh të shoqëruara në një kohë me kimioterapi .
Sekuencat e mundshme të TNT:
- Kimioterapia e induksionit e ndjekur nga RT: Fillimisht, pacientët marrin kimioterapi sistemike të plotë, e ndjekur nga SCRT ose LCCRT.
- RT e ndjekur nga kimioterapia e konsolidimit: Fillimisht aplikohet SCRT ose LCCRT, e ndjekur nga kimioterapia sistemike e plotë.
- Vetëm kimioterapia, me RT të selektuar më vonë: Kimioterapia sistemike administrohet fillimisht, dhe RT (SCRT ose LCCRT) përdoret më vonë bazuar në përgjigjen e tumorit.
Përfitimet nga trajtimi total neoadjuvant?
Evidenca të shumta klinike tregojnë se përfitimet nga TNT përfshijnë:
- Përgjigje e plotë patologjike në më shumë raste (pCR) – reduktimi i madhësisë së tumorit mund të çojë në operacione më pak invazive.
- Kontroll më i mirë sistemik i sëmundjes – kimioterapia e hershme ndihmon në eliminimin e qelizave metastatike të mundshme.
- Rritja e mbijetesës së përgjithshme – studimet sugjerojnë një ndikim pozitiv të TNT në uljen e rrezikut të rikthimit të sëmundjes.
- Reduktimi i nevojës për kolostomi të përhershme – duke lejuar një operacion më konservativ, TNT përmirëson cilësinë e jetës së pacientëve.
A është TNT alternativa më e mirë ?
TNT është një strategji premtuese për trajtimin e kancerit rektal lokalisht të avancuar, duke sjellë përmirësime në shkallën e përgjigjes ndaj trajtimit, uljen e metastazave të largëta dhe ruajtjen e funksioneve organike të pacientëve. Megjithëse TNT nuk zëvendëson kirurgjinë, ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një trajtimi më efektiv dhe të personalizuar.
Për këtë arsye, pacientët me kancer rektal lokalisht të avancuar duhet të diskutohen në bordin multidisiplinar për të vendosur për një qasje optimale të trajtimit, duke marrë parasysh përfitimet dhe rreziqet e TNT për secilin individ në mënyrë të veçantë.







Lini një koment