Në fillim të janarit 2025, rekomandimi për konsumin e alkoolit i një kirurgu të përgjithshëm në SHBA – Dr. Vivek Murthy, shkaktoi shumë diskutime dhe pyetje.
Por, të dhënat mbi lidhjen mes alkoolit dhe rrezikut për kancer nuk janë të reja. Prej kohësh dihet se alkooli rrit rrezikun e kancerit përmes disa mekanizmave, duke përfshirë dëmtimin e ADN-së, çrregullimet hormonale, rritjen e inflamacionit, dëmtimin e mëlçisë, ekspozimin ndaj kimikateve të tjera kancerogjene dhe më shumë.
Alkooli është klasifikuar si një karcinogjen i grupit 1 nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), dhe hulumtimet kanë treguar një lidhje të fortë midis konsumit të tij dhe disa llojeve të ndryshme të kancerit.
A mbartin të gjitha llojet e alkoolit të njëjtin rrezik për kancer?
Rreziku nuk varet nga lloji i pijes alkoolike, por nga sasia e alkoolit që ajo përmban. Çdo pije me të njëjtën sasi alkooli ka të njëjtin efekt, pavarësisht nëse është birrë, verë apo pije e fortë.
Një pije standarde përmban:
- 355 ml birrë me 5% alkool
- 150 ml verë me 12% alkool
- 45 ml pije e fortë (vodka, whiskey, etj.) me 40% alkool
Nëse pini një birrë prej 355 ml me 10% alkool, kjo është e barasvlershme me dy birra standarde, jo një.
Gjithashtu, kini kujdes me madhësinë e gotës, shpesh gotat e verës shërbehen me më shumë se 150 ml, duke rritur sasinë e alkoolit që konsumoni pa e kuptuar.
Prandaj, është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje jo vetëm llojit të pijes, por edhe përqendrimit të alkoolit dhe sasisë së pijes që konsumoni.
A mund të konsumoni alkool nëse jeni diagnostikuar me kancer?
OBSH thekson se asnjë sasi alkooli nuk është plotësisht “e sigurt”. Por, ajo çka duhet theksuar është se kanceri është një sëmundje e shkaktuar nga faktorë të ndryshëm dhe rreziku per zhvillimin e sëmundjes apo për një rekurrencë potenciale nuk mund t`i atribuohet vetëm konsumit të alkoolit. Ndaj, ky mbetet një vendim personal.
Shumica e studimeve mbi lidhjen mes alkoolit dhe kancerit janë kryer në individë para diagnostikimit me kancer, dhe nga këto të dhëna nxirren edhe rekomandime për pacientët që tashmë janë diagnostikuar me kancer.
Një studim i publikuar në revistën Cancer në vitin 2023 (Pathways Study) analizoi ndikimin e konsumit afatshkurtër të alkoolit në riskun për rekurrencë të kancerit të gjirit dhe në mbijetesën e përgjithshme. Studiuesit ndoqën 3,659 gra me kancer të gjirit në stade 1-4 për rreth 11 vjet dhe analizuan zakonet e tyre të konsumit të alkoolit dy muaj pas diagnozës dhe 6 muaj më vonë.
Në përgjithësi, alkooli nuk rezultoi të ishte i lidhur me një rrezik më të lartë për rekurrencë apo për vdekshmëri më të lartë. Megjithatë, kishte një tendencë (edhe pse jo statistikisht sinjfikative) për një risk disi më të lartë të përsëritjes së kancerit tek gratë jo obeze, edhe nëse konsumonin sasi shumë të vogla alkooli (më pak se një gjysmë pije në ditë). Ndërkohë, gratë obeze që konsumonin alkool kishin një rrezik më të ulët të vdekshmërisë.
Megjithatë, ky studim nuk mund të nxjerrë konluzione të qarta, për shkak të një sërë kufizimesh:
- Ai shqyrtoi vetëm konsumimin afatshkurtër të alkoolit pas diagnozës dhe nuk kemi të dhëna për ndikimin e konsumit afatgjatë.
- Të dhënat mbi konsumimin e alkoolit u bazuan në vet-raportimet e pacienteve, të cilat mund të mos jenë gjithmonë të sakta.
Atë çka mund të kuptojmë nga ky studim është se konsumimi i alkoolit për një kohë afatshkurtër nuk duket të jetë i dëmshëm, por nuk mund të nxjerrim përfundime të qarta për ndikimin afatgjatë.
Sa është rreziku real për zhvillim të kancerit nga konsumimi i alkoolit?
Rreziku i kancerit nga alkooli nuk është i njëjtë për të gjitha llojet e kancerit dhe varet nga sasia e konsumuar dhe lloji i kancerit.
Për kancerin e gojës, fytit dhe ezofagut, rreziku rritet ndjeshëm, veçanërisht tek ata që konsumojnë alkool rregullisht dhe njëkohësisht janë duhanpirës. Alkooli e ndihmon duhanin të dëmtojë qelizat më lehtë, duke e bërë kombinimin e tyre veçanërisht të rrezikshëm. Studimet kanë treguar se konsumimi i 3 ose më shumë pijeve alkoolike në ditë mund ta rrisë rrezikun mbi 2-5 herë.
Për kancerin e mëlçisë, dëmi shkaktohet përmes ndikimit të alkoolit në funksionin e mëlçisë, duke çuar në cirrozë, një gjendje që predispozon zhvillimin e kancerit të mëlçisë. Konsumimi i rregullt dhe në sasi të mëdha e rrit ndjeshëm këtë rrezik.
Kanceri i gjirit është një tjetër lloj ku edhe konsumimi i moderuar i alkoolit ka një ndikim të qartë. Studimet kanë treguar se 1 pije alkoolike në ditë rrit rrezikun e kancerit të gjirit me 10%, ndërsa 2 pije në ditë e rrisin me 20%. Kjo lidhet kryesisht me ndikimin e alkoolit në rritjen e nivelit të estrogjenit, një hormon që ndikon në zhvillimin e kancerit të gjirit.
Për kancerin e zorrës së trashë dhe rektumit, sidomos tek meshkujt, alkooli është treguar se e rrit rrezikun me 20-25%, sidomos në rastin e konsumit të dy ose më shumë pijeve alkoolike në ditë.
Pra, sa është një nivel i “sigurt” i konsumit të alkoolit? E vërteta është se nuk ka një nivel të sigurt kur bëhet fjalë për rrezikun e kancerit. Sa më pak alkool të konsumoni, aq më i ulët është rreziku. Për ata që janë diagnostikuar me kancer, reduktimi ose eliminimi i alkoolit jo vetëm që mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes së sëmundjes, por gjithashtu ul edhe mundësinë për zhvillimin e një kanceri tjetër në të ardhmen.







Lini një koment